Osman Kaceli, djali i madh i Jonuz Kacelit, të ekzekutuar nga regjimi komunist, përshkruan vitin e parë në internim, ku u dërguan të shtatë fëmijët bashkë me nënën e tyre, Mejremen
Nga Osman Kaceli
Ishte nata e 20 shkurtit të vitit 1951. Unë atëherë isha 9 vjeç. Merret me mend që n’atë moshë nuk mund ta kisha lexu Dante Alighieri-n. Por kur e lexova, pashë shumë ngjasime të FERRIT të tij me atë tonin. Po Nona jonë, heroina e këtij shkrimi, çfarë nuk kishte të drejtë të bluante në mendjen e saj?!.. Vetë Dantja i jepte te drejtë në vargjet e famshme:
….që nuk ka dhimbje ma të madhe se
te kujtojsh jetën e lumtun
në vuajtje të skajshme e mjerim.
Në ditët që pasuan arrestimin e Babës, dashamirësit dhe familjarët, siç e don zakoni, pa pushim i kishin qenë pranë. Ato ditë, qarkullonin lajme të ndryshme që, në më të shumtën e rasteve, binin në kundërshtim njani me tjetrin. Megjithatë shpresat ishin të mëdhaja dhe ne të gjithë prisnim lirimin e Babës tonë. Mirëpo të martën më 27 shkurt kur u kthyen plaçkat që Nona ia kishte çu në burgun e ri të Tiranës, vumë re që tenxherja e boshatisun e ushqimit ishte shtrëngu aq shumë me kapakun, sa që e patëm të vështirë ta zgjidhnim. Ai kishte përdor një copë pëlhure të grisun. Nona e njofti menjiherë; ajo ishte gris nga këmisha e trupit që ai kishte vesh atë natë mënxyrëzezë, kur xhelatët i dhunuen folenë e lumturisë së tij familjare. Dukej qartë që ai kishte nji siklet të madh. Shpresat u zbehën; iluzionet filluan të “humbin”. Të enjten me 1 mars bishat u kthyen përsëri, por këtë radhë me lajmin e kobshëm. Nona thuejse nuk i kishte ndigju ata, por nji fjalë i ishte ngulitun në trù. Ashtu e shastisun dhe e trullosun, kishte dalë në oborr duke thirr:-Zotni Hamdi, zotni Hamdi! – i ishte drejtu ajo Hamdi Karazit, që aso kohe banonte në shtëpinë e xhaj Romës. -Ç’do me thonë fjala “ekzekutim”?
Unë nuk e di me saktësi përgjigjen e tij, por veprimi që desh të kryej ajo e shpjegon më së miri gjendjen e rëndueme shpirtnore. Ajo në nji farë mënyre deshi t’i japë fund jetës. Por për fat u gjind moma e Prokop Mimës që me ambëlsinë e fjalës që e karakterizonte i pru koshiencën në vend, duke i kujtù detyrën e madhe që përveç përballimit të dhimbjes, ishte dhe rritja e 7 fëmijëve të saj. Lë të nënkuptohet se këto rreshta që po shkruej, nuk shprehin as edhe nji për qind, atë që ndodhi n’ato çaste që do të shënonin nisjen e atij kalvari të gjatë…..
Aso kohe unë sapo kisha kalu 9 vjeçët. Ishim në pushimin e madh në shkollën “Ismail Qemali” ku ndiqsha klasën e katërt. Ishte rreth orës tre e gjysmë të mbasditës kur më afrohet Nevini –çuni i daj Metit, që në mënyrë qortuese më boni të njoftun ngjarjen:
-Si të bohet me luejt?- m’u drejtù me ashpërsi, e sikur po më zinte në faj. Ato ditë ai do të mbushte 13 vjeç. -A nuk e dì që ta kanë vrà Babën?!..
