Dede për derbin: Tirana është e dënuar të fitojë, të gjitha brezat...

Dede për derbin: Tirana është e dënuar të fitojë, të gjitha brezat edukohen me këtë mendim

386
0

Ditën e nesërme do të luhet derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit në stadiumin “Air Albania”.

Për të folur rreth ndeshjes, ka dalë në konferencë trajneri i bardhebluve, Nevil Dede, i cili si fillim ka theksuar se Tirana është e detyruar të fitojë, teksa me këtë mentalitet edukohen edhe brezat e rinj.

Ndër të tjera, tekniku i kampionëve në Shqipëri shprehet se nuk është shkëmbyer në lagje me Ilir Dajën, trajnerin e Partizanit, por shtoi se ka respekt maksimal dhe se kanë punuar së bashku.

“Mendoj se në aspektin psikologjik nuk ka nevojë për shumë koment. Në aspektin mediatik rezultatet bëjnë që të duket situata jo e mirë. Më vjen keq se ekipi është paraqitur mirë”.

Kthesa në derbi? “Gjithmonë i mëshohet se fillimi nuk është i mirë. Po të ishte i mirë nuk do të isha as unë këtu. Do rikthehemi shumë shpejt. E rëndësishme është që të kthehen lojtarët dhe më pas edhe rezultatet e mira”.

Goli? “Nuk kemi shënuar pak, është perceptim i gjithkujt. Na pret një ndeshje e vështirë, historike për ne dhe rivalin. Do e përjetojmë shpirtërisht dhe do mundohemi të paraqitemi sa më mirë. Tirana është e dënuar të fitojë dhe të fitojë tituj. Të gjitha brezat edukohen me këtë mendim. Ne duhet të mendojmë të bëjmë më të mirën dhe të kënaqim njerëzit që na ndjekin në ekrane dhe që po kalojnë momente të vështira. Luajmë në një kampionat të ngjeshur dhe duhet të bëjmë më të mirën. Duhet të përmirësojmë ato probleme që kemi shfaqur në çdo ndeshje”.

Ngacmime me Dajën? “Nuk jemi shkëmbyer në lagje. Kemi respekt maksimal dhe kemi punuar së bashku. Në fund duhet të jemi krenarë që do u përcjellim tifozëve momente të bukur. Uroj të fitojë më i zoti. Nuk e kam vendosur unë dënimin e Tiranës për fitore, por këto figura të mëdha që shihni përreth. Të dy ekipet janë të ekuilibruar dhe do të mundohen të gabojnë më pak”.

Stadiumi? “Organizatorët kanë vendosur kështu. Nuk jam agronom, nuk vendos unë kush është fusha më e mirë apo më e keqe. Stadiumi “Air Albania” është një reklamë për ne. Kujt nuk i pëlqen të luajë aty”.

Debutuesit në derbi? “Gjithmonë ka një herë të parë. E rëndësishme është të jenë me motivimin e duhur dhe të kenë angazhimin e të gjithëve. Të gjithë do e provojnë një herë. Mbi të gjitha duhet të jenë krenarë që arrin pjesë në një ndeshje historike të futbollit shqiptar”, u shpreh Dede.