Dalin fotot e rralla të Kryeministrit Rama me flokë të gjata, flet...

Dalin fotot e rralla të Kryeministrit Rama me flokë të gjata, flet skulptori i njohur: Me Kristaqin ndanim bukën bashkë, kurse Edit ka 30 vjet që nuk i flas……

3316
0

Memorie.al. sjell dëshminë e rrallë të skulptorit të njohur, Agim Rada, në emisionin e njohur RREFIM në Tv Scan, lidhur me miqësinë e hershme me mikun dhe kolegun e tij, Kristaq Rama, për të cilin flet me simpati dhe e kundërta për të birin, Edin, që dikur e mbante afër… “Asgjë nuk i dua, vetëm të në lejë të punojmë të qetë”, shprehet skulptori rebel për kryeministrin aktual që dikur e kishte idhull Radën dhe në librin e tij “Refleksione”, ka shkruar gjatë për të….?!

Para pak kohësh në emisionin e njohur RREFIM që ka për autor gazetarin Dashnor Kaloçi dhe moderatore Albana Shehu Qirjako, ka qenë i ftuar skulptori i njohur, Agim Rada, i cili është dhe autori i bustit të Mit’hat Frashërit që u vendos në kodrat e liqenit të Tiranës me ceremoni zyrtare dhe që pati një reagim të ashpër nga segmente të majta, etj.

Veç të tjerash në rrëfimin e tij, zoti Rada ka bërë dhe një histori të shkurtër të historisë së tij familjare dhe personale, duke u ndalur edhe në raportet dhe marrëdhëniet që ai ka pasur me mikun e kolegun e tij, skulptorin Kritaq Rama, si dhe të birin e tij, Edin, i cili në vitet ’80-të e ka pasur si idhull Radën dhe në librin e tij “Refleksione” ka shkruar gjatë dhe për të.

Por kjo gjë nuk e ka mikluar aspak Radën, i cili në këtë emision pasi ka treguar rreth miqësisë që ai ka pasur me Edin deri në vitin 1990, është shprehur se që nga ajo kohë e deri më sot, pra plot 30 vjet me rradhë ai nuk e ka takuar fare dhe as nuk ka pirë qoftë dhe një kafe me kryeministrin e sotëm. Për më shumë rreth kësaj, por dhe ngjarje e histori të tjera nga jeta e tij, na njeh intervista që po publikojmë në këtë shkrim e realizuar nga moderatorja, Albana Shehu.

Zoti Rada, ju jeni një artist dhe një skulptor i vjetër me një karrierë të gjatë pune mbi 45-vjeçare dhe veprat tuaja janë të shpërndara dhe të vendosura jo vetëm në qytetin e Tiranës, por dhe në qytete të tjera në të gjithë Shqipërinë. Por ajo që ju bëri edhe më të njohur, ishte kjo vepër, ky bust, i Mit’hat Frashërit, të cilin regjia po na e paraqet dhe po e shikojmë këtu në monitor…

Ju falenderoj që e nisët me këtë punë timen dhe u bë shumë mirë, pasi ishte një eveniment shumë i rëndësishëm ky që ndodhi me ardhjen në Shqipëri të eshtrave të patriotit të madh Mithat Frashëri, e gjithashtu vendosjen e bustit të tij në kodrat e liqenit përkrah vëllezërve Frashëri.

Kjo është një punë e duarve tuaja dhe është bërë në një kohë rekord të themi…dhe është derdhur në bronx një punë e tillë ku çdo detaj duket që është punuar me një dashuri…

Po…në përgjithësi arti ka një sekret po themi apo një specifikë të veçantë, pasi nëse ti mendon që të krijosh një objekt, një punë të bukur, në mos pastë dashuri ndërmjet teje dhe asaj që do krijosh, ajo gjithmonë do dali një gjë fallco, e sipërfaqëshme, një gjë që nuk thotë gjë. Unë kurrë në jetën time nuk kam bërë gjëra që nuk më pëlqejnë dhe që unë nuk do të dua t’i bëj. Nuk kam bërë as në rininë time kur atëhere ishte i detyruar të bëje kështu figura politike, unë jam shmangur që t’i jepja hapësirë shpirtit dhe lirisë time që unë të bëja dhe krijoja atë që dua.