M’u errën sytë e kështu që nuk mbaj mend se si jam largu nga shkolla e jam gjind tek porta e shtëpisë, në anën e majtë të së cilës ishte xhaj Sadiku që po vendoste në të nji shirit letre ku ishte shkruejt: “NUK PRESIM VIZITA”. Megjithatë, meqë lajmi ishte përhap me shpejtësi rrufeje, si rrugica e quejtun e Kacelve ashtu dhe oborri i shtëpisë së xhaj Romës ku ne banonim që prej 2 vjetesh, ishte plot me njerëz, të cilët me siguri do të më kenë drejtù për në vendin që ndodhej Nona. Nuk më kujtohet se kush i rrinte pranë, vetëm se nuk më hiqet nga sytë e nuk do ta harroj kurrë pamjen e saj. I kishte rà nji hije e randë që të ipte me kuptu se e dinte fare mirë hallin që e kishte zanë. Më vështroi me dashni e me keqardhje por –ndoshta m’u duk mù,-edhe me bindjen që unë do t’i isha pranë gjithmonë. Natyrisht vështrimi im do të ketë qenë aprovues. Që n’atë çast u zotova në heshtje:-Nonës do t’i rrijsha pranë gjithë jetën. Aty pranë me siguri do të ketë qenë gjyshja, që më donte pa masë. Unë kisha emrin e gjyshit, Osman Kaceli.
Të nesërmen në mëngjes, iu drejtova dorë për dore me motrën time të madhe, Verën, zyrave të sigurimit famëkeq. Nè në nji farë mënyre duhej, që në mos revoltë, të paktën ankesë duhej të banim. T’ekzaltuemit sigurimsa-komunistë, përveç lajmit të kobshëm të ekzekutimit të babës tonë, Jonuz Kaceli, e kishin urdhnù Nonën që të mos lëvizte nga shtëpia ajo e bashkë me té edhe të shtatë fëmijët. “Ditën e shtunë,-kishin thanë ato-, do të internoheni në Tropojë”. Ne kërkojshim të na çonin në nji vend ma të afërt, mbasi kishim ndigju që bashkëvuejtësit tanë ishin caktu në Berat, Vlonë, Lushnjë etj.. Ankesa jonë ra në vesh të shurdhër te pothuajse të gjithë, kur ma në fund Vera më mori për dore e më boni të ditun se kriminelët e kishin bò zemrën gur e do t’na internonin në Çorovodë të Skraparit. Ishte e para herë që i ndigjojsha këto dy emna vendesh.
Ndërkohë në shtëpi kishin ba vizitën e tyne edhe nënpunsit e përmbarimit të cilët zbatuen urdhnin tjetër: sekuestrimin e konfiskimin e të gjithë pasunisë së Babës e të Nonës, përveç plaçkave të trupit. Të gjitha këto i mbyllën në nji nga ambientet e shtëpisë dhe përveç drynave, i vunë dhe dyll të kuq me vulën famëkeqe të konfiskimit. Të shtunën, me 3 Mars 1951, në mëngjes rreth orës tetë e gjysmë, u ndigjù të hynte me zhurmë në rrugicë kamioni mbi të cilin do të ngarkoheshim ne të gjithë së bashku me ato pak plaçka. Në disa minuta dhe nën mbikqyrjen e policëve shoqnues u kryen këto veprime. Nuk di se kush kishte mujt me nxjerrë nga vendi ku ishin plaçkat e konfiskueme (ndoshta L. Fezolli që siç u tha nga dikush aty kishte shpreh keqardhje për ne) dy susta e dy krevate të vegjël portative, që iu shtuan atyne pak gjanave që ishin ngarku. Bashkë me ne po vinte me jetu në internim gjyshja Zyhra, e xhaj Liu, vëllai i madh i Babës, që ishte lirù nga burgu pak kohë më parë. Ai u leju vetëm për të na shoqnu deri në Skrapar. Kur hipëm të gjithë, e kamioni po bante manovrën e daljes nga rrugica, vuna ré xhaj Sadikun që na u drejtonte me fjalët: -Gajret e Sabër, kuptimin e të cilave e mora vesh ma vonë: -Forcë e Durim. Asgjë tjetër nuk mbaj mend. As nuk përfytyroj njeri. Xhaj Roma ishte akoma i burgos dhe sigurisht nuk më shkonte mendja me e kërku në grumbullin e madh që kisha para syve. Nondaja, Haxhire Katroshi (Tagani) e gjyshi Salih Efendi Tagani me siguri kanë qenë.
