Buxheti i Tiranës 2018/ Sa do paguani për taksën e pronës, parkimin,...

Buxheti i Tiranës 2018/ Sa do paguani për taksën e pronës, parkimin, hapësirën

584
0

TIRANE- Bashkia e Tiranës ka hartuar projekbuxhetin për kryeqytetin për vitin e ardhshëm, i cili do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 21 dhjetor. Në total, Bashkia planifikon që të ardhurat nga taksat e tarifat të arrijnë në 13 miliardë lekë, apo rreth 96 milionë euro, më një rritje prej 9.4% me bazë vjetore. Duke përfshirë dhe transfertat e pakushtëzuara nga buxheti qendror dhe fondet e mbartuara, buxheti i Tiranës në total parashikohet të arrijë në një nivel rekord prej 16.3 miliardë lekë (120 milionë euro), me një rritje prej gati 11% me bazë vjetore.

 

Rekord nga taksa e ndërtimeve

Peshën kryesore në të ardhurat e veta të Bashkisë Tiranë në 2018-n parashikohet ta ketë taksa e ndikimit në infrastrukturë, nga e cila pritet të mblidhen 3.2 miliardë lekë (24 milionë euro), me rritje prej 18.5% me bazë vjetore. Taksa që bizneset paguajnë kur marrin leje ndërtimi, e cila prej vitit të kaluar u rrit në 8% të vlerës së shitjes, pritet të sjellë 25% të të ardhurave të veta të Bashkisë. 2018-a është viti kur pritet të kulmojnë ndërtimet në kryeqytet, ndërsa në 2019 dhe 2020 pritet që të ardhurat nga infrastruktura të ulen përkatësisht në 2.7 dhe 2.5 miliardë lekë.

 

Dyfishohen e më pas katërfishohen taksat që familjarët do paguajnë për pronën

Zëri i dytë që sjell më shumë të ardhura është taksa mbi pasurinë e paluajtshme, të ardhurat nga e cila pritet të shënojnë një rritje të ndjeshme me 37%, për të arritur në 2.5 miliardë lekë. Familjet do të paguajnë 510 milionë lekë, dyfish në krahasim me një vit më parë, si rrjedhojë e rishikimit të formulës së taksës së pronës, mbi bazën e vlerës. “Me ndryshimet e fundit ligjore, të cilat marrin efekte nga data 1 Prill e vitit 2018, taksa e ndërtesës do të marrë një tjetër vlerësim, duke u mbështetur tek vlera e banesave dhe % e caktuar për masën e taksës si për banesat dhe objektet e biznesit. Për këtë qëllim, në bashkepunim me institucionet qendrore por jo vetëm, ka filluar ngritja e bazës së të dhënave për krijimin e kadastrës fiskale si informacion vendimtar për përllogaritjen dhe mbledhjen e të ardhurave”, thuhet në relacionin e Bashkisë. Në 2019-n, pagesa e familjarëve për taksën e pronës pritet të rritet edhe më tej, duke arritur në 850 milionë lekë (6.2 milionë euro), ose gati 4 herë më shumë se shuma që pritet të paguhet në vitin 2017.

 

Edhe bizneset do të paguajnë 2 miliardë lekë si taksa prone, me një rritje prej 25% në krahasim me vitin e kaluar. Fatura do rëndohet sërish në 2019 dhe 2020, përkatësisht në 2.2 dhe 2.3 miliardë lekë.

 

Parkimi, 3.3 milionë euro

A e dini se për të parkuar në Tiranë qytetarët shpenzojnë rreth 3 milionë euro në vit. Sipas buxhetit të Bashkisë, shuma e pritshme për t’u arkëtuar në 2017-n është gati 300 milionë lekë, që është më e lartë sesa ajo që do paguajë familjarët për pronën po përgjatë këtij viti. Parashikimi për vitin 2018 është që të ardhurat nga tarifa e parkimit të arrijnë në 450 milionë lekë (3.3 milionë euro). Në vitin 2015, të ardhurat nga parkimi ishin vetëm 71 milionë lekë. “Arkëtimi i tarifës së parkimit ka një rritje të dukshme, si rrjedhojë e riorganizimit të strukturave, mënyrës së arkëtimit dhe evidentimit në kohë të përdoruesve të parkimit në rrugët me pagesë por dhe në sheshet e miratuara për parkim”, thuhet në relacionin e Bashkisë.

 

Taksa e arsimit

Nga taksa e përkohëshme per infrastrukturen Arsimore pritet të arkëtohen 892 milionë lekë, me një rritje të lehtë prej 1.2% me bazë vjetore. Gati 40% e kësaj shume do të paguhet nga familjarët dhe pjesa tjetër nga bizneset. Të ardhurat nga kjo taksë e përkohshme do të përdoren për projekrin e ri të ndërtimit të 19 shkollave të reja, thotë Bashkia në relacion.

