COVID19 – Të drejta universale përkundrejt detyrimeve universale/ Nga Margarita Kola

COVID19 – Të drejta universale përkundrejt detyrimeve universale/ Nga Margarita Kola

462
0

Globalizmi tashmë nuk përbën thjesht një pohim por një realitet që sedërton jetët tona në çdo aspekt të cilin e krijuam duke kontribuar të gjithë. Thënë kështu Pandemia Covid19 jo vetëm që nuk kishte si të mos ishte një epidemi globale por as nuk mund të tejkalohet përveçse me një përqasje globale shumëplanëshe.

Në botën ku jetojmë sot kur shkenca dhe teknologjia krahasimisht me vite mëpare janë më të përparuara se asnjëherë tjetër unë besoj se kjo sfidë e quajtur Pandemia COVID19 do të tejkalohet por ky tejkalim nuk e imunizon njerëzimin nga pandemi të tjera në të ardhmen. Kjo do të thotë që ka ardhur koha që duhet të mendojmë globalisht për parandalimin e epidemive të tilla kur kjo është e mundur më shumë se sa të përpiqemi të zvogelojmë pasojat nga epidemitë e ardhura. Recetat e shërimit duhet të thërrasin në përshkrim do mekanizëm që shëron situatën.

Si juriste me formim të avancuar në të drejtën ndërkombëtare situatën pandemike të COVID19 dhe adresimin e shkaqeve që mund ta kenë shkaktuar dhe si mund të adresohen përgjegjësitë globale natyrisht, do ta analizoj nga ky këndvështrim.

Globalizmi si një realitet kompleks dhe në shtrirje nuk ka diskutim që për jurispudencën ka shtuar  nevojën e ekzistencës  së rregullave të gjithëpranuara ndërkombëtare, rregulla që  do të normonin   marrëdhëniet dinamike dhe komplekse jo vetëm midis shteteve por edhe midis njerëzve dhe shteteve. Ashtu si në të drejtën vendore të kodifikuar, nullum crimen sine lege scripta dhe nullum poena sine lege – “s’ka krim pa ligj të shkruar” dhe “s’ka dënim pa ligj”, janë parime shumë të rëndësishme edhe në të drejtën ndërkombëtare. Thënë këtë dhe duke pasur parasysh po këto aksioma të drejte ,  duhet që sa herë shtrohen çështje  ligjore të juridiksionit ndërkombëtar këto parime detyrojnë adresimin e një referencë të qartë ligjore në të  drejtën ndërkombëtare.

Por pasja e një kornize të qartë dhe efektive ligjore në të drejtën ndërkombëtare natyrisht që nuk do të kishte asnjë vlerë nëse nuk do të kishim dhe garantueset e dhënies së drejtësisë pra gjykatat me juridiksion ndërkombëtar.Në Statutin e Romës që në vitin 1998 janë përcaktuar nocionet e krimeve ndërkombëtare, të cilat bien nën juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare  që do ta ushtronte këtë juridiksion kundër personave që kryejnë krime të rënda.Kjo gjykatë  që prej vitit 2002 është e përhershme dhe krimet që bien nën juridiksionin e kësaj gjykate janë  përcaktuar si  Krimi i gjenocidit, Krimet kundër njerëzimit, Krimet e luftës

dhe Krimet e agresionit  dhe  çdo shtet palë  pra që pranon juridiksionin e kësaj gjykate ka të drejtën të propozoj amendime në lidhje me elementët e krimeve të klasifikuara. Sic operohet në të drejtën ndërkombëtare nëpërmjet fakultetit të pranimit Statuti i  Romës është  votuar nga 120 vende ndërsa 7 vende votuan kundra.

