Ankth te Tirana, 3 titullarë shqetësojnë Memën përpara derbit

Ankth te Tirana, 3 titullarë shqetësojnë Memën përpara derbit

445
0

 

 

Humbja kundër Kukësit trazoi jo pak ambientin bardheblu, një humbje që askush nuk e dëshironte një javë përpara derbit të kryeqytetit. Verilindorët nxorën në pah disa probleme të Tiranës, mbi të gjitha në mbrojtje, e cila me sa duket nuk është aq e paprekshme se kishte rezultuar në katër javët e para. Ekipi i Memës pësoi humbjen e parë sezonale por ajo që shqetëson akoma më shumë është gjendja e ekipit në javën e derbit. Tre lojtarë titullarë, Osamani, Batha dhe Edon Hasani kanë shfaqur probleme fizike. Pasi nxehjes në seancën e fundit stërvitore, Tefik Osmani është veçuar nga skuadra, bashkë me të edhe Edon Hasani.

Të dy futbollistët kanë shfaqur probleme muskulorë dhe nuk janë stërvitur rregullisht me grupin. Gjendja e dy titullarëve do të monitorohet në vazhdimësi nga stafi bardheblu. Më shqetësuese është gjendja që po kalon Idriz Batha. Mesfushori ka pësuar një dëmtim të kavilje që e ka bërë të pamundur të stërvitet normalisht. Për të tre titullarët parashikohet një program i veçuar në mënyrë që të rikuperojnë në kohë për derbin e së dielës, në të kundërt do të ishte një humbje shumë e madhe për trajnerin Mema. Pas disfatës kundër Kukësit, të gjithë në shtëpinë e bardhebluve kërkojnë kthesën në derbin e kryeqytetit për të thyer më në fund një tabu 5-vjeçare por mbi të gjitha për të mos zbehur objektivin kryesor të klubit, titullin kampion.