Dëshmia rrëqethëse e punëtores së fasenorisë: Jam e frikësuar, të vegjlit i...

Dëshmia rrëqethëse e punëtores së fasenorisë: Jam e frikësuar, të vegjlit i shtypin lehtë

550
0

KRUJË- Në 24 orët e fundit, Kruja regjistroi edhe 18 raste të reja të prekura nga SARS-CoV-2. 11 prej tyre janë punonjëse të fasonerisë dhe 4 persona kontakti të tyre, familjarë. Në Krujë janë mbyllur 6 fasoneri për shkak të pandemisë Covid-19.

Ndërkohë sonte në emisionin “Open” në Top Channel gazetarja Anila Hoxha ka sjellë dëshminë e një gruaje e cila punon në një nga fasoneritë e mbyllura të Krujës.

Gruaja në fjalë ka preferuar që të mbetet anonim ndërsa thotë se ka simptoma të koronavirusit ajo vetë si dhe familja e saj. Ajo ka shtuar se vjehrra e moshuar është në gjendje të rëndë ku prej 5 ditësh është me kollë dhe me temperaturë, sipas saj simptoma të ngjashme ka vetë ajo dhe vajza e saj e vogël.

Ndërkohë për sa u përket masave të ndërmarra nga fasoneria ku ajo punonte, gruaja tregon se nuk zbatoheshin masat e sigurisë dhe distancimit. Sipas saj kishte rreth 300 punonjës në ambiente të mbyllura.

Më tej gruaja ka shtuar se i është dashur të kthehet në punë për shkak se rrezikonte të pushohej. Ndërkohë ditën e sotme asaj i është bërë tampon së bashku me pjesëtarët e familjes ndërsa thotë se ka shumë frikë se është e infektuar.

Pse shkoni në punë?

“Shkoja në punë se s’kisha ca të bëja”

Kur ishte rasti i parë me covid-19 tek puna juaj?

“Me thënë të drejtën se di se kur ishte rasti i parë por ka pas gra rregullisht me temperaturë. Të hënë dhe të martën e kaluar”

Pse ndaluat punën?

“Na thanë shoferët se nuk ka ardhur kamioni. Pastaj morëm vesh se ishte pandemia.”

A kishte rregulla higjenike kundër Covid-19?

“Atje ku punonim aty hanim me bidonin e ngjitësit aty. Doreza na kanë dhënë një ditë dhe një maskë që kur doli pandemia. Kur vinte kontrolli zbatohej distance na shpërndanin. Kohët e fundit ka pasur më pak punëtor, por ne ndaluam nga puna dhe na thanë që po nuk erdhët me 1 prill në punë do hiqen siguracioni. Vetëm tre ditët e para, pastaj u kthyem ishte puna hap”

Pse u rikthyet në punë?

“Në të kundërt humbisnim punën. Ne ndaluam ca ditë tre –katër ditë por më njoftuan se ose do vijsh në punë ose o të largohesh nga puna. Para një jave kanë qenë gratë sëmurë. Ne si fabrikë jemi mbi 300 veta. Një manovi kishte 45 veta. “

A dyshoni se jeni prekur?

“Dyshoj sot i bëra analizat e kam vjehrrën me 40, gocën po ashtu me temperaturë. Vetë jam me kollë. Para një jave kam dashur ta bëj tamponin.”

A do ktheheni më në punë?

“E kena me dyshime nëse duhet të shkoj më aty. Pa nja dy muaj. Kam kollë e dhimbje koke, dhimbje fyti. Vjehrrën e kam shumë keq me kollë me temperaturë”

“Mos të kesh një sapun tek banjo. Kohët e fundit kanë sjellë. Oraret kemi punuar me orare por morën një licencë dhe filluam prapë. Jam në ankth as gjumi s’do të më zërë. Nuk ka mundësi të mos jem prekur”

“Vjehrrën e kam shumë keq u bë 5 ditë që nuk është ngrit fare. E ka bërë sot edhe ajo tamponin. Apeli ynë është gabimi jonë që s’bëjmë denoncimin se jemi hallexhinj. Ne jemi të vegjël të vegjlit i shtypin kollaj. Më pas do të shohim. Përgjigjen se di kur do ta marrim do të njoftojnë mjeku i familjes” tha zonja./GazetaShqip