Çfarë ndodh nga tani deri më 20 janar 2021, me presidentin e...

Çfarë ndodh nga tani deri më 20 janar 2021, me presidentin e ri?

404
0

Nga Martin Belam

 

Kur amerikanë votojnë për një kandidat presidencial, ata në fakt votojnë për votuesit e mëdhenj të shtetit të tyre, ose delegatët. Në shumicën e rasteve, ata zotohen të mbështesin kandidatin e zgjedhur nga qytetarët që votuan. Numri i votuesve, është i barabartë me numrin e votave elektorale që ka çdo shtet.

 

Më 8 dhjetor 2020, është afati i fundit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore në nivelin shtetëror. Deri në këtë datë, duhet të kenë përfunduar të gjitha rinumërimet e votave në nivel shtetëror, por edhe të jenë zgjidhur mosmarrëveshjet mbi rezultateve të zgjedhjeve presidenciale.

 

Më pas 14 dhjetor 2020, zgjedhësit elektoralë votojnë me fletë votimi në kryeqytetet e tyre shtetërore. Dhe e njëjta gjë vlen edhe për Distriktin e Kolumbias, ku ndodhet qeveria amerikane, por që nuk është një shtet.

 

Tridhjetë e tre shtete dhe Distrikti i Kolumbias, kanë ligje apo rregullore partiake që i kërkojnë votuesve të mëdhenj të votojnë në respekt të votës popullore të shtetit nga vijnë.

 

Në disa shtete, delegatët mund të zëvendësohen apo ndëshkohen kur nuk e respektojnë këtë linjë.

 

Një votues elektoral, që nuk voton bazuar në votën popullore të shtetit, njihet në zhargon si një “zgjedhës i pa besë”. Votat për presidentin dhe zëvendëspresidentin numërohen, dhe votuesit nënshkruajnë 6 “certifikata votimi”.

 

Këto certifikata, së bashku me dokumentet e tjera zyrtare, u dërgohen me postë zyrtarëve të ndryshëm, përfshirë kreut të senatit. Më datën 23 dhjetor 2020, certifikatat duhet t’u dorëzohen zyrtarëve të caktuar. Ndërkaq, më 6 janar 2021, Kongresi dhe senati mblidhen në një seancë të përbashkët për të numëruar votat elektorale.

 

Në rast se një prej kandidatëve ka marrë 270 ose më shumë vota nga votuesit e mëdhenj, kreu i Senatit, aktualisht zëvendëspresidenti Majk Pens, shpall rezultatin. Nëse asnjëri prej kandidatëve presidencialë nuk merr të paktën 270 vota, Kongresi mund të vendosë se cilin kandidat do të zgjedhë, bazuar në Amendamentin 12 të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Kjo nuk do të ndodhë në vitin 2021, pasi Xho Bajden do ta kapërcejë lehtësisht kufirin e 270 votave.

 

Në ditën e inaugurimit, 20 janar 2021, presidenti në ikje e mirëpret në Shtëpinë e Bardhë presidentin e zgjedhur. Pastaj, në një ceremoni që ndiqet tradicionalisht nga të gjithë ish-presidentët që janë ende gjallë, presidenti i ri bën betimin në detyrë dhe merr zyrtarisht detyrën.

 

Ky betim kryesohet nga presidenti i Gjykatës së Lartë, që aktualisht është Xhon Roberts.

 

Edhe pse fituesi i zgjedhjeve “u shpall” Bajden, numërimi i votave vazhdon. Bajden ka më shumë se 45.700 vota në Pensilvani, dhe gati 34.300 në Nevada.

 

Këto shtete, i japin 26 vota elektorale. Sfida është shumë më e ngushtë në Xhorxhia, që tashmë ka njoftuar se do të vazhdojë me një rinumërimin e votave. Në këtë shtet, Bajden ka një avantazh prej më pak  10 mijë votash. Por rinumërimi nuk ka gjasa që të ndryshojë rezultatin.

 

Në 20 vitet e kaluara, në 5.778 zgjedhje shtetërore të mbajtura në Shtetet e Bashkuara, ka pasur vetëm 31 rinumërime. Vetëm në 3 raste ka ndryshuar rezultati përfundimtar. Por në secilin nga këto raste, diferenca ishte vetëm midis 239-440 vota.

 

Avantazhi aktual i Bajden është i vogël, por gjithsesi shumë më i gjerë. Në të tria shtetet, votat për Bajden u rritën ndjeshëm kur më 4 nëntor nisi numërimi i votave me postë. Në Arizona, avantazhi i presidentit të zgjedhur është vetëm 18.713 vota, nga një total prej gati 3.3 milion votash. Kandidati i partisë libertariane Xho Jorgensen, ka marrë deri më tani 49.366 vota. Nëse ata që votuan për të, do ta kishin hedhur votën pro Donald Trumpit, shteti do të kishte mbetur në duart e republikanëve.

 

Drejtuesit e fushatës së Trump, thanë më 7 nëntor se kanë depozituar një ankesë në Arizona, duke pretenduar se qarku më i populluar i shtetit, i ka refuzuar gabimisht votat e disa votuesve.

 

Ankesa u depozitua në Gjykatën Superiore të Qarkut Marikopa, dhe ndihmësit e Trump thonë se pjesëtarë të administratës zgjedhore, u thanë disa votuesve të shtypnin butonin e dërgimit të votës gjatë votimit elektronik, edhe pse makineria zbuloi një “mbivotim” . (Pra pasi është votuar për shumë opsione në dispozicion), duke e anuluar kësisoj votimin.

 

Sipas bashkëpunëtorëve të Trump, ky vendim nuk mori parasysh vullnetin real të votuesve, dhe ankesa e paraqitur thotë se ato vota mund të dëshmonin të ishin “vendimtare” në rezultatin e garës presidenciale. / “The Guardian” – Bota.al