Bojkotoni Robert Berishën, maskilisti tipik shqiptar që kërkon ‘mama’, e jo grua

Në fakt, nuk duam të zgjatemi në argumente, por na bën përshtypje sesi Roberti, një burrë që ka prej vitesh një grua si Nora Istrefi, pretendon se gruaja duhet të jetë  një lloj mamaje me dashuri të pakushtëzuar

 

Robert Berisha, burri i Nora Istrefit (hmmm, po, burri i Norës, kështu njihet Roberti, paçka se mund t’i duket e pakëndshme), nuk na habiti fare. Jo sepse jemi mësuar me maskilistat e thekur shqiptarë e ballkanas, që e matin burrërinë me numrin e flirteve dhe jargavitjeve virtuale e reale, por sepse në një shoqëri të mbyllur si kjo e jona, maskilizimi luftohet, por jo se është i panjohur nga vajzat e gratë. Termat seksistë që i hasim sapo hyjmë në një zyrë, kur përballemi me një burrë në karrierë, “ja ajo vajza e bukur”, e jo “ja ajo vajza e zgjuar”, pikë së pari, e kanë zanafillën nga mënyra si gratë dhe vajzat duan të trajtohen. Por kjo është një temë e gjerë, dhe mënyrën sesi gratë apo vajzat duan t’a trajtojnë vetë veten, e ka secili në dorë. Sot, do merremi me Robertin, burrin e Norës, jo si burri i Norës, por me Robertin e frustruar (të sikletosur e kompleksuar), që dha leksione dje në “Prive” për tradhtinë e për dashnoret. (Uffff mo, Robert na skuqe sapo dëgjuam atë që the).

 

Duke iu drejtuar kameras, këngëtari me një ngërdheshje në fytyrë, qetësisht i bëri thirrje të gjitha grave që po e ndjekin intervistën që të sillen mirë dhe të jenë të pëlqyeshme me burrat e tyre, të mos bëjnë gabime sepse sipas Robertit, gabimet e tyre shtojnë edhe numrin e dashnoreve për burrat.

 

“Rrisni fëmijët, shkoni me pushime, hani, pini, rrijini gati dhe ndoshta ai nuk e rrit numrin e dashnoreve. Sa më shumë gabime bëni tek shtëpia, rritet numri i dashnoreve. Ose ia zvogëloni numrin, ose ia hiqni fare. Të gjitha, varen prej jush. Ky ishte mesazhi im për gratë”, tha Roberti.

 

Pse ngjall neveri deklarata e Robertit?

 

Në fakt, nuk duam të zgjatemi në argumente, por na bën përshtypje sesi Roberti, një burrë që ka prej vitesh një grua si Nora Istrefi, pretendon se gruaja duhet të jetë  një lloj mamaje me dashuri të pakushtëzuar.

 

 

Përtej dokrrave të feminizmit se gratë janë më të mira se burrat, e magjike, e ku ta dimë ne se çfarë tjetër, Roberti duhet të kuptojë bashkë me shokët e tij, që ka shumë që gratë nuk janë shërbëtore. Se nëse thua “rrit fëmijë”, “ha”, ti mund të hash edhe vetë Robert, s’ka ç’të duhet gruaja, (a thua se gratë e mbajnë bukën me vete tek çanta).

 

Pak më larg se Roberti, përtej Adriatikut, Amadeus u detyrua të kërkonte ndjesë për etiketimin seksist që i bëri partneres së yllit të motoçiklizmit, Valentino Rossi, Franceska Sofia Novello. Amadeus, që e kishte përzgjedhur Franceskën në prezantimin e SanRemos, tha se shkaku pse ajo ishte aty ishte “sepse është e bukur dhe mund të qëndrojë krah një burri kaq të fortë si Rossi”. Deklarata seksiste i kushtoi një dëmtim të rëndë të imazhit të Amadeus, që kërkoi falje, pa u mbyllur java. “Më vjen keq që deklarata ime u keqinterpretua. Unë nuk u kuptova”– i tha Amadeus agjensisë ANSA.

 

Problemi me burrat si Amadeus dhe Roberti, nuk zgjidhet kollaj, por marrë shkas nga shembulli italian, një periudhë bojkoti bukuroshit muskuloz nga Prishtina do t’i bënte mirë. Kështu, pa dalë më në asnjë intervistë derisa Roberti të kërkojë ndjesë për mijëra gra në Shqipëri dhe Kosovë, që përballen me dhunën dhe maskilizmin e burrave, do të ishte një zgjidhje.

 

Burrat që pretendojnë se kanë influencë duhet të mendohen mirë për broçkullat që nxjerrin nga goja. E meqë “plumbi del me plumb”, kemi një këshillë për Robertin. Robert, qendro disa ditë në shtëpi, ha, pi, rrit fëmijët, se nga ty varet e kupton? Partneri, Robert, nuk është lavatriçe që vjen dikush e ta merr tek shtëpia. As lavaman, që po nuk e pastrove zë ndryshk. Humanët, qendrojnë me njëri-tjetrin kur duan, bëjnë seks me njëri-tjetrin kur duan. S’mundet që dështimet personale në lidhjet tona, t’ja veshim shoqërisë, se pastaj ç’u kuptua Robert… Meqë ra llafi, nga ana jonë, një mendim, mund të kesh dashnore sa të duash, s’ka pse të të brejë ndërgjegjia…

Author: vizional