Agim-Rama-Edi-Rama-floke-gjata (4)

 

Do ndalemi përsëri tek kjo vepër e juaja, por po kthehemi pak në kohë në historinë e jetës suaj. Ju keni lindur në Tiranë…

Po, unë kam lindur në Tiranë në vitin 1953 në një shtëpi të vjetër, shtëpi qerpiçi që im atë e bëri vetë pasi doli nga burgu, duke përdorur copa llamarinash, teneqe, tjegulla, ç’të gjente, me shumë vështirësi për të na strehuar ne të vegjlit aty nën atë strehë.

Ju jeni rritur me një fëmijëri shumë problematike, pasi prindërit tuaj kanë hequr një kalvar që ne duhet ta tregojmë…Ja po shikojmë këtë fotografi ku janë dy prindërit tuaj, një zotëri dhe një zonjë mjaft të pashëm të cileve ua dallohet fisnikëria brenda tyre…

Kjo është e vërtetë, pra fëmijëria ime e vështirë, por unë nuk jam nga ata njerëz që sot të marr flamurin dhe të them se jam i persekutuar…! Por me që ishim te pyetja juaj për prindërit, desha të theksoj se pikërisht kjo lloj rrace, u luftuan nga fshatarët të zbritur nga mali. Unë e kam thënë diku se njerzit e bukur, komunizmi i urrente. Unë mbaj mënd në fëmijrinë time dhe më pas se vajzat më të bukura të Tiranës, anatemoheshin dhe përfliteshin deri duke u quajtur prostituta, vetëm e vetëm pse ishin të bukura. Po kështu edhe meshkujt quheshin vagabond, rrugaçë, gangster, etj etj.

Dhe kjo pse laheshin, visheshin bukur, parfumoheshin etj., etj., dhe kjo shkonte kundër ideollogjisë së atij sistemi dhe konsiderohej krim. Por para kësaj, kjo gjë ndodhi me inteligjencën kombëtare, me klerin kombëtar, me të gjithë intelektualët që kishin mbaruar shkollat në Perëndim, që për mendimin tim kanë qenë vetëdija kombëtare. Të gjithë këta u burgosën apo përfunduan internimeve. Në rast se nuk do ndodhte kjo, pra në rasr se nuk do burgoseshin këta dhe do të dëgjohej mendimi i tyre apo i këtij personaliteti që po shohim këtu në ekran, pra Mithat Frashërit, nuk do ishte Shqipëria kështu si është dhe siç mbeti pas Luftës, por do ishte një vënd shumë i zhvilluar.

Kthehemi përsëri tek fëmijria juaj dhe vështirësitë e asaj kohe për shkak të burgosjes së babajt tuaj.

Po, babaj im u burgos me pa të drejtë. Ai ishte antikomunist dhe si i tillë u dënua. Vetëm në Shqipëri ndodhnin dënime dhe burgosje të tilla ku një ndër mijra ishte dhe babai im. Pas burgosjes së babajt, mamanë time e internuan në Berat, pastaj nga Berati në Tepelënë, e kështu me rradhë si mijra e mijra familje shqiptare. Me që jemi në këtë pikë, pra te internimet, te Tepelena që po bëhet zhurmë e madhe këto ditë, përfitoj nga rasti të ndalem pak. Unë kam dëgjuar këta historianët, kështu u thonë se unë nuk mund t’i quajt historian ata.

