Eldorjan Hamiti ka rënë pre e një dhune barbare në Kamzë. U dhunua nga tifozë dhe drejtues të klubit, pas një ndeshjeje që përfundoi me rezultatin 1-1.
Ai deklaron se nuk ka asnjë peng në ndërgjegje, sepse penalltia ishte e pastër, madje ia ka pranuar edhe vetë portieri. Por ndërkaq thotë për “Panorama Sport” se në atë fushë dje është ndierë i vrarë: fizikisht, moralisht dhe profesionalisht.
Eldorjan, si jeni tani?
Jam më mirë. Kam dhimbje në kokë dhe në qafë, por mjekët më thanë se mund të rri në shtëpi.
A u qetësuan familjarët?
Po si mund të qetësohen kur të shohin ashtu “live” në televizor. Ishte padrejtësi e madhe, ishte një maskaradë. Unë kam gruan shtatzënë dhe një djalë të vogël 5 vjeç. E kuptoni ju, çfarë kanë përjetuar ata sot (dje) së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes?
Mos ndoshta tek aksioni i fundit që solli edhe penalltinë patën pretendime për faktin që ishin dy topa në fushë?
E kanë gabim pra, nëse mendojnë kështu. Topin në fushë e hodhën vetë kamzalinjtë dhe ai top nuk u përfshi as në aksion dhe as në dinamikën e ndeshjes. Jo gjithnjë mund të ndërpritet ndeshja kur hidhet një subjekt i palejuar në fushë, kur ai nuk ndikon në aksion. Topi nuk ishte as afër që të ngatërronte lojtarët. Por këto janë çështje teknike. Nuk ka argument që e justifikon atë sjellje barbare. Nëse u mërzitën për një top, atëherë po ua çoj unë dhjetë topa dhuratë dhe le t’u bien gjithë ditën… Po u çoj edhe gjithë fisin që të merremi vesh siç e meritojnë ata… Më vranë more në fushë, e kupton apo jo? Më gjuajtën si mundën, sa mundën, me çfarë kishin në dorë./Panoramasport.