Gjithashtu, si gjykatë ndërkombëtare pranë kombeve të bashkuara kemi tashmë të mirëvendosur, shumë kohë përpara gjykatës ndërkombëtare penale, me juridiksion te qartë lëndor dhe territorial dhe me praktikë ligjore të konsoliduar edhe Gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë e cila pranon të gjykoj nën juridiksionin e vetë mosmarrëveshjet midis shteteve dhe jep opinione këshilluese për çështje të së drejtes ndërkombëtare të referuara nga Kombet e Bashkuara.Në Nenin 36 të statutit të kësaj Gjykate sqarohet se 1) Kompetenca e Gjykatës shtrihet në të gjitha çështjet që do t’i parashtrohen nga palët, si dhe në të gjitha rastet posaçërisht të parashikuara nga Karta e Kombeve të Bashkuara ose nga traktat dhe konventat në fuqi si edhe  2) Shtetet ….. mund të deklarojnë. në çdo kohë, se e njohin si të detyrueshme, me të drejtë të plotë dhe pa konventa të posaçme, përkundrejt çdo shteti tjetër që pranon te njejtin detyrim, juridiksjonin e Gjykatës mbi të gjitha mosmarrëveshjet  me karakter juridik që kanë për objekt: a) interpretimin e nje” traktati;  b) çdo pikë të së drejtës ndërkombëtare; c) realitetin e çdo fakti i cili, po të provohej do të përbente shkeljen e një detyrimi ndërkombëtar; ç) natyrën ose sasinë e reparacionit që duhet dhënë kur prishet një angazhim ndërkombëtar;

Këto ditë Pandemie Covid19 kemi mbidëgjuar për pandeminë e Ebolës, të gripit të pulave, gripit të derrit, influencës etj të cilat na janë sjell në rikujtesë. Shumica e të gjallëve tani  janë dëshmimtar të epidemisë së SARS-it në vitin 2003 po me burim nga Kina e cila shkaktoi kaos,vdekje dhe ngadalësim ekonomik si edhe la një vakum në fushën e kërkimit shkencor sepse pas ndalimit të epidemisë nuk pati më asnjë interes ekonomik për të zhvilluar një vaksinë ose ndonjë protokoll mjekimi për  virusin SARS apo ndonjë angazhim ndërkombëtar për të çuar përpara kërkimin shkencor në këtë fushë.

Çdo analist qoftë i politikës, ekonomisë, sociologjise, artit apo i mjekësisë kanë rënë dakort se përvec rrezikut mjekësor kjo pandemi e shkaktuar nga COVID19 padyshim do të ndikoj në ngadalësimin e zhvillimit global dhe do ndryshoj jetët tona në shumë aspekte.

Shumë shtete dhe organizata të ndodhura të papërgatitur dhe të paqarta për sjelljen e këtij virusi të ri kanë filluar të akuzojnë deri në ngritjen e teorive konspirative se ky virus ose është i krijuar laboratikisht dhe se shtetet, duke aluduar në shumicën e rasteve për Kinën, me qëllim kanë infektuar shtetet e tjera si për shembull USA ose anasjelltas.Këto pandehma po shoqërohen me një ligjërim të vrazhdë politik të cilat mund të përbëjnë rrezik për tu kthyer në tensione destabilizuese. Disa të tjerë kanë guxuar ta quajnë një luftë botërore për tregje ekonomike e cila zhvillohet me armë virulogjike ose si një borxh që duhet t’ia paguajmë tokës për shkatërrimin që i kemi sjell.

Kombinuar situata në fjalë me regjimin juridik ndërkombëtar penal në momentin që ndodh pandemia Covid19 si dhe të gjithë gadishmërinë dhe kuriozitetin njerëzore për të hedhur dritë mbi pandeminë dua të shtroj dy çështje për diskutim.

  1. A ka ardhur momenti që të adresojmë përgjegjësi ligjore ndërkombëtare për pandeminë?
  2. Nëse po, si cilët janë mekanizmat e mundur me anë të së cilëve të kërkojmë këtë përgjegjësi Ligjore në nivel ndërkombëtar?

