ANALIZA/ “Rama e kishte shpresën te…”- Spartak Ngjela: Çfarë fshihet pas marrëveshjes...

ANALIZA/ “Rama e kishte shpresën te…”- Spartak Ngjela: Çfarë fshihet pas marrëveshjes për Reformën Zgjedhore. Pse të gjithë pyetën ç’ndodhi?!

455
0

Nga Spartak Ngjela

 

 

Të gjithë pyetën: çfarë ka ndodhur?

Basha, ktheu befas. Ai hoqi dorë nga të gjitha kushtet që i pati vënë Ramës, a thua se vetë ishte fituesi i një lufte, dhe jo një i mundur tre herë radhazi në zgjedhje.

 

  1. Basha është i trembur, sigurisht. Por, na tha dhe një gënjeshtër fëminore: “tani foli Bundestagu gjerman, tha, prandaj u tërhoqa nga kushtet”. Kjo është për të qeshur dhe për të qarë njëherësh.

Po pse kjo kthesë e behtë, cila është arsyeja? Frika po bashkon sërish në një marrëveshje të re Ramën dhe Bashën. Por, a dinë këta të dy të bëjnë gjë me këtë bashkim? Asgjë. Do të vinë vërdallë, ecë e jak, për të shpëtuar nga hetimi i SPAK-ut; por ja, sa të vijë ambasadorja e re amerikane dhe ndalon edhe ecejaku i tyre.

 

Pse janë të trembur pikërisht tani?  Krijimi i SPAK-ut dhe kërkesa e opozitës parlamentare për ndërrimin e sistemit zgjedhor, i ka bashkuar në atë që i thonë reformë zgjedhore. Nuk do ta pranojnë ndërrimin e sistemit zgjedhor me lista të hapura, po, si do t’ia bëjnë për SPAK-un?… Atëherë?

 

Këtu ka një arsyetim të vetëm: po të funksionojë SPAK-u si hetim antikorrupsion, nuk është i ngutshëm ndërrimi i sistemit. Dhe SPAK-u do të funksionojë. Kurse te korruptuarit e mëdhenj të Shqipërisë pritën që SPAK-un ta errësonte Irani. Komedia vijon. Por, sa më tej në kohëecje, edhe më gazmore do të jetë kjo komedi.

 

  1. Frika e politikanit mediokër, është gjithmonë një nxitës i brendshëm që e degdis këtë te fëmija.

Në fakt, Basha është trembur nga shumë ndodhi të rreshtuara kundër tij, por SPAK- u është tashmë një gjëmë e mundshme për të. Basha ndihet i trembur gjithashtu edhe nga fshehja që ai i bëri arsyes së vërtetë të protestave të dhunëshme, dhe daljes nga Parlamenti, duke dorëzuar mandatet. Ndërkaq, me kthimin te vendi nga iku me bujë e me premtime, ka çorientuar dhe ka revoltuar mbështetësit e gënjyer të partisë së tij. Prandaj nxori në pah Bundestagun gjerman. A do t’ia pranojnë përkrahësit këtë alibi fëminore? Të shohim.

 

lll. Tani po kuptohet gjithashtu se, edhe Rama është i trembur. Nuk ka asnjë ide në llomotitjen e tij ditore. Por, në fakt, që të dy, Basha dhe Rama, janë të trembur nga SPAK-u. Shumë u munduan të dy, por nuk ia arritën ta bllokonin, edhe pse Rama e kishte shpresën te kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ibrahimi.

 

Ndërkohë, ama, është duke ardhur ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara.

Edhe ambasadorja e re amerikane i ka trembur palët, sepse ajo tha prerë: “vij me përparësinë e kryerjes së reformës në drejtësi”.

 

lV. Kurse Rama ndërkohë kuptohet se po mendon që të afrojë zgjedhjet, për të bllokuar SPAK-un, domethënë që të bllokojë reformën në drejtësi. Prandaj e ka thërritur edhe konen e Partisë Demokratike.

Janë fëminorë. Pse, politikën amerikane do gënjejnë këta të dy me një marrëveshje politike për reformën zgjedhore!!!

 

Kot e keni. Pa mbaruar reforma në drejtësi, nuk mund të ketë zgjedhje të lira në Shqipëri – ky është mendimi amerikan.

 

Po sistemi zgjedhor? Edhe ky është në dorë të atyre që po drejtojnë reformën – ndërkombëtarëve. Priteni kur Rama t’ju thotë amerikanëve: “po të kërkojmë ndryshimin e sistemit, na ikën Partia Demokratike nga marrëveshja dhe tryeza e përbashkët”. Kurse amerikanët do të tallen me të, sigurisht.

 

  1. Kot lodhesh, zoti Rama! Nuk bën dot gjë. Është i mbyllur ky kapitull. Jeni të kapur, dhe politika amerikane nuk do t’ju bëjë asnjë lëshim. Nuk ka sesi t’ju pranojë të katërve: as ty, as Saliun, as Metën dhe as Bashën. Se jeni të kapur nga kundërshtarët e Shqipërisë dhe kundërshtarët e politikës amerikane.

Pse, vërtet mendoni se janë lëvizje të kota dalldisjet politike të Ramës nga Ankaraja në Pekin, e nga Pekini te minishengeni ballkanik?! Në fakt, te këto lëvizje anti-interes për Shqipërinë, qëndron e kyçur e vërteta e likuidimit të katërshes shqiptare.

Këtu, tani, kuptohet qartë dhe vetë e vërteta e kësaj kohe, që është likuidimi me ligj kushtetues i korrupsionit të lartë shqiptar. Kushtetuta e riformuluar në vitin 2016, do të zbatohet pa asnjë ekuivok.

 

Korrupsioni i kryeministrave shqiptarë, gjithmonë i ka çuar dhe gjithmonë do t’i çojë këta drejt shteteve që janë kundër interesit shqiptar në Ballkanin Perëndimor. Por, për katërshen e korruptuar shqiprare, ky fakt po bëhet arsyeja kryesore e likuidimit të saj.

Kurse, politika amerikane është mirë që, të gjitha dokumentat që ka si prova kundër të katërve, duhet t’ia bëje të qartë opinionit publik shqiptar. Aleanca shqiptaro-amerikane, ashtu siç e kërkon historia, është domosdoshmëri e kësaj kohe, kurse korrupsioni i lartë shqiptar, sot, është kundër kësaj aleance.

 

Mbrojtja amerikane e Shqipërisë tani është një fakt historik. Por, në këtë pikë, duhet shtuar se: edhe likuidimi i korrupsionit të lartë të politikës shqiptare, mbrojtje e Shqipërisë është.