Doli për bukë përfundoi nën rrota, nëna në lot: Më shpëtoni djalin

Doli për bukë përfundoi nën rrota, nëna në lot: Më shpëtoni djalin

498
0

“Shqiptarët për shqiptarët” kanë trajtuar këtë të premte historinë e Shëndritit. Djali 14 vjeçar është aksidentuar rëndë 2 vite më parë në Prishtinë. E ëma e kishte dërguar t’i blinte bukë, por djali nuk iu kthye kurrë më me këmbët e veta në shtëpi. Shëndriti pësoi një aksident teksa po kalonte rrugën. E ëma e tij tregon me dhimbje çfarë ndodhi ditën e aksidentit. Ajo tregon se e dërgoi djalin për të blerë bukë por e gjeti në spital duke luftuar me vdekjen. “Jam nëna e djalit Shëndrit Beqirit, vij nga Presheva, prej 20 vitesh jetoj në Fushë Kosovë. Jetoj me qira. Djali më është aksidentuar para 2 viteve. Shërim nuk ka pasur këtu as në spitale. Djali është duke më ikur, e kap ngërçi, i dhemb shumë koka. Ishim në shtëpi, bëra drekën, djalin e çova të blinte bukë. Djali u vonua pata frikë. Erdhi policia na tha se ka pësuar aksident. Në spital më thanë s’ka shpëtim. Për 4 ditë nuk kishte vetëdije, e kam pritur çdo ditë e natë tek koka. E sollëm në shtëpi, donte të rikthehej në shkollë”, tregon nëna. Shëndriti, 14-vjeçari, nga Fushë Kosova ka nevojë për një operacion në kokë që kushton 22 mijë euro. Nëna e tij tregon se pas aksidentit, djali po vuan nga infeksionet e rënda dhe dhimbje të forta të kokës. Ai ka qenë i shkëlqyer në shkollë, por tani thotë se nuk e kupton më matematikën si më parë. 14-vjeçari dashuron detin e Durrësit, por nëna e tij thotë se s’ka mundësi ta çojë. “Vuan nga infeksione të shumta që nuk e lënë të qetë, çdo javë jemi në spital për kurim, përdor shumë ilaçe, madje edhe për stres. Këto vitet e fundit më shumë kam qëndruar në spital sesa në shtëpi. Para vitit të ri 30 ditë qëndrova në një karrige pranë tij në spital. Për të unë jepja zemrën, vetëm të shërohet. I shkoja tek shtrati e kontrolloja nëse merr frymë. Është shumë i stresuar, ka tre javë që nuk del jashtë shtëpisë. Nuk do ta dëgjojë më emrin e mjekut. Më thotë pse nuk shërohem dot. Djali ka qenë i shkëlqyer në shkollë, krejt me 5-a, por tani ka rënë nga notat. Nuk e kupton më si dikur matematikën, ka qejf të shëtisë Tiranën, Durrësin. E do detin”, tregon ajo.

 

Gruaja thotë se nuk ka të ardhura të mjaftueshme për operuar se burri është pa punë ndërsa ata kanë vështirësi të sigurojnë edhe ushqimin e përditshëm ndonjëherë.

“Burri nuk punon. Djali i madh ka lënë shkollën se nuk e përballonim dot ta mbanim në shkollë. Edhe pa ushqim kemi mbetur por nuk kanë ndihmuar njerëzit. Kemi shpenzuar shumë me blerjen e barnave. Spitali nuk na ofron medikamente, kemi marrë borxhe për t’ia blerë. Unë nuk jetoj dot pa të, jam shumë e lidhur me të. Ai nuk ma lëshonte dorën kur ishte i aksidentuar. Doja ta shikoja veç njëherë duke ecur dhe duke folur”, thotë mes lotësh nëna.