Në vijim të llogjikës së shtruar për diskutim mësipër , padashur të ndalem tek pseja e këtyre konkluzioneve dhe qëndrimeve në lidhje me situatën pandemike dua të sjell në vëmendje se bota në spiralen e vetë të ndryshimit ka nxitur stadet e veta të zhvillimit qoftë edhe nëpërmjet mësimeve dhe përgjegjësive që ka nxjerr nga katastrofat me të cilat është përplasur.Thënë kjo, debati mbi adresimin e përgjegjësive  ligjore në situata pandemie , nëse ka, do ti shërbente uljes së tensioneve politike , parandalimit të pandemive të tjera nëpërmjet forcimit të masave parandaluese ose shtrënguese dhe  ndryshimit të ligjeve vendore në lidhje me fusha të caktuara që mund të bëhen shkak për përhapjen e epidemive. Për ilustrim, nuk është i ri debati që Kina për shembull duhet të ndryshoj ligjin për tregëtimin e mishit të kafshëve të egra sepse sipas shumë studiuesve këto vende tregëtimi kanë qënë burime të përhapjes së viruseve të njëpasnjëshme ose vendeve si Irani dhe Koreja e Veriut iu është kërkuar të ndalojnë prodhimin e armëve bërthamore përfshi edhe ato biologjike. Pra e thënë ndryshe kërkimi i përgjegjësive ligjore adreson dhe shkakun dhe pasojën e situatave të tilla me ndikim kaq global dhe orienton  drejt diskursin  e parandalimit të tyre.

Por kjo domosdoshmëri e përqasjes ligjore ndaj situatës shoqërohet me një sërë problematikash dhe sfidash që duhet të adresohen brënda vetë fushës së të drejtës ndërkombëtare. Siç ka nënvizuar dhe studiusi G.I. Tunkin  “zhvillimi në rritje i lidhjeve midis shteteve na ka çuar drejt faktit që e drejta ndërkombëtare nuk mund të mbuloj në mënyrë adekuate çdo problem ndërkombëtar që mund të shfaqet në marredheniet midis shteteve” kështu që në këtë kuptim kjo e drejtë ndërkombëtare në nivelin e tanishëm duhet të pasurohet me standarte dhe norma  ndërkombëtare për të orientuar përgjegjësinë ligjore sipas parimeve që sipërpërmenda nullum crimen sine lege scripta dhe nullum poena sine lege – “s’ka krim pa ligj të shkruar” dhe  “s’ka dënim pa ligj. Kjo do të thotë që kemi një pamjaftueshmëri në kornizën ligjore të së drejtës ndërkombëtare për të adresuar fenomene të tilla si ai i pandemisë në fjalë ose të tjera katastrofa që mund të mos jenë vetëm natyrore.

Për juristët kjo do të thotë që mungon baza ligjore për të referuar zgjidhjen ligjore të problemit ashtu siç kemi të përcaktuar materien e krimit te gjenocidit apo krimeve të luftës etj të cilat tashmë janë të përkufizuara si krime ndërkombëtare.Shtrimi i kësaj çështje që ka të bëj me pamundësinë e normave ekzistuese ndërkombëtare në vetvete për situatën pandemike Covid19 ngre tre pyetje doktrinale konkrete: a)Përhapja e qëllimshme e epidemive do të konsiderohet krim ,apo çfarë dhe nëse po b) do  të karakterizohet si krim kundër njerëzimit apo ndonjë lloj krimi tjetër  që bije nën juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale ? apo c)do të karakterizohet si një krim i një natyre tjetër materiale? Nëse është e para dhe e dyta atëherë duhet të riformulohet përkufizimi i krimeve kundër njerëzimit për ta plotësuar atë ku të përfshihen dhe elementët që përkufizojnë situatat pandemike; të zgjerohet me një element të ri të krimit ose të interpretohet norma në praktikë ligjore ndërsa, nëse biem dakort për opsionin e tretë atëherë doktrinarët e jurispudencës duhet të formulojnë  natyrën e këtij krimi me elementët subjektiv dhe objektiv të tij duke marr parasysh trajtat e këtij fenomeni të përsëritur si pjesë e bashkëjetesës shoqërore   të së shkuarës ,së tashmes dhe të ardhmes.

Deri këtu diskutimi është sa teorik dhe po aq praktik  dhe është përpjekje për ti  dhënë përgjigje qëndrimit mbi domosdoshmërinë e adresimit ligjor të një situate pandemike, gjithmonë nëse do të rezultoj se gjëndet  një përgjegjësi e tillë.

