Besnik Mustafaj kërkoi largimin e Bashës, zbardh bisedën me Bashen

Besnik Mustafaj kërkoi largimin e Bashës, zbardh bisedën me Bashen

635
0

Demokrati Besnik Mustafaj, ish-ministër i Jashtëm i larguar nga skena politike prej vitesh, ka reaguar ashpër mëngjesin e sotëm, duke kërkuar largimin e Bashës nga drejtimi i PD për shkak të rezultatit të keq në zgjedhje. Pasi ka bërë një shkrim, Mustafaj ka shkuar në studion e News 24 ku ndër të tjera ka zbardhur edhe një telefonatë që ka pasur mëngjesin e sotëm me liderin demokrat Lulzim Basha. Mustafaj: Shkrimin e kam bërë në 06:00 nga shtëpia ime pasi pashë se në kutitë e parë, PD ishte në humbje të madhe. Kërkova që Basha të japë sot dorëheqjen dhe ti hapë garën zgjedhjet në PD. Më pas ai më telefonoi dhe ishte i shqetësuar. Më tha se në këtë moment duhet të bëjmë kujdes të mos dekurajojmë numëruesit e PD nëpër qendrat e numërimit.

Shkrimi i plotë i Besnik Mustafajt

Zgjedhjet e radhës për në Kuvendin e Shqipërisë përfunduan. Numërimi i votave vazhdon. Dalja e rezultatit përfundimtar do të vonojë edhe pak, me siguri. Por të dhënat, që tregojnë se opozita ka humbur rëndë janë të mjaftueshme. Veçanërisht dramatike kjo humbje paraqitet për Partinë Demokratike e cila, me gjasa, e ka thelluar fundosjen që pësoi katër vjet më pare. Në rastin më të mirë, mbetet aty ku ka qenë, në fund të posit. Do të dalin shumë veta sot e në ditët në vazhdim, që do të shpallin se kjo humbje ishte e e pritshme dhe se ata e kanë parashikuar dhe paralajmëruar me kohë. Në gjendjen e sotme, kjo lloj largpamesie nuk ka më asnjë rëndësi. Siç nuk ka asnjë rendësi që ne demokratët t’i biem kokës me grushte e të vajtojmë disfatën. E rëndësishme është që Partia Demokratike, si trupa më jetëdhënëse politike e Shqipërisë, të dëshmojë se zemra dhe truri i saj nuk kanë vdekur. Pa humbur asnjë minute, ajo duhet të mbledhë veten dhe të shohë përpara, drejt zgjedhjeve për pushtetin vendor, që janë pas dy vjetësh dhe ato parlamentare pas katër vjetësh. Ne demokratët, të gjithë, pa asnjë përjashtim, të vjetër e të rinj, duhet të shtrëngojmë dhëmbët për të mbytur dhimbjen dhe të gjejmë forcë te vetja për ta ringjallur Partinë Demokratike, të cilës në zgjedhjet e kësaj here nuk ia pamë as fytyrën në skenat ku fliste për veten e tij kryetari ynë Lulzim Basha. Të gjitha shenjat tona dalluese, me të cilat ne demokratët jemi paraqitur para shqiptarëve qysh në dhjetor 1990 për t’u ushqyer atyre ëndrrën dhe besimin te liria, demokracia dhe barazia e shanseve ishin fshirë për t’i lënë vendin një sajimi të muajve të fundit: “ Republika e re”. Ky ishte sajimi origjinal i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Nuk është hera e parë gjatë këtyre 26 vjetëve që ne demokratët humbim në zgjedhje. Por dështimi i “Republikës së re” është mirëfilli i turpshëm. Dhe është i tillë personalisht për Lulzim Bashën. Prandaj edhe shkundja e Partisë Demokratike duhet të fillojë nga dorëheqja e tij e menjëhershme nga të gjitha funksionet drejtuese në Partinë Demokratike. Do të ishte në nderin e tij që ai ta kryente këtë veprim qysh sot për veten e tij. Ai nuk ka më asnjë të drejtë të flasë në emër tonë. Lulzim Basha është drejtpërdrejtë përgjegjës pse ne demokratët jemi sot kokulur para kombit për pushtetin e pakufizuar që mori një njeri i rrezikshëm për Shqipërinë si Edi Rama me tarafin e tij.

