“Do dëgjoni shumë shpejt problematika të tilla”, Lame lajmëron përplasje në disa...

“Do dëgjoni shumë shpejt problematika të tilla”, Lame lajmëron përplasje në disa qytete. Komandohet një tjetër drejtues për Vlorën, ja emri

649
0

Pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme të tre drejtorëve, në krye të Agjencisë Rajonale të Kadastrës së Vlorës është komanduar Tauland Canameti.

 

32-vjeçari me origjinë nga Mati, deri dje mbante postin e zv.drejtorit në Kadastrën e qytetit bregdetar, po i komanduar nga Tirana dhe në këtë post. Zyrat e Kadastrës në Vlorë nuk gjejnë qetësi që prej zbarkimit të Drejtorisë së Hetimit për Krimin Ekonomik dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, për abuzimet me pronat në bregdet. Kjo situatë solli menjëherë dorëheqjen e drejtorit, Florjan Almadhi, dhe u pasua me dorëheqje dhe shkarkime të tjera.

 

LARGIMET

 

Një muaj nga zbarkimi i Policisë në Kadastrën e Vlorës, tre drejtorë kanë dhënë dorëheqjen, duke paraqitur si motivacion “arsye personale”. I pari ishte, Florjan Almadhi, 30 vjeç. Vendin e tij e zuri, Alteo Nazëraj, 35 vjeç, i cili ishte zv.drejtor. Por, pa kaluar pak ditë nga marrja e detyrës, edhe ky i fundit paraqiti dorëheqjen, duke bërë që në krye të institucionit të emërohej Elona Hodaj.

 

E angazhuar prej kohësh në strukturat e Partisë Socialiste, vlonjatja nuk “rezistoi” shumë, duke dhënë edhe ajo dorëheqjen. Largimet në kadastrën e Vlorës nuk kanë prekur vetëm drejtorët, por edhe zv.drejtorë të larguar, duke paraqitur dorëheqje. Largimet nisën më 9 shtator me dorëheqjen e Almadhit, bashkë me zv.drejtorët Klodian Troci dhe Ardian Musta. Në krye të institucionit u emërua zv.drejtori, Alteo Nazëraj, kurse Elona Hodaj u bë zv.drejtore.

 

Më parë ajo ka mbajtur postin e drejtoreshës së Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Vlorë. Por, pas vetëm 10 ditë në krye, Nazëraj paraqiti dorëheqjen, duke bërë që drejtoreshë të emërohej Hodaj. Kurse si zv.drejtor u komandua nga Tirana, Taulant Canameti. Së fundmi, më 8 tetor, dorëheqjen përveç Hodajt e ka dhënë dhe zv.drejtori tjetër, Krenar Xhemali.

 

KONFLIKTI

 

 

Shkak për largimet e fundit mësohet se është bërë një konflikt i brendshëm në Kadastrën e Vlorës mes Elona Hodajt dhe Tauland Canametit. Zallahia ishte sërish çështja e një prone në bregdet, që njihet ndryshe si dosja numër 246. Pikërisht nga kjo dosje kanë ardhur të gjitha pasojat që kanë shoqëruar kolapsin e krijuar në Kadastrën e Vlorës. Për shqyrtimin e kësaj dosjeje ishte ngritur një grup pune më 25 qershor, i përbërë nga 23 specialistë me një vendim të drejtorit të asaj kohe, Florjan Almadhi, por që nuk çoi në ndonjë zgjidhje.

 

Së fundmi, Hodaj dhe Canameti janë përplasur, pasi zv.drejtori ka lëshuar një urdhër për dosjen në fjalë për të njohur vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila pezullon çdo veprim mbi këtë pronë. Shfuqizimi i urdhrit, me argumentin se nuk ka tagër për këtë vendim, çoi në dorëheqjen e vetë Hodajt.

 

Për këtë pronë, ku bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 1.5 hektarë tokë në bregdet, Gjykata e Lartë, më 23 prill 2019, ka kërkuar që çështja të dërgohet për rigjykim, ndërsa gjatë kësaj kohe nuk duhet të kryhet asnjë veprim për regjistrimin apo shitjen e saj. Para kësaj, Gjykata e Apelit në Vlorë, me një vendim të dhënë më 12 shkurt 2019, u njeh pasurinë katër bashkëpronarëve.

 

Lame: Në Vlorë nuk quhet askush “Durim”

 

artan lame

 

Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, pas situatës absurde të krijuar në Kadastrën e Vlorës, paralajmëron se një gjë e tillë pritet të ndodhë dhe në qarqe të tjera. Sipas Lames, kjo vjen për shkak se “kanë rënë piramidat e ndërhyrjes dhe të pushtetit e nuk ka asnjë që të mbrojë paligjshmëritë”. Këtë deklaratë, ai e bëri i ndodhur në Elbasan ku kishte shkuar për të shpërndarë lejet e legalizimit për banorët e një pallati në lagjen “Çlirimi”.

 

“Sot, paligjshmërinë nuk e mbron askush”, iu përgjigj ai pyetjes se përse Kadastra e Vlorës nuk “po gjen paqe”, ku vetëm brenda 1 muaji janë dorëhequr 3 drejtorë. “Probleme si ky i Vlorës do të dëgjoni në shumë qytete të tjera. Sot jemi në Elbasan për legalizimet dhe mund të dëgjoni dhe këtu probleme të tilla. Po dëgjoni në Durrës, do të dëgjoni në Shkodër, për fat të keq do të dëgjoni në Sarandë. I vetmi ndryshim me qytetet e tjera, është, siç thotë dhe Kryeministri Rama, në Vlorë nuk gjen një njeri që quhet ‘Durim’. Janë më të padurueshëm se të tjerët, por probleme të tilla do të dëgjoni kudo, për një arsye shumë të thjesht, kanë rënë piramidat e ndërhyrjeve dhe të pushtetit dhe tashmë nuk është askush që të mbrojë paligjshmërinë dhe gjërat e bëra keq në njëzet e ca vjet. Kjo është e gjitha, nuk ka asnjë arsye tjetër. Do të dëgjoni shumë shpejt problematika të tilla në të gjithë Shqipërinë. Po i dëgjoni në Durrës, do t’i dëgjoni në Sarandë, Shkodër dhe Lezhë”, deklaroi Lame. Ndërkohë, në Elbasan, kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës shpërndau 113 certifikata pronësie.

 

“Ky proces do të vijojë edhe për shumë pallate të tjera. Prioriteti ynë në vijim është të legalizojmë pallatet pa leje. Ky është i pari pallat që legalizohet përtej Tiranës. Në fakt, kemi të tjerë në Elbasan, por kemi hasur në probleme me pronësinë dhe ndërtuesit, të cilët nuk dihen. Kemi konstatuar se në rrethe është mjaft e vështirë. E kemi nisur në 2018 këtë proces dhe do ta çojmë para”, u shpreh Lame.