“Anti-informaliteti” me dorë të ‘rëndë’: Procedohen 66 persona, mes tyre dhe drejtori...

“Anti-informaliteti” me dorë të ‘rëndë’: Procedohen 66 persona, mes tyre dhe drejtori i ALUIZNIT

445
0

 

66 persona procedoen për krim ekonomik, lirimi i plazheve dhe ish-drejtori i Aluiznit në Elbasan. Policia e Shtetit raporton së fundmi se ka proceduar penalisht 66 persona në kuadër të aksionit të lirimit të plazheve dhe zaptimit të paligjshëm të territorit. Mes të proceduarve është dhe drejtori i ALUIZNIT në Elbasan, si dhe zyrtarë të Tatimeve, Bashkive, Dogane etj. Ata akuzohen për krim ekonomik dhe mjedisor.

 

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Vijon operacioni kundër informalitetit, krahas operacionit që zhvillohet në gjithë vijën bregdetare, për lirimin e plazheve të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme. 66 shtetas të proceduar për vepra penale në fushën e krimit ekonomik e financiar dhe krimeve mjedisore. Procedohet penalisht edhe drejtori i ALUIZNI-t në Elbasan për shpërdorim detyre. Policia e Shtetit ka vijuar zbatimin e masave për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore, në vijim të punës së përditshme. Në zbatim të këtij plani të posaçëm në shkallë vendi, vetëm gjatë fundjavës janë ushtruar kontrolle në qindra subjekte të ndryshme në zonat urbane, kontrolle në pyje e kullota për prerje të paligjshme, në fushën e ndërtimeve pa leje apo të tregtimit të hidrokarbureve, etj. Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar një sërë shkeljesh dhe janë proceduar penalisht 66 shtetas për vepra penale si: “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësimi i paligjshëm”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Ndërtimi pa leje” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

 

Konkretisht:

 

13 raste janë evidentuar dhe ndëshkuar në qarkun Dibër, 9 raste në qarkun Elbasan, 8 raste në qarkun Durrës, 7 raste në qarkun Gjirokastër, 5 raste në qarkun Korçë, 5 raste në qarkun Tiranë, 5 raste në qarkun Lezhë, 4 raste në qarkun Shkodër, 3 raste në qarkun Kukës, 3 raste në Qarkun Fier, 2 raste në qarkun Vlorë dhe 2 raste në qarkun Berat

 

Policia e Shtetit gjatë këtij operacioni është përqendruar edhe në zbulimin, dokumentimin dhe procedimin penal të çdo zyrtari Bashkie, Tatimesh, IQT, Dogane, Punësimi etj., të cilët me dashje nuk kanë kryer detyrën për kontrollin e territorit, por kanë lejuar informalitetin, ndërtimet pa leje, ushtrimin e aktiviteteve të tregtisë së paligjshme, ushtrimin e aktivitetit tregtar pa kasë fiskale, shmangien doganore në interes të tyre ose të personave të tretë, duke i sjellë dëme të konsiderueshme mjedisit, qytetarëve, bizneseve të ligjshme, nëpërmjet lejimit të konkurrencës së pandershme si dhe i kanë sjellë dëme të konsiderueshme buxhetit të shtetit.

 

Në këtë kuadër në Elbasan është proceduar Drejtori i ALUIZNI-t në Elbasan, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” pasi dyshohet se ka lëshuar një leje legalizimi për një objekt, pa dokumentacionin përkatës.

 

Operacioni kundër informalitetit dhe lirimit të plazheve të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme po vijon në të gjithë vijën bregdetare.

 

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital apo në adresat zyrtare në rrjetet sociale të Policisë së Shtetit, si dhe në numrin 0800 90 90 të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme, duke garantuar anonimatin dhe një reagim të shpejtë e të paanshëm!