Ma në fund, kamioni u nis, por për çudinë tonë për të ndalu përsëri pa dalë te kryet e rrugës së Pishës. Së bashku me ne do të udhëtonin edhe dy familje të tjera, ato ishin familjarët e zotërinjve të nderuar, Manush Peshkëpia e Reis Selfo, qe kishin pësuar të njëjtën humbje. Nuk më kujtohet në ç’rrugë, në kamionin në fjalë u ngarkuen edhe familjarët e të ndjerit, Anton Delhysa, me ato pak plaçka. Kamioni ndërkohë filloi lëvizjen dhe më pas u turr me uturimë në drejtim të rrugës së Durrësit. Bante të ftohtë acar. Ne të gjithë ishim të strukun nëpër boshlliqet që lejshin plaçkat e ngarkueme në kamion. Mundohej gjithsekush të mbulohej me diçka, për t’evitu në një farë mase këtë të ftohtë…kur papritmas filloi nji shi që nuk na la plaçkë të trupit pa lag. Në afërsi të Lushnjës pushoi pak, për të ndalu fare, kur mbërritëm në atë qytet. Këtu zbritën familjarët e të ndjerit z. Reis Selfo. Ne të tjerët vazhduem. Ndërsa arritëm ne Berat, po binte muzgu. Aty do të ndalej familja e të ndjerit, z. Manush Peshkëpia dhe ajo e të ndjerit, Anton Delhysa. Kur ne mbetëm vetëm morëm vesh se nuk mund të udhëtonim mò me atë kamion, mbasi rruga ishte e ngushtë dhe u bò tepër vonë. E meqë në policinë e qytetit nuk kishin vend me na lanë, kishin vendos me na shkarku bashkë me plaçkat në hanin me të njejtin emër me vendin që do të qëndrojshim të internu. Quhesh “HAN SKRAPARI”. Ishte e shtunë, ditë pazari. Hani ishte jashtëzakonisht i pisët e plot me morra, pleshta e çimka. Kushedi sa të vështirë do ta ketë pas e mjera Nona jonë. Ajo ishte shumë meraklie nga të gjitha pikëpamjet.
Të hanën në mëngjes herët filluem t’i ngarkojmë plaçkat në kamionin që quhesh “Posta” e Çorovodës, natyrisht duke hyp dhe ne vetë. Ky ishte nji kamjon i vogël, për fat i mbuluem, që bante 3-4 herë në javë rrugën Berat-Çorovodë-Berat dhe shërbente për trasportin e postës dhe të udhëtarëve. Nga dreka mbërritëm në vendin e caktuem për né, në ate qendër të vogël të banueme. Ne na vendosën në nji ndërtesë të vjetër që shërbente si depo xhamash e vjetërsinash të policisë. Mbasi spostuem disa syresh dhe gocat –Vera, Berina e Drita- banë aq sa mundën nji farë pastrimi në atë pak hapsinë të lirueme, vendosëm të dy sustat dhe mbi tò plaçkat e tjera. Mbas pak, xhaj Liu që kishte qenë duke sistemù edhe problemin e dokumenteve në policì u kthy, e, për çudinë tonë, së bashku me nji burrë tjetër- që menjëherë e me nji farë kënaqësie na e paraqiti si mikun e vet. Ky ishte zoti Pjetri. Këtë zotni, Pjetër Dedën, për tridhjetë muej rresht do ta kishim gjithmonë pranë.
