“Dorëzohet” Reja, Kombëtarja do t’i rikthehet skemës me katër mbrojtës. Ja si...

“Dorëzohet” Reja, Kombëtarja do t’i rikthehet skemës me katër mbrojtës. Ja si luajnë kuqezinjtë në Izrael

403
0

Kuqezinjtë kanë zh villuar seancën e radhës stërvitore në Durrës, në kuadër të Ligës së Kombeve. Shqipëria do të sfidojë Izraelin, në ndeshjen që do të luhet ditën e shtunë në orën 20:45, teksa ekipi i Edi Rejës do të mbyllë sot përgatitjet, për t’u nisur nesër në mëngjes drejt Tel Avivit

Në seancën e djeshme grupi ka qenë i plotë, teksa lajmi i mirë është rikthimi me pjesën tjetër të lojtarëve të Myrto Uzunit. Sulmuesi duket se është përmirësuar dhe e ka kaluar dëmtimin në kavilje.

Me kthimin e Uzunit, trajneri Edi Reja ka dërguar sërish te skuadra U-21 sulmuesin Eljon Toçi, i cili shihej si zëvendësues i Uzunit nëse beratasi nuk do t’ia dilte. Ndërkohë, seanca ka vijuar normalisht, ku italiani është qartësuar më shumë në kokën e tij se me cilët lojtarë do të zbresë në fushë, pasnesër në Izrael.

FORMACIONI– Duket si e pabesueshme, por trajneri i Kombëtares Edi Reja ka vendosur që këtë ndeshje të ndryshojë skemën që ai aplikon. Kështu që nuk do të përdoret një 3-5-2, siç e kemi parë në mbi 90 për qind të rasteve të luajë Shqipëria, por Reja është “dorëzuar” dhe do të kalojë në një 4-3-1-2. 76-vjeçari ka vendosur që ta nisë me katër lojtarë mbrapa.

 

Në portë pritet të luajë kapiteni Etrit Berisha. Në mbrojtje do të rreshtohen: Ismajli dhe Veseli në qendër, ndërsa djathtas Ivan Balliu. Nga krahu i majtë do të jetë Elseid Hysaj. Ndërkohë në mesfushë, ku mungesa e Keidi Bares dhe Endri Çekiçit është e konfirmuar, si titullar ka mundësi ta nisë Klaus Gjasula, Kristjan Asllani dhe Amir Abrashi, megjithatë një dyshim është edhe për Ylber Ramadanin, që po kalon një formë të mirë në Skoci. Ndërsa përpara tyre, do vendoset Nedim Bajrami dhe në repartin e sulmit do të luajë Armando Broja dhe Sokol Cikalleshi.