 

Më pak nga tarifa për zënien e hapësirës

Të ardhurat nga tarifa për zënien e hapësirës pritet të vijnë në ulje, pas rritjes së ndjeshme që pësuan dy vitet e mëparshme. Ky zë pritet të jetë 490 milionë lekë, me një ulje prej gati 20%. Me rënie prej 10.5% janë dhe të ardhurat që pritet të mblidhen nga tarifa e pastrimit, që parashikohen në 2.1 miliardë lekë.

 

SI DO SHPENZOHEN PARATE

Rritja e të ardhurave i mundëson Bashkisë që të shpenzojë më shumë për investime për kryeqytetin. Për vitin 2018 fondi total për shpenzime kapitale është 6.9 miliardë lekë ose 43% ndaj totalit të shpenzimeve, me një rritje prej 12% me bazë vjetore. Për vitet 2019 dhe 2020, buxheti i investimeve parashikohet në ulje, përkatësisht në 5.9 dhe 5.8 miliardë lekë.

 

Sipas relacionit të Bashkisë në vitin 2018 do të vazhdojë puna për ndërtimin e shkollave të reja dhe rehabilitimin e atyre ekzistuese, pyllin orbital, rrjetin minimal të biçikletave, rehabilitimin e lumit të Lanës, ndërhyrjet në infrastrukturën e qytetit dhe rehabilitimin e hapësirave publike, zgjerimin e bulevardit.

 

Lidhur me Bulevardin e ri, Bashkia thotë në relacion se momentalisht ka përfunduar ndërtimi i Parkimi Nëntokësor si dhe ndërtimi i segmentit të parë nga km 0+000 deri në km 0+400, të cilat janë duke u shfrytëzuar nga qytetarët e Tiranës. Ndërtimi i Parkimit Nëntokësor i ka shtuar qytetit të Tiranës rreth 305 vendparkime të reja, të cilat po menaxhohen nga Bashkia Tiranë. Gjithashtu është punuar në segmentin e dytë nga km 0+400 deri km 0+800 ku me përfundimin e shtresave asfaltike do të bëhet dhe hapja së shpejti e këtij segmenti për qytetarët e Tiranës. Po vazhdojnë punimet në segmentin e tretë nga km 0+800 deri në km 1+250 ku ka përfunduar rreth 80% e punimeve të ndërtimit. Projekti i “Ndërtimit të Bulevardit Verior të Tiranës” parashikohet të përfundojë brenda vitit 2018. Bashkia Tiranë, në bashkëpunim me Fondin e Abu Dhabit, ka rishikuar projektin e Bulevardit, duke prezantuar dhe projektin e ri për Parkun Qendror të Tiranës, i cili nuk ishte i parashikuar në projektin e vjetër.

 

Ndër të tjera, Plani i ri i Pergjithshem Vendor i Tiranës parasheh një qytet me 5 qendra të reja urbane në Kombinat, Kinostudio, Laprakë, tek Bulevardi i ri si dhe në Shkozë, thuhet në relacion.

 

Janë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme për të filluar punën në vitin 2018 për ndërtimin e dy termialeve të rinj të transportit, Terminali Jug-Lindor i Tiranës, cili parashikohet të përballojë fluksin e autobusëve dhe furgonëve që hyjnë në Tiranë nga rr. e Elbasanit, përkatësisht autobusët që vijnë nga Korça, Pogradeci, Librazhdi, Përrenjasi dhe Elbasani si edhe autobusët që vijnë nga Maqedonia dhe Terminali tjetër, i cili parashikohet të përballojë fluksin e autobusëve dhe furgonëve që hyjnë në Tiranë nga qytetet jugore, veriore dhe veri-lindore.

 

Bashkia ka projekte edhe për rehabilitimin e Kopshtit Zoologjik, Piramidës, nxitjen e punësimit, fuqizimin e grave, ndihmës sociale, nxitjen e të rinjve drejt profesionit etj.

 

Një tjetër projekt është “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, me një fond prej 35 milionë lekësh, që parashikon pilotimin e ushqimit në shkolla të fillojë me shërbimin katering në 4 shkolla “Ardian Klosi” (ushqimi të financohet 100% nga Bashkia e Tiranës dhe të ofrohet shërbimi pas shkolle për të gjithë fëmijët); në shkollën e re 9- vjecare “Betim Muca”, (ushqimi të merret me vete nga fëmijët dhe të ofrohet shërbimi pas shkolle për të gjithë fëmijët); Në shkollën 9- vjecare “Hasan Tahsim” (ushqimi të financohet pjesërisht nga prindi në masën 50 % dhe 50% nga Bashkia Tiranë si dhe të ofrohet shërbimi pas shkolle për të gjithë fëmijët); Në shkollën 9- vjecare “Shkolla e Kuqe”, (ushqimi të financohet nga prindi në masën 100 % si dhe të ofrohet shërbimi pas shkolle për të gjithë fëmijët). Gjatë zbatimit të këtij projekti pilot do të financohet nga Bashkia Tiranë ushqimi katering për të gjithë nxënësit që vijnë nga familje të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike në të 3 shkollat ku do ofrohet ushimi me katering./monitor/