Bante shumë ftohtë. Nona sajoi nji si furrnelë, e me ca copa qymyri që i gjetëm në grumbullin e hinit ku si dukej zbraznin mangallat policët e burgut, ndezi nji zjarr që na shërbeu për me u ngrof pak, por më duket se po aty na gatoi diçka për me hangër. Dalëngadalë po afrohej mbromja, kur vuna ré që po vinte z. Pjetër. Në dorë kishte nji gavetë të vjetër të cilën e kishte të mbushun përgjysëm me çorbën që siç na tha ai, e kishte për racionin e darkës. Me xhentilesën që e karakterizonte, na ofroi dhe neve atë, por natyrisht që të paktën për atë mbramje, ne nuk deshëm. Pas pak na përshëndeti dhe shkoi në “dhomën” e tij tek mullini.
Ndërkaq kuptohet që ra nata dhe nuk mbetesh gja tjetër veçse me u pregatit me flejtë. U sistemuem në nji farë mënyre. Meret me mend që shtresat e mbulesat që na kishin leju me marrë ishin të ftohta, por të paktën ishin të pastra, kështu që me ngrohtësinë që u kriju nga ky grumbull njerëzish, do të kem gjet nji si lloj rehati e kështu do të më ketë zanë gjumi menjiherë…
Në të gdhirë të gjithë rrijshim pa lëviz nga shtrati e rrallë duke nxjerrë ndonji fjalë. Si Nona ashtu dhe Kanna i kishin sytë e përlotun e mundoheshin t’ia mshihnin njana-tjetrës. E para u ngrejtë Vera. Ajo na kujtoi atë që kishin thanë të djeshmen në polici. Ne nuk do ta kishim ushqimin të garantu si z. Pjetri, duhet ta siguronim vetë atë. Pra Vera e Berina përkatësisht 16 vjeç e gjysmë e 15 vjeç do të punonin bashkë me Nonën në ndërtim, Drita dhe unë do të vazhdojshim shkollën; Miri 6-vjeçar, me Laskën e Dhurin, binjaket 3- vjeçare do të rrijshin me Kannën në atë që duhet ta quejmë banesën tonë.
..Nanë Kanna 76 vjeçare ishte një zonjë e madhe e me personalitet të veçantë. Ishte e dashtun sa s’bohet. Buzëqeshja e saj ishte e gjallë, e natyrshme, e për mënyrën që ne ishim rrit, e domosdoshme, në këto momente të vështira. Kishte provu edhe dhimbje të tjera e shkreta gjyshe. Kishte pa vdekjen e vllait të vetëm, ate të burrit, e për ma tepër atë të djalit të saj Xhaj Ismailit, që u ndà nga jeta në moshën tridheteshtat-tetvjeçare, pa lanë së paku nji fëmijë për trashëgim. Pra asaj i lejohej edhe të qante me zà, për ç’ka i kishte rà me provù deri atëherë. Por kjo që i ngjau së fundi qe për tè mo e randa. Humbjen e Babës e kishte ndì thellë në shpirt. “-Kjo e Nuzit ma dogji e ma pervëloi shpirtin”-persëriste ajo herë pas here kur qante e mallëngjehej. –Vdekjen të gjithë e kemi hak por në mënyrën e natyrshme e si do Zoti i madh! Lotët i rridhnin çurk e pa pushim dhe shamija e dorës, mindili, siç i thonte ajo, i rrinte gjithmonë qullë, sadoqë Nona ia lante e thante vazhdimisht. E sërishmi ajo prapë na trasmetonte shpresë e besim. Me ne në internim mbeti plot 9 muej ajo. Kushtet skajshmërisht të vështira ja keqësuen më tej shëndetin. E pra xhaj Liu vendosi me e morë me vete, mbas njanës nga vizitat e shumta që na ka bo pa ndërpreje gjatë gjithë periudhës së internimit. Ne e ndjemë shumë mungesën, e sidomos Nona e cila gjente kurdoherë bekimet e saj. Ato të dyja kishin marrëdhanie shembullore dhe e stimojshin reciprokisht njana-tjetrën.
