Përfaqësues të Bankës Botërore në Shqipëri kanë prezantuar raportin ekonomik rajonal. Teksa prezantuan në veçanti pjesën për Shqipërinë theksuan se muajt e fundit nuk janë gjeneruar biznese të reja për shkak të situatës së rënduar politike. Kjo ka bërë që sipërmarrësit të jenë të pasigurt për të investuar në vendin tonë. “Rritja ekonomike rrezikohet në këtë situatë. Sugjerimi që bën raporti lidhet me faktin këto protesta që vihen re në shumë vende të Ballkanit lidhen edhe vonesat në reformën strukturore. Autoritetet e këtyre vendeve duhet të marrin masa për përshpejtim, duke plotësuar përmirësimin e klimës së biznesit dhe kushte të barabarta konkurrimi. Po, pasiguria politike ndikon. Sa më pak kriza të ketë politika e një vendi, më shumë investime ka gjasa të ketë, të brendshme dhe nga jashtëme,” tha ekspertja e Bankës Botërore Ilda Shijaku.