Se historia nuk mund të quhet profesion, pasi ajo është më shumë kulturë. Dhe ne nuk kemi nevojë për profesionin e këtyre dy tre kokrrave që të na mësojnë ne, duke na shtrembëruar realitetin. Pasi ka ardhur koha që nëse unë dua të di për Pirron e Epirit apo Jul Çezarin, i kam të gjitha mundësitë që ta mësoj se kush kanë qenë ata. Por këta më duket se jo pa qëllim, deformojnë historinë, deformojnë emra etj etj. Nuk e di a më lejohet këtë në këtë emision që të përmënd emra…

Agim-Rama-Edi-Rama-floke-gjata (5)

Po patjetër, nuk kemi asnjë problem…

Po, se shof atë Paskal Milon, shof një Pëllumb Xhufin, ç’janë ca, një Gjeçov quhet, që janë jashtë kohës dhe pa dinjitet. Pasi të shkelësh mbi dhimbjet e të tjerëve dhe të tallesh dhe të përqeshësh ata që u vranë dhe u masakruan për hiç gjë e ta quash Tepelenën, “Kamp pushimi”, kjo minimum nuk është normale. Nuk ja dua të keqen njeriu, por ta kishin provuar prindërit e këtyre që përmënda më lart, ta kishin provuar baltën e Myzeqesë dhe gërxhet e Tepelenës, t’u vdisnin fëmijët në breg të lumit, ta kishin provuar ata, dhe pastaj të flisnin…?! Ata të mos na trumbetojnë vetëm ato të mira që na paska sjëllë ai regjim dhe për këtë që thashë të mos thonë asnjë fjalë.

Po nëna juaj, pse ishte në ato kampe…?

Nëna ime, faji i vetëm i nënës sime që provoi ato kampe të tmerrshme, ishte se bashkëshorti i saj ishte në burg, kaq. Gjë e cila ishte me urdhër nga fqinjët, pra që të pastrohej Shqipëria nga kjo lloj rrace duke i burgosur dhe internuar ata në mënyrë që të mos egzistonte më vetëdije kombëtare. Ai pushtet nuk i donte këta zotnilerët që thashë më lart dhe që kishin mbaruar shkollat në Perëndim, ai pushtet donte ata që zbritën nga malet të palarë, zhul dhe të paditur. E ka përcaktuar bukur Dritëro Agolli te “Krevati Perëndorit’, ku ai partizani me opinga me baltë u shtri në krevatin e Perandorit dhe tha: “Tani jam unë Perandor, pushteti është i imi”. Dhe ashtu qe, pushteti iu dha atyre. Babai im përftoi nga një amnisti e përgjithshme dhe nga dhjetë vjet që u dënua, bëri katër vjet burg politik dhe doli.

A i keni marrë dëmshbërblimet e burgut siç është ligji prej kohësh…?

Apsolutisht jo, asgjë nuk kemi marrë. Shiko, nëna ime është gjallë jeton ende në moshën 97 vjeçare dhe ajo në bazë të ligjit është përfituese e parë, por nuk kemi marrë siç të thashë asgjë. I thonë jo po duhet kjo, jo po duhet ajo, jo ta shikojmë, etj etj.

Të kthehmi tek fëmijria juaj, kur dhe si ju lindi dëshira për të vizatuar?

Kjo gjë ka ndodhur kur unë kam qenë fare i vogël dhe për fat të mirë e kishim shtëpinë ngjitur me Stabilimentin “Mihal Duri” ku kanë qenë barakat e skulptorëve dhe piktorëve. Dhe unë isha i detyruar që të kaloja aty disa herë në ditë dhe teksa i shikoja që ata pikturonin, shkoja dhe unë në shtëpi dhe mundohesha të bëja të nëjtën gjë, por më vinte turp që t’ua tregoja atyre se çfarë dija të bëja. Aty ishte Sali Shijaku, Perikli Çuli, Myrteza Fushekati, Harrilla Dhimo, i ndjeri që kam një respekt të veçantë, pasi prej atij më ndryshoi edhe jeta mua, e shumë të tjerë që më donin dhe më afronin mua pasi si duket shikonin tek unë një fëmijë që premtonte apo e donte atë profesion.