Nona megjithatë e përballoi si burrneshë. Megjithëse nuk ishim të rrethu me tela me gjemba, ne ishim krejtësisht të izoluem nga të gjitha pikëpamjet. Kështu e kalonte jetën Nona. Ishte një pastërtore e madhe dhe gjithçka shkëlqente kur binte në dorën e saj. Na shërbente me nji devocion të veçantë. Kujdesohej për rritjen e shëndetshme sidomos të Laskës e Dhurit që ishin fare të vogla. Me nji kujdes të jashtëzakonshëm, në mungesën e plotë të barnave dhe të medikamenteve mjekësore, ajo mjekoi dhe kuroi dy vogëlushet 3 vjeç e gjysmë, nga sëmundja e “flamës së pulave”, që thuejse i la të verbra. Ajo gjithashtu kujdesej veçanërisht për Mirin 6-vjeçar, që kishte pësu tronditjen e thellë, pa lanë mbas dore kujdesin për ne ma të rritunit. E dinte mirë Nona lodhjen e madhe të Verës e Berinës në punët e randa të krahut ku punojshin ato, se i kishte provù vetë e shkreta. Ajo punoi për pesë-gjashtë muej së bashku me tò për deri sa u këput në mes nga nji spondelio-artrozë e randë e shtyllës së kurrizit. Megjithë dhimbjet që ka kjo sëmundje, fare nuk u ankonte e shkreta Nona jonë. U desh ndërhyrja e guximshme e nji mjeku të zot e mjaft humanitar, me e shpëtù atë nga puna e detyrueshme dhe me i lehtësù dhimbjet me disa inxheksione. Quhej Ihsan Cabej ky njeri i mrekullueshëm që do t’na u gjindte e ndihmonte edhe në shumë raste të ngjashme e jo. Nona pra nuk shkonte mo në punë, e gjithë kohën bante gjithçka të nevojshme per jetesën ose mbijetesën e përditëshme. Pastrim e higjenë si kusht kryesor për ruejtjen e shëndetit si ajo dinte, por edhe si porositte Baba çdo ditë në të gjallë të tij. E theksova higjenën sepse jam i sigurtë që edhe lexuesit ma t’vëmendshëm ende nuk i ka shku në mend të pyesi, se ku e në ç’mënyrë, (këtë radhë nuk kam ndërmend ta tregoj nji gja të tillë) ne kryenim nevojat personale. Për punë të tjera si gatimin, arnimin e rrobave të punës të gocave (kjo punë “i ha rrobet me dhambë” përsëriste Nona, herë mbas here), e gjithçka tjetër ajo i quante e i kryente si art më vete. Kështu që Verës e Berinës mundohej t’ia bante sa ma të rehatshëm ambientin ku ishim të detyru me jetu. Po kështu për mù e për Dritën, kur na pregatiste për shkollë çdo mëngjes. Për fat ne të dyve na ishte njoft e drejta e shkollës. Ndërsa më vonë kur Drita e mbaroi atë shtatëvjeçare që në vitin e parë të internimit, ne me ndihmën e z.Pjetri, i drejtuem nji lutje policisë, që ajo të vazhdonte të mesmen në Tiranë pranë të afërmve. (Skrapari nuk kishte shkollë të tillë!…) Lutja u refuzu thuejse pa u shqyrtu fare. Asaj që nga ai moment i rà për detyrë furnizimi i shtëpise me ujë e me dru. Deri n’ate kohë mo i privilegjiumi mbeta unë.
