SHQIPERI- “Anti KÇK” ka nisur sot punën duke zbritur në terren, aty ku nga sot nis lufta e qeverisë me krimin e organizuar dhe “kokat” që drejtojnë atë. Të mirëpërgatitur, efektivët e OFL-së (Operacioni Forca e Ligjit), e cila është Njësia Speciale, kanë shkuar sot në Shijak, aty ku do në bashkëpunim me SPAK-un, është vendosur sekuestro mbi kompleksin “Golden’ dhe pasuritë e Hajrajve në Shijak, shumica prej tyre kanë si pronar, Altin Hajrin, i shpallur në kërkim prej një jave për vrasjen dhe rrëmbimin e Jan Prengës.
Ashtu siç deklaroi edhe një ditë më parë kryeministri Edi Rama teksa foli për “Anti KÇK-në” , sot do të shpërndahen formularët e parë për personat të cilët struktura e OLF-së ka dyshime se kanë vendosur pasurinë nga krimi. Janë rreth 200 persona duhet që brenda 48 orëve të deklarojnë pasuritë e tyre. Pasi të plotësojnë formularët, këta të fundit do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili duhet të shprehet për 15 ditë dhe po kaq edhe gjykata. Pra cikli, pa llogaritur apelin në hapin e parë, mbyllet brenda muajit.
Çfarë deklaroi Rama një ditë më parë?
Kryeministri Edi Rama u shpreh se paketa “Anti KÇK” do ua bëjë jetën ferr kriminelëve. Ai theksoi se Policia e Shtetit është e angazhuar si asnjëherë më parë në këtë nismë të re dhe kjo është një sprovë për SPAK. Kryeministri nënvizoi se prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar do të pezullohen brenda 3 ditësh. Kreu i qeverisë shtoi se çdo pasuri që nuk do të justifikohet do të sekuestrohet. Ndërsa për mjetet motorrike luksoze, ai u shpreh se do t’u vihen në dispozicion Policisë së Shtetit pasi kriminelët nuk meritojnë të hipin as mbi gomar.