Cili je ti Mustafa Nano?/ Nga Rudina Hajdari

Cili je ti Mustafa Nano?/ Nga Rudina Hajdari

716
0

Kush është ky Mustafa Nano për të gjykuar se kujt i ngrihet apo jo statuja? Ky një ish kandidat i dështuar i Partisë Demokratike që zvarritet në dështimin e tij, si në ujërat e gazetarisë ashtu edhe të politikës përmes një sulmi ndaj Azem Hajdarit? Mustafa Nano e fillon sulmin e tij ndaj Azem Hajdarit duke thënë se ”e njoh Azem Hajdarin”. Dëshiroj të theksoj se nuk e kam takuar asnjëherë Mustafa Nanon. Emrin e tij e kam dëgjuar në mënyrë të turbullt derisa u njoha me sulmin e tij të ulët ndaj Azem Hajdarit. Azem Hajdari i dha lirinë Shqipërisë, përmes trimërisë, vetëbesimit, dinjitetit dhe moralit. Mustafa Nano njihet gjerësisht si një bloger ambulant. Sulmi i tij ndaj Azem Hajdarit- publikuar në 28 tetor- shënoi një nivel tjetër të ulët të Mustafa Nanos në turra vrapin e tij mediatik drejt batakut. Mustafa Nano është një “blogger”, i vetëshpallur “analist politik”, i cili tek-tuk shfaqet në ekranet televizive për të dhënë “mendimet” e tij mbi aktualitetin. Konkurrenca për të marrë sa më shumë like është e lartë. Me mijëra artikuj botohen në gazetat, revistat e portalet online dhe blogerët si Nano kërkojnë vëmendje nga audienca. Për të fituar lexueshmëri dhe klikime, Nano përdor disa teknika të veçanta. Ai shkruan për të goditur. Shënjestra e radhës e sulmeve shpifëse dhe të pabaza të tij ishte Azem Hajdari. Fill pas përurimit të shtatores në Tropojë, Mustafa Nano shkroi një artikull se pse Azem Hajdari nuk e meriton një statujë. Qartazi, z.Nano e konsideron veten të kualifikuar për të vendosur se kush e meriton apo jo një statujë. Shqipëria ka nevojë për një media të lirë – të gjithë kanë të drejtë të komentojnë e të flasin për të vërtetën. Media është shtylla e pestë e demokracive funksionuese e ka si mision të përcjellë tek publiku vetëm të vërtetën. Në Mbretërinë e Bashkuar zbatohet vullnetarisht një kod gazetaresk, ku gazetat nuk raportojnë mbi ngjarjet që janë në proces gjyqësor. Gazetat europiane angazhohen për të mbrojtur identitetin e burimeve të tyre- për të ndalur riskun e përndjekjes për ata që kontribuojnë në një artikull. Sisteme të ngjashme ekzistojnë në vendet perëndimore, si Hollandë, Gjermani dhe SHBA. Kur po e diskutoja këtë artikull me gazetarë të mediave ndërkombëtare, përgjigja e tyre ishte paekuivok- një shembull se si të shkruash një artikull për të ofenduar dhe denigruar figurën e një personi dhe nuk është një shkrim për t’u botuar, si nga ana ligjore ashtu edhe nga etika gazetarske. Nuk ja vlen ta njohësh në imtësi lexuesin me punën e Mustafa Nanos, mjafton të klikosh në Google emrin e tij për t’u njohur me masën e disinformimit dhe shpifjes që bartin shkrimet e tij. Kushdo që e lexon, e kupton se nuk është Dickens, Shakespeare, Kadare apo Tolstoi. Ndyshe nga esetë e Graham Grëne, që i karakterizonte personazhet e tij me elegancë apo editorialistët e revistave amerikane si Truman Capote, i cili portretizonte profilin e personaliteteve përmes një analize të pastër, Nano shkruan për të goditur. Mesa duket, artikujt përbaltës janë specialiteti i vetëm i tij. Ai nuk do të fitojë ndonjë çmim ndërkombëtar në gazetari për këtë dhe kjo shpjegon se pse shkruan në mënyrë kaq disinformuese. Gazetarët britanikë i konsiderojnë këto artikuj të Nanos si “gazetari për faturat e dritave”.

 

I shpërdoruar politikisht në oborrin e të majtës dhe i braktisur në qoshkun e harresës së publikut, Mustafa Nano bluan një sërë mizerish. Me ingredientë të urrejtjes nda vendit te tij, ai “pudrosi” opinionin publik me pluhurin e intolerancës fetare. Filloi të sulmonte librat e shenjtë të Biblës dhe Kuranit, merrte fraza nga wikipedia dhe i përdridhte sipas oreksit të tij për të sulmuar një nga virtytet më të mëdha të shqiptarëve, tolerancën fetare.

 

Si një kasnec përbaltosës, i injoruar nga publiku, ai filloi të merrej me figurën kombëtare e ndërkombëtare të Skënderbeut, duke përdorur citate nga qarqet e errëta serbe për të çmontuar figurën e Skëndërbeut nga origjinaliteti i të qenit shqiptar.

 

Me një publicitet të pakët në media, i hidhuri Nano duket xheloz. Ai është i pafuqishëm dhe kapi rastin për të shpërthyer xhelozinë e tij ndaj atyre që e adhurojnë Azem Hajdarin. Në vend që të shprehte sado pak mirënjohje për lirinë që i dha Shqipërisë, Nano bën çmos për ta ofenduar.

 

E ndërsa Shqipëria ka një sërë problemesh, një nga arritjet më të mëdha të vendit është të paturit e një sistemi politik që s’i le hapësirë platformave ekstreme të djathta apo të majta. Por, Nano bën përjashtim.

 

Ai është nga ata që abuzojnë moralisht dhe ofendojnë për të tërhequr vëmendjen. Shtatoret përfaqësojnë një histori të gëzueshme në historinë tonë të dhimbshme.

 

Nano u angazhua për ta prishur këtë moment-mbase për shkak se puna e tij do të përfundojë në gjirizet e Google-it.

 

Sot atij mund ti duket vetja i njohur, por nesër do të harrohet ndërsa Azem Hajdari do të jetojë përgjithmonë.