Durrësi, ringritja e një qyteti të gjunjëzuar nga tërmeti, me ritme...

Durrësi, ringritja e një qyteti të gjunjëzuar nga tërmeti, me ritme të ngadalta dhe larg premtimeve

444
0

Nga Eglantina Alliaj

 

Nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, Durrësit nuk i janë zhdukur akoma shenjat e asaj ngjarje të rëndë. Në orën 03:54 të 26 nëntorit 2019, Durrësi u godit nga një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës rihter. Për pasojë u dëmtuan mijëra banesa dhe objekte të tjera, u shënuan 51 viktima dhe mijëra të plagosur. Edhe pse qyteti është kthyer në një kantier ndërtimi, ringritja e Durrësit, po ecën me ritme të ngadalta. Nga 6 mijë familje që mbetën të pastreha dhe përfituan bonus qiraje pas tërmetit shkatërrues, 3800 vijojnë të mbështeten nga bashkia, e cila vijon të punojë me procesin e rindërtimit në disa programe. Edhe pse kanë kaluar 2 vjet e pak muaj, për shumë familje durrsake kthimi në normalitet është ende një sfidë dhe shpresë e largët. Në këto dy vite Durrësi u përball me pasojat e tërmetit, por edhe pandemisë dhe burokracive zyrtare, që cenuan procesin e rindërtimit. Mjaft qytetarë ende sot sorollaten nëpër dyert e institucioneve për të mësuar fatin e objekteve të tyre të banimit, ndërsa jetojnë në banesa me qira. Deri tani janë rindërtuar 214 banesa individuale dhe 100 familje kanë përfituar grantin e rindërtimit, ndërkohë 405 pallateve u janë riparuar ambjentet e përbashkëta dhe fasadat. 11 pallate, 2 në qytetin e Durrësit dhe 9 në Manëz janë drejt përfundimit dhe brenda vitit bashkia ka deklaruar se do të shpërndahen apartamentet e para. 14 nga 31 godina arsimore të dëmtuara janë rindërtuar, ndërsa të tjerat janë në proces. 5270 familje prej dy vitesh po trajtohen me bonus qiraje, ndërsa qëndrojnë në pritje të rindërtimit.

 

 

Çfarë u premtua nga qeveria për Durrësin

Qeveria është shumë larg mbajtjes së premtimit se shumica e njerëzve që humbën shtëpitë do të kenë çelësat e banesave të reja brenda 31 dhjetorit të vitit 2020. Ky premtim u dha vetëm një ditë pas tërmetit të 26 nëntorit, ndërkohë që më 16 mars 2020, kur vendi ishte izoluar nga pandemia, Kryeministri Rama përsëriti se plani i rindërtimit as nuk do shtyhej e as nuk do të ndryshonte. Megjithatë, ky premtim ndryshoi vetëm një muaj më vonë, por sërish ishte tepër ambicioz për qeverinë e vendit tonë. Pikërisht më 8 prill 2020, Kryeministri Rama deklaroi se “Duhet të bëjmë çmos që të përfundojmë brenda këtij viti të paktën banesat individuale. Ndoshta nuk i bëjmë do të gjithë, me tre turne do punojnë, por të paktën banesat individuale do duhet të bëhen”. Qeveria synon që brenda vitit 2022 të ketë mbyllur procesin e rindërimit për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019.

Më 6 nëntor 2020, në faqen zyrtare të qeverisë u publikua ky njoftim pas vizitës së kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj në Durrës.

Durrës, vazhdon me ritme të larta riparimi për 459 pallate të dëmtuara nga tërmeti

6 Nëntor 2020

Në Durrës, puna për rikonstruksionin e dëmeve të lehta vijon në të 7 lotet, për 459 pallate të dëmtuara nga tërmeti deri në nivelin DS1, DS2, DS3. Ndërkohë do të nisë së shpejti puna edhe në dy lotet e fundit, duke e çuar në 647 numrin e pallateve ku procesi i riparimeve të brendshme do të mbyllet në dy muajt e parë të vitit që vjen.