Por zhvillimi i së drejtës ndërkombëtare dhe bashkë me të i kornizës ligjore mbështetëse është një “vallëzim” që kërkon kombinimin perfekt të njëkohshëm të dy partnerëve ligjbërjen dhe ligjzbatimin/ligjrealizimin. Ndërsa ligjbërja ka njohur një proces pasurimi  nga mjaft konventa dhe protokolle ndërkombëtare të nxjerra mekanizmat e zbatimit për ligjin ndërkombëtar deri tani mbështeten në parimin “blaming and shaming” pra “fajësim dhe turpërim” mekanizëm ky që ka rezultuar kryesisht i suksesshëm për vendet me shkallë demokracie të konsoliduar dhe fatkeqësisht shumë më pak i suksesshëm për vende me demokraci të brishtë pa marr parasysh shtetet monarkike dhe diktatoriale.

Në këtë aspekt unë ndaj të njëjtin mendim me Lukashuk që thekson se “me qëllim që të përmirësojmë efektivitetin e ligjit ndërkombëtar………një hap vendimtar është për shembull, vendosja në një kategori të veçantë e përgjegjësisë për shkelje serioze të detyrimeve” duke u mbështetur në normat parandaluese  të përgjithshme të së  drejtës ndërkombëtare por derisa kjo të ndodh e vetmja alternativë tash për tash është të përdorim efektivisht mekanizmat ndëshkues dhe detyrues që kemi.

Por shtrimi i pyetjes  nëse duhet të mbahet përgjegjësi ligjore për shkaktimin e pandemive  nuk do të merrte përgjigje shteruese nëse nuk i përgjigjemi patjetër edhe pyetjes së ndërvarur se cilat janë mekanizmat ligjor nëpërmjet së cilëve  kërkohet  kjo përgjegjësi ligjore.

Që në krye të këtij shkrimi jo më kot prezantova lexuesin me juridiksionin e dy gjykatave ndërkombëtare atë të Drejtësise dhe atë Penale. Nëse kjo përgjegjësi do të ishte individuale ose grupore pra subjektet që shkaktojnë pandeminë janë individ ose grupe/organizata dhe kjo përgjegjësi kërkohet si e tillë atëherë sipas mendimit tim duke konsideruar të gjitha parakushtet e ligjit material,pra egzistencën e një norme  që do të referonte sanksionin mbi përgjegjësinë penale atëherë Gjykata Ndërkombëtare Penale do të kishte juridiksionin për ta gjykuar çështjen dhe kësisoj çështja duhet të ngrihet përpara kësaj gjykate.Edhe mekanizmat shtrëngues në këtë  rast do të ishin më të qartë sepse këto mekanizma veprojnë mbi subjekte të caktuara siç janë individët dhe grupet. Në rastin në fjalë nëse flitet për një përgjegjësi të Kinës si shteti nga lindi pandemia sfida me të cilën përballemi është që Kina nuk e ka votuar Statutin e Romës dhe nuk e njeh juridiksionin  e Gjykatës Ndërkombëtare Penale   edhe sikur përgjegjësia të jetë gjegjësisht me grupe dhe individ të lidhur me Kinën. Pra, në terma juridik kjo do të thotë që në mënyrë hipotetika Kina e ka të gjithë mundësinë që  të mos mbaj përgjegjësi nëse ajo provohet.

Çështja ndërlikohet edhe më tepër nëse kjo përgjegjësi do të ketë karakter shtetëror dhe do të kërkohet si e tillë.Nuk ka dyshim që gjykata që vihet në lëvizje në këtë rast duhet të jetë gjykata ndërkombëtare e drejtësisë por edhe në këtë rast nuk shpëtojmë dot nga pyetjet e përgjithshme që ngrihen si; a) ka juridiksion kjo gjykatë të shqyrtoj çështjen kur shteti mbi të cilin kërkohet përgjegjësia nuk e ka njohur juridiksionin e gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë  dhe nëse po b)mbi bazën e çfarë burimi të së drejtës do të shqyrtohet çështja,pra a kemi një normë ligjore ndërkombëtare ose një angazhim ndërkombëtar i cili cek edhe situatat ose fenomenet globale pandemike, pra a kemi konventa,traktate apo ndonjë normë ndërkombëtare që e parashikon përhapjen e qëllimshme apo të pakujdesshme të epidemisë si krim apo si angazhim ndërkombëtar që nuk duhet shkelur? Shtuar kësaj edhe sfidën e mekanizmave zbatues të sanksioneve dhe reparacioneve(dëmshpërblimeve) zgjidhja e përgjegjësisë merr një karakter kompleks,shumëburokratik dhe ndoshta shumë të interpretueshëm.

