Në një emision fort me emër të ekraneve shqiptare, që nuk kam dëshirë ta evidentoj se merret me mend vet, ishte shtruar për zgjidhje një çështje problematike dhe e shumëpërfolur. Për më tepër pulti më mbeti në dorë pa lëvizur, kur dëgjova se me një çështje të tillë ishte marrë seriozisht edhe Hollivudi i largët, ku kishte angazhuar aktorë nga më të famshmit që silleshin vërdallë nga ato anë. Dhe po u fut në lojë Hollivudi e Mel Gibson, çështja e merr rrugën e zgjidhjes, të paktën.
Flitej për një temë madhore dhe jashtë mase të prekshme, e përfshirje të gjerë target-grupesh ku ideja kryesore mbartte këtë peshë: “Pse meshkujt nuk i kuptojnë femrat”.
Çfarë thua ore?! Hajde çështje e shtruar për zgjidhje, hajde. Me shumë të panjohura. Edhe Ajnshtaji do ngecte te rreshti i dytë ma merr mendja. Se edhe ai deri te Teoria e Relativitetit e pati vuxhutin.
U futa në të thella. Vërtet meshkujt nuk i kuptojnë femrat??? Të jemi kaq të trashë vallë. Jo se nuk është çudi.
Hall i madh.
Por nuk ishte e nevojshme të futesha unë në të thella. Më thellë akoma ishin futur të ftuarit në studio. Paneli, i papamë, me femra e meshkuj që kuptohej lehtësisht se ishin të arsimuar te filo-qyli. Se mos ma merrni për keq. Se kështu e njohim në zhargonin e përditshëm. Dhe për djall, ata që mbarojnë këtë fakultet, meshkujt sidomos (çfarë rëndësia ka specifikimi i degës: letërsi, psikologji apo punë sociale), i bën që të fillojnë të thellohen në mendime për t’i shkuar çështjes deri në fund me deduksione logjike. Domethënë mundohen shumë të shkretët të të mbushin mendjen me një tollovi fjalësh. Tir e tir fjalë e asgjëkund nuk merrja vesh se ku duhet të dilnin. Nga dera e pasme, a nga dritarja. Edhe Mel Gibson sikur nuk e kishte kaq të vështirë. Në fund të gjithë performancës së fjalëve kuptova thellësisht se kishin bërë as më pak as më shumë por… nga një vërë në ujë.
Epo ka të drejtë ai i Gjati kur thotë “kazan”. Tenxhere fare, nga ato të ushtrisë, ku bëhet gjellë pa yndyrë…
…Dale se m’u kujtua.
Këta kanë bërë shkollën e lartë o të keqen, por nuk kanë bërë ushtrinë. Se në diktaturë ata që bënin shkollën e lartë ditën ishin të privilegjuar boll, nuk i merrnin ushtar, e bënin vetëm 3 muaj zborr në Mamuras, nga ku dilnin komandantë toge, por që si zor ta kryenin detyrën për të hedhur në luftë 30 veta. Në demokraci, asnjë lloj robi nuk bën ushtrinë, përveç rrogëtarëve që nuk kanë asnjë zanat.
Bela e madhe për besë. Djemve që nuk bënin ushtrinë nuk u jepnin as nuse një herë e një kohë. Mendonin se ishin budallenj. Se vetëm të metët nuk i merrnin ushtarë, pasi u kishin bërë ekzaminimin te spitali 5 dhe u kishin dhënë nga një mandatë me vete që e paraqisnin në Degën Ushtarake. Ndërsa sot nuk i kupton dot, cilët janë budallenj e cilët jo të tillë. Të gjithë kanë një prerje: shejtan budallenj.
Duke dëgjuar me gojën hapur mendimet elokuentë të panelistëve që çfarë nuk sajonin rreth temës, nëse i kuptonin femrat apo jo, thashë me vete: S’keni faj djema që merreni me llogje kavaje, nuk e keni bërë ushtrinë. Madje nuk keni bërë as zborrin. Se në ushtri, thoshin dikur, rinia piqet. Ndërsa ju jeni bërë burra e keni mbetur hunj.
Djema, shkoni bëni ushtrinë. Mësoni si mbushet pushka. Bëni qitje natën. Bëni dhe 5-mijë metra vrap me kundragaz. Pa duhet të bëni dhe shërbim të pandëruar; dy orë roje dy orë gjumë. Se ushtria ka yçkëla shumë. Se duhet të hash atëhere kur nuk të hahet dhe flesh kur nuk të flihet. Të bësh tranazh për gjithçka ku spikat rregullimi i krevatit si kuti shkrepse. Dhe si t’i keni bërë të gjitha këto për dy vjet me radhë të jeni të bindur se do t’i kuptoni më thjeshtësisht se çfarë mendojnë femrat. Përse bëjnë naze për shampon, çfarë marke e duan parfumin dhe pse duan nga një qiri në një darkë romantike me një të rënë violine në sfond.
Se femrat nuk filozofojnë aq sa mendohet. Dhe ka burra që ua gjejnë telat aq shpejt sa s’ta merr mendja. Ndaj u them:
Djema, bëni ushtrinë, se bota do t’u duket me e thjeshtë. Femrat gjithashtu.