Alban Bushi guxoi të thoshte dy vite më parë se Armando Broja do të ishte sulmuesi më i mirë që ka nxjerrë ndonjëherë Shqipëria. Sot trajneri i Kombëtares Shpresa është i lumtur që 20-vjeçari po merr për dore kuqezinjtë, duke u bërë protagonist absolut. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Bushi mundohet të tregojë detaje të pathëna për sulmuesin, që nga dita e parë në stërvitje me fanellën kuqezi dhe deri te “basti” që do të luajë me Kombëtaren deri 36 vjeç.
FILLIMI – “Broja ka ardhur për herë të parë në Shqipëri si lojtar që do të shikohej në Kombëtaren U-19, në një seleksionim që po bënim në Fier. Në bashkëpunim me skuatët në Angli, Broja u bë pjesë e seleksionimit në ditën ku krahas tij, ishte edhe Emiljano Bullari, që vinte nga Olimpiakosi. Unë mbaj mend që në stërvitjen e parë ai bëri një lëvizje të bukur, tipike për një sulmues, që më pëlqeu shumë. Kam qenë bashkë me Xhemal Mustedanagiçin dhe Sulejman Memën. Me atë lëvizje dhe shpejtësi që pamë në ditën e parë të stërvitjes, unë menjëherë i shënova një plus në fletë, duke qenë se ishim në seleksionim e sipër. Mbaj mend që i kam thënë ‘Xhemos’ se ky është një sulmues shumë i mirë dhe do ta grumbulloj me Shpresat. Më pas kishim miqësore me Uellsin dhe unë e ftova direkt. Të gjithë në ekip ishin vitlindja 1998, ndërsa Broja 2001″, tregon trajneri i Kombëtares U-21
SEKRETET – “Luajti me Uellsin dhe shënoi dy gola në debutim, ndërsa më pas realizoi një tjetër gol në miqësoren e dytë. Aty kuptova që bëhej fjalë për një sulmues të rrallë ose më saktë të çuditshëm. Pra, kaq vite në futboll, duke përfshirë edhe eksperiencën si trajner apo menaxher në Kombëtare, unë nuk kisha parë një sulmues me karakteristika të tilla. Kemi parë shumë futbollistë, por jo si ky! Ka një shpejtësi të çuditshme, që nuk mund ta ketë njeri, por gjithashtu ka edhe një goditje të fortë nga vendi.
Po ta vini re në goditjet që bën drejt portës, gjithmonë e kap portierin në kundërkohë. Ngaqë kam qenë edhe vetë sulmues dhe e di armën e fortë në një rol të tillë, m’u krijua bindja se Armando do të jetë një nga sulmuesit më të mirë të historisë së Kombëtares shqiptare.
Natyrisht, nuk është çudi që ai të bëhet edhe sulmuesi më i mirë i Europës për pak kohë. Do të mburremi me Brojën, sepse ka cilësi të jashtëzakonshme. E them shpesh i çuditshëm në cilësitë e veta, sepse kur e shikon nga muskujt ose fibrat, nuk është se ka. Ai është për t’u analizuar se si vrapon kaq shpejt dhe si godet fort, në një kohë që këmbët i ka të holla. Ka një goditje nga vendi që e bën portierin të papërgatitur. Ngaqë e ka goditjen shumë të fortë, ai nuk ka nevojë të marrë vrull”, thotë Bushi
GODITJA – “Sa i përket goditjes nga vendi, mund të jetë pa dyshim nga më të mirët në Europë. Kjo është arma më e fortë e tij, sepse i kap të gjithë në kundërkohë, duke filluar nga mbrojtësit dhe portieri. E përsëris, është sulmuesi më i mirë që ka pasur Shqipëria në të gjithë historinë e vetë. Kjo nuk diskutohet! Thjesht, ai duhet të ndryshojë disa gjëra që ka për t’i bërë në vazhdimësi. Është një djalë që do pak motivim, nga ata tip futbollistësh që duhet t’u kapësh pak telat. Nëse ai të ndien që ke besim si trajner te cilësitë që ka, atëherë Broja mund të bëjë çudira. Pra, edhe mund të tërhiqet mbrapa dhe të mbrojë, duke ndihmuar më tepër ekipin. Po ta shikoni me kujdes ndaj Hungarisë, sakrifikoi në momente të veçanta, duke u tërhequr. Ka një karakter të veçantë, por mbi të gjitha është një djalë shumë i mirë. Po flasim për një lojtar që do ta kemi edhe 17 vite. Do të jetojmë 17 vite me Brojën. Derisa ai të shkojë 36 vjeç, do të shikojmë mrekulli nga ai. Pra, do të jetë si ajo shprehja: ‘Aman të mos ikë Mesi, se nuk kemi çfarë të shohim pastaj’. Kështu do të themi edhe për Brojën. Merr topin dhe është i papërmbajtshëm. Ka veti të rralla që nuk i kanë lojtarët e tjerë në botë. Po të shikosh edhe Lukakun, nuk e ka startin e Brojës. Armando është i frikshëm”, përfundon trajneri që pikasi sulmuesin 20-vjeçar në pronësi të Çelsit në një prej seleksionimeve të U-19. Panorama Sport