Kryeministri Edi Rama ishte sot sërish në Durrës, për të ndjekur ecurinë punimeve të realizuara deri tani. “Nga 7 lote, pra, 459 objekte shtohen edhe pjesa tjetër, bëhen 647 pallate, të cilat do të mbarohen fundi i dhjetorit fillimi i janarit në riparimet e lehta. Këto përkthehen në 6200 familje që i rikthehen normalitetit brenda muajit janar. Është një shifër shumë domethënëse. Ndërkohë problemet që kanë mbetur janë me DS4,  rreth 124 pallate, të cilat kemi filluar hartimin e projekteve. Për një pjesë prej tyre kemi bërë kërkesën e parë për financim tek ministria. Janë 6 pallatet e para, të cilat kemi arritur të mbyllim projektet, pastaj themi se procesi është i prekur në të gjitha aspektet. Edhe ritmet janë shumë të mira,” – tha kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.

 

Ministri për Rindërtimin Ahmetaj shtoi se me “DS4 do ecim me financim në dhjetor-janar, edhe me buxhetin e këtij viti dhe me buxhetin e vitit tjetër, që të mbarohen, le të themi, brenda prillit.”

Gjithashtu, grantet për riparimin e mjediseve të brendshme janë shpërndarë për pjesën më të madhe të familjeve. “35 milionë dollarë janë të granteve që ne i japim cash dhe 10 milionë dollarë janë për riparimin e ambienteve të përbashkëta. Kemi likujtuar 9300 familje deri tani, jemi 90% drejt fundit të procesit,” – shpjegoi kryebashkiakja Sako.

Më pas, Kryeministri vizitoi një apartament të përfunduar, në një pallat me dëmtim të nivelit DS3. Familja, me grantin e rikonstruksionit të dhënë nga bashkia ka rikonstruktur të gjitha dëmtimet e brendshme, duke i dhënë apartamentit një pamje të re. “Falenderojmë qeverinë dhe Bashkinë Durrës për ndihmën që na dhanë për të përballuar pasojat e tërmetit. U jemi mirënjohës,” – u shpreh kryefamiljari.

Gjithashtu, ka nisur puna për pallatet e reja me dy kantieret e para dhe brenda 60 ditëve të gjitha kantieret e pallateve do të jenë të hapura, përfshirë edhe kantierin e madh të infrastrukturës në lagjen e re në Spitallë “Ky është një nga pallatet e pikëzuara që do të ndërtohet aty ku ka qenë, por me një ndryshim. Në bazament do të ketë pilota, sepse gjeologjia është e butë. Ka qenë 6 kate, do jetë 8 kate. Ka qenë 36 familje, do jetë 48 familje. Ky është një nga të parët e lotit të parë dhe me Abu Dabin fillojmë në krye të 30 ditëve,” – tha Ministri Ahmetaj.

Sa banesa dhe pallate janë riparuar

 

Deri më tani në territorin e Durrësit duket se në fakt ky proces nuk është aspak i avancuar pasi vetë shifrat zyrtare të siguruara nga Bashkia Durrës, flasin për një numër mjaft të ulët të pallateve të rindërtuara për territorin të cilin përfshin kjo bashki dhe jo vetëm. Sipas Bashkisë Durrës, bonusi i qirasë përfitohet nga 5270 familje, sakaq në total kanë aplikuar 6192 familje. Vlera e lëvruar për këto qira është 1.600.543.800 lekë të reja.

Referuar Aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019 “Për Përballimin e Pasojave të Fatkeqësisë Natyrore” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij , fazat e procesit të rindërtimit dhe programet e tij janë shumë dinamike, është shprehur në përgjigjen e saj Bashkia Durrës. Për çdo fazë të këtij procesi Bashkia Durrës ka publikuar në faqen zyrtare http://ëëë.durres.gov.al, listat e përfituesve dhe masën e përfitimit për çdo subjekt përfitues sipas vendimeve përkatëse të këshillit bashkiak Durrës, ku përsa i përket ndarje së granteve të rikonstruksionit dhe pallateve të vlerësuara sipas shkallës DS1-DS5, ndarja është si vijon:

 

DS1-2615 objekte

 

DS2-1822 objekte

 

DS3-1294 objekte

 

DS4-947  objekte

 

DS5-349  objekte

 

Shifrat e mësipërme tregojnë se dëmet në pallate dhe apartamente janë të konsiderueshme, por deri më tani çfarë është bërë për të rikuperuar këtë dëm? Të dhënat tregojnë se ky proces për qytetarët durrsak jo vetëm që është i ngadaltë, por pothuajse ende nuk ka nisur pasi deri më tani nga 349 godina të vlerësuara si DS5, përfshirë këtu dhe pallate, asnjë prej tyre nuk është dorëzuar.