Si përfundim, për mos të ngelur vetëm në nivel konstatimi, me fjalë të tjera por me të njëjtën llogjikë nëse shtetet që pranojnë juridiksionin e Gjykatës ndërkombëtare Penale do të amendojnë statutin e Romës apo vetë kombet e bashkuara do të inciojnë dhe shpallin një konventë apo traktat të ri për të standartizuar të drejta të cilat cënohen prej përhapjes së pandemive  kjo ngelet në nivel teknik një detyrë që duhet përmbushur për të mirën e përbashkët njerëzore dhe që kërkon vullnete shumëdimensionale të shtrira në kohë. Ajo që është e panegociueshme dhe e dukshme është nevoja që njerëzimi ka që të thirret në përgjegjësi ligjore çdo shtet , organizatë ,grup apo individ i cili shkel angazhime ndërkombëtare të sanksionuara  sipas të drejtës ndërkombëtare si edhe të ndëshkohet nëse provohet kjo përgjegjësi në kuadrin e pandemive apo katastrofave të tjera që na cojnë në kufijtë ndoshta edhe të eksperimentit social.

Dhe që kjo të ndodh duhet së pari që juridiksioni i gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë   po ashtu dhe ai i Gjykatës ndërkombëtare penale të jetë i detyrueshëm ashtu siç është i detyrueshem dhe i përcaktuar juridiksioni i çdo gjykate tjetër vendore pra siç asnjë qytetari të botës nuk i lihet në vullnetin e tij të pranoj ose jo jurdiksionin e një gjykatë juridksioni i së cilës është përcaktuar me ligj  kështu duhet të jetë edhe për shtetet në lidhje  me pranimin e juridiksionit të një gjykate ndërkombëtare dhe paskësaj pasurimi i së drejtës me normat respektive qoftë materiale dhe proceduriale dhe mekanizmat shtrëngues po respektiv do të ishte kuadri i plotë i paketës së jetëzimit  të një përgjegjësie ligjore globale në rast pandemish.Në këtë mënyrë asnjë shtet nuk ka mundësi  të mos pranoj juridiksionin e një gjykate ndërkombëtare me qëllimin për të shmangur përgjegjësinë ligjore.

Covid19 së bashku me pandehmat e tij erdhi si një sfidë kapërcimi i së cilës është në vetvete një kapërcim i botës në një fazë tjetër zhvillimi. E përkthyer në fushën e jurispudencës kjo do të thotë pasurim dhe zhvillim i të drejtës ndërkombëtare me një gjeneratë të shtuar të drejtash kolektive dhe detyrimesh kolektive dhe nevojë për të vënë në lëvizje instrumentat ndërkombëtar të drejtësisë për të mbajtur llogaridhënës dhe të përgjegjshëm çdo subjekt apo shtet që provohet se shkel të drejtën ndërkombëtare. Ligjet kanë karakter shoqëror dhe ndryshimet shoqërore shtrojnë nevojën e ndryshimeve të tyre. Një jetesë globale duhet dhe mund të rregullohet me norma globale.

Nëse Kombet e Bashkuara u krijuan për t’iu garantuar popujve një botë pa luftra dhe në paqe atëherë le të jemi një hap përpara rreziqeve të reja që i kanosen botës sonë të përbashkët në çdo formë që ato vijnë. Në kohën kur kemi ose aspirojmë për të drejta universale duhet të kemi dhe të aspirojmë edhe për detyrime universale.

Rendet e reja nuk jane shpikje te deshires por te nevojes.

Margarita Kola – 30 Mars, 2020 (Copyright Restricted)