Basha: Para dy ditësh Rama udhëtoi me ‘charter’ luksoz që do 150...

Basha: Para dy ditësh Rama udhëtoi me ‘charter’ luksoz që do 150 mijë € karburant! ‘Bosët’ e inceneratorëve në kërkim ndërkombëtar, qeveria paguan skenat e krimit

332
0

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi ashpër kryeministrin Edi Rama, teksa tha nga foltorja e Kuvendit se para dy ditësh ka udhëtuar në një vend të BE-së me një charter luksoz, që sipas kryedemokratit, vetëm karburant do 150 mijë euro.

Me tone të ashpra, Basha tha se java që lamë pas ishte e mbushur me skandale, që sipas tij, në një vend normal do të trondisin qeverinë, madje do ta rrëzonin atë.

Duke u ndalur tek afera e inceneratorëve, që për kryedemokratin është afera e shekullit, Basha deklaroi se ndonëse dje janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dy pjesëtarë të kësaj afere, qeveria vazhdon të paguajë skenat e krimit.

“Dua ta nis me pyetje retorike, si ka mundësi që në seancën e javës, të ngarkuar me vendime të sjella nga vetë qeveria, në një javë të mbushur me skandale, që do të trondisin e do të rrëzonin qeverinë normale në vende normale, këtu nuk ndodhet as 1/3 e deputetëve? Ku është kryeministri? E dimë që para dy ditësh shkoi e erdhi me charter privat, duke harxhuar 120 apo 150 mijë euro karburant. Shkon e vjen me një charter luksoz, ku vetëm karburanti kushton minimumi 150 mijë euro. Dhe kur vjen puna për t’u përballur me shqiptarët, nuk e dimë ku është. Me cilin vend të Evropës, mos të them të botës, në 2022, mungon transparenca minimale për shpenzimet marramendëse qeveritare të një populli që është në varfëri të thellë. Në cilin vend të botës kryeministri ka charter privat, shkon drejt kryeqyteteve luksoze të Evropës, ndërkohë që qeveria e tij pa asnjë mandat dhe në kundërshtim me ligjin shemb catitë e banorëve të kryeqytetit, sic ndodh te “5 Maji”, ku pjesa dërrmuese e banorëve janë në gjendje lufte, sikur i ka bombarduar një armik, një armiku i padukshëm, por i tmerrshëm, i korrupsionit qeveritar.

 

Mjaftojnë këto fakte për të kuptuar pse dy ditë më parë raporti i Ti konfirmoi që qeveria e masakrës zgjedhore të 25 prillit është qeveria më e korruptuar e Evropës, më e korruptuara e Ballkanit. Pndërshmëria, paligjshmëria, largimi i cdo shërbimi nga qytetarët, cveshja e institucioneve për t’i shërbyer qytetarëve dhe kthimi i tyre në duart e një grushti njerëzish, këto nuk janë fjalët e opozitës, por janë të vërteta të pamohueshme, me të cilat cdo njeri në marrëdhënie pune, cdo i papunë, cdo sipërmarrës, cdo fermer, cdo student e pensionist, përballet cdo ditë. Korrupsioni është armiku i përditshëm. Korrupsioni ka shkatërruar institucionet, ka deformuar vendimmarrjen, ka shkatërruar tregun, ka penguar avancimin në rrugën drejt BE.

 

Shikoni vetëm ngjarjet e javëve të fundit. Shikoni faktet që ka depozituar PD për check-up e famshëm, që vazhdon si një hemorragji dhe nuk ndalet as në kohë pandemie. Shikoni raportimin e përditshëm të tenderave në ARRSH. Për të ardhur tek afera e shekullit, inceneratori, që kanë shkrumbuar e shkrumbojnë paratë e shqiptarëve. Ndërkohë që dje janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dy pjesëtarë të kësaj afere. Një ditë përpara e kam paralajmëruar disa herë që do të zhduken, do të shkojnë në arrati, se dinë shumë, dhe dinë ato që s’duan t’i dinë, tani janë në kërkim ndërkombëtar. Ndërkohë që ata janë në kërkim ndërkombëtar, kjo qeveria vazhdon të paguajë skenat e krimit, që janë me shirit të verdhë”, tha Basha.