Për pallatet dhe shtëpitë individuale të cilat i përkasin dëmit DS5, Bashkia sqaron se:

“190 banesa dhe 42 pallate janë miratuar për prishje.

Nga 42 pallatet – 22 pallate në qytet, 10 pallate në NJA Sukth, 3 pallate në NJA Katund i Ri, dhe 8 pallate në NJA Manëz, të cilat do të jenë pjesë e Sitit të ri në Manëz

Vazhdon puna për rindërtimin e 11 pallateve: në rrugën ‘Petraq Boshnjaku’ Nr.14 dhe pallatin 1062 rruga 26 ‘Nëntori’, si dhe rindërtimi i pallateve në sitin e Manzës

Asnjë nga pallatet nuk është dorëzuar”, përgjigjet zyrtarisht bashkia.

Në datë 3 nëntor 2021, kryetarja e Bashkisë Durrës, ka ndarë me qytetarët tabelën sipas së cilës bëhet me dije se cilat janë pallatet në proces, dhe cilat janë në zbatim për rikonstruksion ku thekson se:

“Vazhdon puna për rehabilitimin e pallateve me shkallë dëmi DS4.

Janë 11 pallate ku punohet sipas projekteve përkatëse për përforcimin e tyre dhe rikonstruksionin, si në ambientet e brendshme ashtu edhe në ato të jashtme duke garantuar standardet e duhura për banesa më të forta dhe më të sigurta se më parë.

Për 13 pallate të tjera është në proces realizimi i garës.

Ndërkaq pas miratimit në këshillin bashkiak do të fillojë puna për riforcimin e 35 banesave individuale që janë konstatuar me shkallë dëmi DS4.”

Rindërtimi i godinave arsimore

Në lidhje me procesin e ndërtimit të godinave arsimore si shkolla 9-vjeçare, gjimnaze, kopshte apo çerdhe, Emiriana Sako ka deklaruar më herët se sipas saj:

“Ringritja e shkollave pas tërmetit është një model i papërsëritshëm dhe mishërim i besimit në ringritjen e Durrësit.  Në një kohë rekord kemi arritur të ndërtojmë 12 objekte të reja arsimore dhe 2 janë rikonstruktuar tërësisht, ndërsa në proces janë edhe 16 godina të tjera. Të gjitha godinat arsimore ndërtohen me eurocod 8, duke i siguruar nxënësve dhe fëmijëve ambiente me standarde të larta. Në të gjitha godinat e reja arsimore janë në total  6610 nxënës dhe 651 fëmijë kopshti, ndërsa nga objektet e tjera që do të rindërtohen do të përfitojnë 5200 nxënës dhe 600 fëmijë kopshti”,

Deri më tani, shifrat zyrtare të dhëna nga vetë Bashkia Durrës për procesin e rindërtimit, protestat e shumta të cilat janë mbajtur përpara këtij institucioni gjatë dy viteve të fundit për pakënaqësitë në lidhje me këtë proces, vonesat në nisjen e punës për rikonstruksionin apo rindërtimin e disa pallateve, vonesat me disa muaj në shpërndarjen e bonusit të qirasë, tregojnë se situata post-tërmetit, është keq-menaxhuar nga ana e këtij institucioni pasi afatet e premtuara janë kaluar duke mos u dhënë zgjidhje qytetarëve, për të cilët akrepat kanë mbetur ende në orën 3:54 minuta të datës 26 nëntor 2019.

Bilanci

Kryetarja e komanduar e Bashkisë Durrës, Znj. Emiriana Sako më datë 25 nëntor 2021, ka bërë një bilanc në lidhje me procesin e rindërtimit në deri atë datë ku është shprehur se: “Qeveria shqiptare ka pasur në prioritet programin e rindërtimit. Ne kemi realizuar rindërtimin e 214 ndërtesa individuale. Nga ana tjetër, brenda qytetit kemi bërë riparimin e 405 pallateve, punë të cilat qytetarët nuk i realizonin dot vetë. Kemi kthyer gjithashtu në jetë normale 4 mijë familje. Ka filluar procesi i rindërtimit të pallateve po aty ku kanë qenë. Presim brenda këtij viti të ndajmë apartamentet e para. Durrësi ka një buxhet të ndarë mes fondit shqiptar të zhvillimit dhe fondit të Abu Dabit për zhvillim. Sigurisht ky është volumi më i madh i punës. Kemi ende në proces me Institutin e Ndërtimit disa objekte që po marrin vlerësimin final të strukturave të tyre”  është shprehur Sako.

