Në orën 7.00 të mëngjesit më 29 gusht 1949, një shkëlqim verbues ndriçoi vendin e mbështjellë me sekret maksimal të Semipalatinsk, në Kazakistanin e sotëm. Një zhurmë, errësirë, pastaj heshtje. Reja e kërpudhës që ngrihet në poligonin bërthamor përcakton suksesin e operacionit Borodino: shpërthimi i bombës RDS-1 – për sovieti kët Pervaja Molnija (“rrezja e parë”), për amerikanët Joe-1, për nder të Sekretarit Joseph Stalin që e kishte dëshiruar aq fort. Rusët i bashkohen “klubit atomik”; edhe ata mund të ushtrojnë parandalim bërthamor në botë.
Katër vjet më herët, mbi qiejt e Hiroshimës dhe Nagasakit, bombarduesit strategjikë B-29 kishin hedhur bombat atomike “Little Boyt” dhe “Fat Man”, me rezultate që të gjithë i dimë. Stalini ishte tmerrësisht i impresionuar nga fuqia shkatërruese e armëve të zhvilluara nga amerikanët, dhe ai lëshoi spiunët në të gjithë Amerikën dhe Evropën, për të vjedhur sekretet e “Projektit Manhattan”- programi bërthamor amerikan – dhe për dërgimin e tyre tek shkencëtarët sovjetike. Moska duhej të kishte bombën atomike, dhe duhej të ishte në të gjitha ‘e barabartë’ me ato të zhvilluara nga ekipi i Oppenheimerit. Informacioni i vjedhur nga amerikanët do të kishte shmangur – dhe në fakt shmangu – gabimet e shumta të projektimit dhe përpjekjet, të cilat do të rezultonin në humbje të madhe të kohës dhe të parave. Sipas vlerësimeve të CIA-s, që atëherë sapo kishte lindur, “rusët” nuk do të arrinin të siguronin – duke patur parasysh teknologjitë e pamjaftueshme që kishin në dispozicion – tek një armë bërthamore tërësisht funksionale, para vitit 1954. Të dhënat e marra për bombën me pluton “Fat Man” që agjentët e NKVD-së – mes të cilëve Pesëshja e Famshme e Kembrixhit dhe Rosenbergët – arritën të sigurojnë në Angli, çuan në zhvillimin e shpejtë të RDS-1, dhe bomba u ndërtua në kohë rekord. Programi bërthamor sovjetik mund të mburrej me fizikanë të rangut të lartë, mes të cilëve spikasnin Igor Kurchatov dhe Pyotr Kapitsa; ata, me orientimin e saktë për të cilin ishin shpenzuar një dekadë studime dhe teste ku kishin marrë pjesë edhe Einstein dhe Fermi, dhe para tyre Frisch dhe Peierls, u gjendën me një detyrë shumë të lehtësuar. Ndërsa urani i përdorur për reaktorin bërthamor sovjetik, vinte nga programi bërthamor nazist dhe ishte konfiskuar në vitin 1945.
Suksesi i papritur i BRSS
Shërbimi i fshehtë amerikan mbeti i shastisur përballë rezultatit të arritur nga Bashkimi Sovjetik, duke e përkthyer shqetësimin e vet në një studim të menjëhershëm të një plani lufte i cili parashikonte bombardimin e 70 qyteteve sovjetike, përmes dërgimit të bombarduesve strategjikë. Sovjetikët, 5 vjet më herët se parashikimet kishin arritur shkrirjen e Plutonit; në 1951 atë të Uranit dhe në 1953 – përkundër gjithë parashikimeve – kishin testuar tashmë me sukses Bombën me Hidrogjen. Në vitin 1961 testuan Bombën ZAR: arma termonukleare më e fuqishme që ka eksperimentuar njeriu gjatë historisë.
Gara e armatimit bërthamor
Nevoja e një shteti për të zotëruar një armë “parandalimi bërthamor” buron nga fuqia shkatërruese e ushtruar prej armëve të shkatërrimit në masë që u përdorën prej SHBA, që të gjunjëzonin Japoninë dhe dhënë fund Luftës së Dytë Botërore, me fitoren që do të trembte botën mbarë. Një kërkim i tillë ishte mes objektivave të Rajhut të Tretë dhe u bë prioritet për BRSS gjatë garës bipolare që u përvijua pas fundit të konfliktit botëror. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqe në Stokholm, nga gara e armatimit bërthamor që nisi në 1940 e deri më sot, në botë ekzistojnë rretj 15850 testata bërthamore: të ndara mes SHBA, Rusisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Kinës, Indisë, Pakistanit dhe Koresë së Veriut. Nga këto, të paktën 1800 konsiderohen “me rrezik të lartë”. Nga viti 1945 deri në 2018 janë kryer 2085 teste bërthamore. Kulmi u arrit në vitin 1962. Gjysma e testeve janë kryer nga SHBA. Në vitin 1970, Traktati për Mospërhapjen Bërthamore që hyri në fuqi pas firmosjes nga 190 shtete frenoi testimet dhe prodhimin e armëve bërthamore. Që atëherë, vetëm India, Pakistani dhe Korea e Veriut kanë kryer teste bërthamore. Në 22 shtator 1979, një satelit i NASA-s regjistroi një dridhje të dyfishtë të lidhur me një shpërthim bërthamor mes Oqeanit Atlantik jugor dhe Oqeanit Indian – pranë Ishujve të Princit Eduard. Përgjegjësia iu ngarkua Izraelit dhe Afrikës së Jugut.
Dokumenta të CIA-s të zbardhura pjesërisht në 1999 shpien në konkluzionin se mund të ketë qenë rënie meteori ose një “test bërthamor”, për të cilin nuk u gjetën gjurmë të mjaftueshme për ta konfirmuar. Sipas dokumentave të CIA-s: “Nëse është verifikuar një shpërthim i tillë, me shumë gjasë faji është i Afrikës së Jugut”. / Il Giornale