Agim-Rama-Edi-Rama-floke-gjata (2)

A ju afronin ata, ju futeshit në studiot e tyre?

Po, patjetër, më donin dhe më afronin dhe entuziasmoheshin kur shikonin ndonjë vizatim timin apo kur bëja ndonjë skulpturë të vogël me baltë. Dhe më thonin shpesh që të vijoja të vizatoja që të shkoja në shkollë në Lice. Dhe më ndihmoi fati vërtet. Kam pasur një mësuese të shkelqyer, Vangjeli Çomorra, bashkëshortja e shkrimtarit të njohur, Spiro Çomorra. Zysh Vangjelia ka qenë e 8-vjeçares, kurse mësuese të klasës së parë kam pasur Gjinovefa Qirjako, e shkëlqyer, asaj ja dedikoj që shënjoi jetën dhe profesionin tim. (Ajo ishte gruaja e Sotir Qirjakos, një mësues fizikant dhe shahist i madh).

Pra ajo ishte e para që vuri re tek ju talentin për të vizatuar…?

Po ajo, zysh Gjonovefa pasi e pa që unë kisha një farë talenti për të vizatuar, na thoshte para klasës: “Gimi nuk do të na e thotë mësimin e Këndimit me gojë para klasës, por do të na e parqesi me vizatime”. Dhe unë me ato lapsat me ngjyra që m’i jepte po kjo zyshë, i vizatoja dhe ajo kënaqej e më nxirrte para klasës duke më lavdëruar. Dhe unë kisha kënaqsi të madhe.

Po në shkollë si shkuat, kur dihej biografia juaj…?!

Shiko, ne kemi pas një fat që në lagjen tonë kemi pasur të gjithë vëndali dhe asnjë të ardhur. Shkonim shumë mirë me njëri tjetrin të gjitha familjet. Edhe kryetar Fronti kemi pasur një burrë shumë të mirë, një zotni. Vladimir Shanto quhej, ishte vëllai i Vasil Shantos. Dhe prej atij e kam shkollën unë. I tha babai: Si do ta t’ja bëjmë për Gimin? “Mos u mërzit”, i tha ai babës, “do ta rregullojmë se s’bën”. Dhe vërtet, unë shkova e konkurovë në Lice dhe dola shumë mirë. Por kur do filloj shkollën, më ikën dy vëllezër përnjeherë ushtarë. Mendo, ata ishin krah pune atëhere dhe në këto kushte unë u detyrova q ëtë kthehesha natën në shkollë dhe ditën të punoja për me ndihmu familjen dhe veten. Kam bërë punë të ndryshme nga më të rëndat, punë skllavi…

Dhe ishit vetëm 14-15 vjeç…?

Po vetëm 14-15 vjeç dhe kam bërë punë që të gjithë ata që më njofin, pra që i kam pas nëpër punra të ndryshme, e dinë që unë them të vërtetën. Kam punuar në Përpunim Druri, ngarkoja dërrasa, mblidhja tallashin, e kishim afër atë. Pastaj shkova në fabrikë të Tullave te Treshi, në Kamëz, atje shtyja vagona me tulla. Një punë shumë e vështirë, unë isha kalama dhe çizmet më rrinin sipër gjurit. Ato ishin çizme llastiku dhe mbusheshin me ujë dhe me baltë dhe ta kalbnin këmbën, pra ishte më mirë të rrije zbathur se me këmbë në çizmet me ujë. Kisha dhe një pallto ushtarake të vjetër që e kishte pas baba dhe atë vishja dhe e mbërtheja mirë. Kur shkoja ishte mirë se kishte autobus, por kur vija nuk kishte dhe isha i detyruar të kthehesha në këmbë në shtëpi dhe rrugës nga që më dilnin qen përpara, mbaja gjithmonë me vete nga një dru që t’i trembja të mos më hanin.

Agim-Rama-Edi-Rama-floke-gjata (1)