 

Kur do të përfundojë procesi i rindërtimit?

Zv/kryeministri Ahmetaj, më datë 26 tetor 2021, tha në Kuvend se në fund të shtatorit të vitit 2022 mbarohet me procesin e rindërtimit pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të dy viteve më parë. Me dhjetëra pallate që presin të rindërtohen, qindra godina që do të riparohen dhe sitin e Spitallës ku do të ndërtohet një lagje e re procesi i rindërtimit në Durrës duket ende larg objektivave të qeverisë.

Deputeti democrat Ferdinat Xhaferaj denoncon edhe ecurinë e ngandalshme të rindërtimit ku nga 160 ndërtesa vetëm 11 kanë filluar nga puna. “Kur u mbushen dy vite nga termeti i 26 nentorit, evidenca dhe realiteti jane pasqyrat ku perplasin dhe dalin te vertetat e rilindjes me rindertimin. Rama ka deshtuar me rindertimin sepse ne 14 Dhjetor te 2019 do te deklaronte se deri ne Qershor te 2021 do te merrte fund procesi i rindertimit. Por, ndersa kane qene rreth 6000 familje me bonus qeraje aktualisht sot marrin bonus qeraje 3800 familje.

Pra, kemi 3800 familje qe akoma se kane te zgjidhur problematiken e termetit.

Rama ka deshtuar me rindertimin sepse faktet tregojne se kane qene 36 pallate DS5 dhe 124 pallate DS4 qe konsiderohen te demtuara shume rende.

Aktualisht po punohet vetem ne 11 pallate DS4 dhe janë ne proces gare 13 pallate qe presin te financohen. Pra, nga 160 objekte DS4 dhe DS5 ka filluar puna vetëm ne 11. Pra, e vetmja evidence qe Procesi i rindertimit ka prodhuar ne Durres, pergjate ketyre dy viteve, eshte se si bujaria europiane eshte shperdoruar nga babezia qeveritare. Sot mbas dy viteve nga tragjedia, i vetmi bilanc i rilindjes per termetin eshte se ne cdo hallke te perballimit te situates kemi pare vetem paaftesi, papergjegjshmeri dhe abuzim”-është shprehur ai.

 

Skepticizëm për përfundimin e rindërtimit në shtator 2022

 

Deri tani janë rindërtuar 214 banesa individuale dhe 100 familje kanë përfituar grantin e rindërtimit, ndërkohë 405 pallateve u janë riparuar ambjentet e përbashkëta dhe fasadat. 11 pallate, 2 në qytetin e Durrësit dhe 9 në Manëz janë drejt përfundimit dhe brenda vitit bashkia ka deklaruar se do të shpërndahen apartamentet e para. 14 nga 31 godina arsimore të dëmtuara janë rindërtuar, ndërsa të tjerat janë në proces.

5270 familje prej dy vitesh po trajtohen me bonus qiraje, ndërsa qëndrojnë në pritje të rindërtimit.

Vetëm dy pallate në Durrës dhe dy të tjera në Manëz janë ndërtuar deri tani, ndërsa pritet që të dorëzohen çelësat e apartamenteve të parë.

Shumë nga pallatet DS4 janë në pritje të riforcimeve, ndërsa procesi nuk ka përfunduar tek godinat me dëme DS1-DS3.

Në 2-vjetorin e tërmetit, të tjerë pallate pritet të shemben me eksploziv, ndërsa shumë qytetarë janë ende të paqartë për fatin e pallatit të tyre. Protesta të shumta janë zhvilluar para bashkisë dy muajt e fundit, por problematikat rrallë marrin zgjidhje. Të lodhur, banorët kërkojnë të rikthehen në shtëpitë e tyre.

Duket se procesi i rindërtimit do të jetë një proces i cili do t’i kërkojë kohë qytetit të Durrësit dhe kjo nuk do të jetë e vetmja kosto që rrezikon t’i kanoset banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, por sa më shumë zgjat në kohë dhe vonon ky proces, lind edhe një tjetër pikëpyetje: A do të mjaftojnë fondet deri në përfundim të këtij procesi?!