Alarmi/ Kripa po shkakton prapambetje mendore, Ministria nis kontrollet

Alarmi/ Kripa po shkakton prapambetje mendore, Ministria nis kontrollet

453
0

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka shpjeguar në Komisionin e Shëndetësisë se me ndryshimet e reja ligjore do të shtohen kërkesat për gjurmueshmërinë e kripës për konsum human, shtazor dhe përdorim në industrinë ushqimore.

“Për herë të parë futet në ligj koncepti i gjurmueshmërisë së kripës i cili u kërkon subjekteve tregtuese të ruajnë informacion për të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit, jodizimit dhe shpërndarjes së kripës”, ka shpjeguar Manastirliu.

Duke theksuar se aktualisht 75 % e kripës së jodizuar prodhohet në vend, Manastirliu tha se është më e lehtë për institucionet monitoruese dhe inspektuese që të ushtrojnë një numër më të lartë kontrollesh dhe në këtë mënyrë kemi më shumë garanci që kripa që hidhet në treg është e jodizuar sipas standardeve.

Ndryshimet ligjore që propozohen vijnë si rekomandim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sipas ministres, të gjitha llojet e kripës ushqimore, që përdoren për konsum shtëpiak dhe për përpunim ushqimi, duhet të pasurohen me jod si strategji e efektshme dhe e sigurt për parandalimin dhe kontrollin e çrregullimeve nga pamjaftueshmëria jodike te ato popullsi, që jetojnë në kushte të qëndrueshme dhe emergjence.

Me ndryshimet ligjore, synohet ulja e pamjaftueshmërisë jodike në popullatën shqiptare, si një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve si struma dhe prapambetja mendore.