Bashkë me dorëheqjen, Lulzim Basha, në përputhje me kompetencat statutore që i ka ende, duhet të shpallë edhe fushatën zgjedhore për kryetarin e ri të Partisë sipas parimit të vendosur tashmë një anëtar – një votë. Drejtimi i partisë për këtë periudhë zgjedhore duhet t’i kalojë Sekretarit të Pergjithshëm ose një strukture të posaçme, e cila të udhëheqë këtë proces zgjedhor me ndershmëri dhe paanësi ndaj atyre, që do të përfshihen në garë. Lulzim Basha nuk duhet të ketë në dorë asgjë më shumë nga çdonjëri prej antarve të thjeshtë të Partisë. Përndryshe, unë për veten time kam frikë se ai do të përpiqet ta prishë garën me ndërhyrjet e tij. Unë për veten time nuk besoj më se ai do t’i vendose interest e Partisë mbi interest e veta për pushtet. Gara duhet të jetë e vërtetë dhe plotësisht e hapur për të gjithë antarësine demokrate. Kjo garë duhet te jetë thellësisht transparente për mbarë opinionin publik shqiptar. Unë shpresoj sinqerisht se do të shohim qysh sot emrat e parë të kandidatëve. Gara duhet të ketë gjithashtu një kohë të mjaftueshme, me qëllim që ne, demokratët, t’i njohim mirë cilësitë e kandidatëve, t’i shohim ata nga afër dhe në debate të hapura dhe konstruktive me njëri – tjetrin, të krahasojmë alternativat e tyre për drejtimin e Partisë dhe të bindemi për të zgjedhur atë që do të jetë vërtet më i miri për nga integriteti, më i dituri në familjen tonë politike të qendrës së djathtë, më i vendosuri për t’i bërë ballë një kundërshtari arrogant, të korruptuar deri në palcë dhe shtypës si Edi Rama. Nga secili prej ne demokratëve kërkohet kësaj here një pjekuri e veçantë. Do të vendosim për fatin e Partisë Demokratike. Do të vendosim fatin e opozitës, ku mishërohet në fakt fati i demokracisë tonë. Tashmë e dimë se Edi Rama do një opozitë, të cilën ta tërheqë për hunde, për ta patur fasadë, siç bëri me Lulzim Bashën në marrëveshjen e fundit. Ne e kemi detyrë historike ta shmangim këtë mynxyrë. Forumi Rinor i Partisë Demokratike është e vetmja strukturë politike në Shqipëri, e cila ka zhvilluar në këto 26 vjet zgjedhje të brendshme përmes një gare dinjitoze e në standartet demokratike europiane. Ky rast përbën pa dyshim një përvojë të çmuar për vetë Partinë Demokratike, të cilën kjo parti nuk duhet ta asgjësojë, pavarësisht gabimit të rëndë që bëri Basha duke e përjashtuar rininë demokrate nga kandidimi për në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë. Unë do të dëshirojë shumë që FRPD të merrte një përgjegjësi të posaçme në zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë. Kam parasysh këtu administrimin e procesit zgedhor. Pavarësisht për cilin kandidat do të votonte çdonjëri individualisht , kam besim të madh se të rinjt demokratë do të tregohen seriozë dhe parimorë sidomos në fazën më delikate të këtij procesi, që është numërimi i votave dhe nxjerrja e rezultatit. Ata do të na japim një mësim të mirë edhe ne “senjorëve”, që nuk kemi arritur ende të kryejmë me nder një punë të tillë. Është rasti t’i drejtohem personalisht edhe Sali Berishës. Ne kemi nevojë që ai ta luajë rolin e vet duke mbështetur haptas dhe me parimësi dorëheqjen e Lulzim Bashës dhe çeljen e garës për kryetarin e ri. Duke mbështetur një garë të hapur dhe të ndershme brenda Partisë e cila, në njëfarë mënyre, është e gjithë jeta e tij si politikan, Berisha do t’i bëjë kësaj partie shërbimin, për të cilin ajo ka nevojë. Kësaj here, ndryshe nga katër vitet më parë, parapëlqimin e tij Berisha duhet ta shprehë vetëm me votën e vet të fshehtë. Berisha është i vetmi personalitet demokrat, që me figurën e tij ndikuese, mund ta prishë garën duke e zhballancuar atë. Unë kam besim se kësaj here do të shfaqet Berisha i dikurshëm, siç e kam njohur e çmuar kur punoja për të, duke vënë interesat e Partisë Demokratike përmbi preferencat e tij personale. Unë jam i bindur se Berisha e bën më mirë se cilido nga ne diagnostikimin e lëngatës së Partisë Demokratike. Fëmijët tanë janë tashmë në moshën që kishim ne kur themeluam Partinë Demokratike dhe i hapëm Shqipërisë horizontin e ri. Ne kemi detyrë t’u lëmë këtyre fëmijëve një Parti të shëndetshme. Apo jo, Sali?

Shperndaje