Detyra ime e vetme ishte mësimi në shkollë. Kam qenë shumë i vogël me trup e kështu mbeta nji kohë mjaft të gjatë. Nuk e di çfarë fenomeni asht e as si shpjegohet, por unë në koshiencën time e kam quejt veten shumë ma të madh se sa isha në të vërtetë, pa pas aftësinë me ia bà të qartë të tjerëve. Më duket se Nona e kuptonte këte tendencë, që unë gjithë jetën jam përpjek ta manifestoj me veprime pozitive. E pra megjithëse nuk ishin detyra për mù, jam mundu ta ndihmoj Nonën e nëpërmjet saj edhe motrat në të gjitha drejtimet. Kam mbajtë ujë që e merrshim nga nji përru që rridhte rrëmbyeshëm dy-treqind metra afër nesh, kam pre dru në pyll dhe i kam mbajtë në shpinë së bashku me Dritën. Në shkollë rezultatet i kam pas shumë të mira, gjà që e kënaqte Nonën e të tjerët. Mësuesi i fillores Polizoi Gjika, e më vonë ato të shtatëvjeçares, Selim Gjeli, Mustafa Janina, Niazi Petrela, Liri Mehqemeja e Parashqevi Sahatçi, ia bojshin me dijtë asaj këto rezultate, me dashamirësi e me sigurinë që Nonës do t’i pëlqente. Unë personalisht kisha kënaqësi të madhe që kisha këto mësues të mrekullueshëm. Natyrisht pak përgatitje më duhesh, por jo shumë.
E kështu kalonin ditët, e pikërisht mbas pak më shumë se nji viti në internim, pati nji ndryshim si të thuejsh të konsiderueshëm sasior përsa i përket numrit të internuemve. Aty pra, rreth datës 15 Mars të vitit 1952, erdhën disa të internuem të kampit famëkeq të Tepelenës, që u instaluen në Skrapar. Ishin 57 burra, që si rezultuen ma vonë, ishin në ma të shumtën, njani ma i mirë se tjetri. Por ndër emnat që kam në mend, ma i shquemi për mu ishte prifti katolik, Dom Nikollë Mazrreku. Me siguri e them që, unë, pa e kuptu, jam mundu, që në vija të përgjithshme t’i ngjaj atij. Që në fillim, ai na u afru shumë dhe e manifestoi qartë si simpatinë e tij drejt nesh, ashtu dhe keqardhjen e skajshme për ngjarjen tragjike që i kishte ndodh Babës tonë e familjes së tij. Ai si prift nga nji anë, por dhe si njeri shumë i kulturuem, pozitiv e optimist nga ana tjetër, ka ba çmos që të na e lehtësojë atë dhimbje të madhe që na kishin shkaktu kriminelët komunistë, me sjelljet e tyne arrogante e barbare. E sidomos për Alaskën e Dhurin kishte dashni të veçantë, e shpesh i kallxonte prralla e historina shumë të bukura. Përveç asaj që mundohej t’u sajonte lloj-lloj lojnash me ato mjete rrethanore që kishte në dispozicion. Pra ishte dhe një mjeshtër artizan i shkëlqyeshëm. Përveç tij erdhën në Çorovodë, Fatbardh Kupi, Valentin Pervizi, etj., etj. Por ai që mbeti jo vetëm në kujtesën tonë, ishte Gjovalin Vasija.
Ai ishte një djalë i ri rreth 20-vjeçar, e që demonstronte nji gjallni e shkathtësi të veçantë. Kishte nji natyrë gazmore dhe që në pamjen e parë ta jepte përshtypjen e njeriut që e ka dhuntì humorin. Rasti e dha që ai të hyjë nji herë e përgjithmonë në jetën tonë…Ndërmjet tij e Berinës lindi nji idil dashunie që mbeti i tillë edhe sot e kësaj dite. Unë këte gja e mora vesh rastësisht kur ndigjova nji bisedë ndërmjet Nonës e Berinës, në të cilën, kjo e fundit po i shpjegonte Nonës, me fjalë shumë të përmallshme, për ç’ka po ngjiste në jetën e saj. E ndërsa ajo fliste, mundohej t’i mbushte mendjen Nonës, që ta ndihmonte në ndonji farë mënyre apo si me thanë të jepte nji farë pëlqimi. Ndërsa fliste ajo i kishte sytë të përlotuem edhe zanin të butë e lutës. Nuk e ndigjova se çfar’ i tha Nona, por vetëm se e pashë që e afroi dhe e përkëdheli me ngrohtësi.
Po afronte shtatori i 1951-shit. Unë kalojsha në të pestën, ndërsa Miri do t’fillonte klasën e parë. Mirëpo ai s’po na kishte as qejf as dëshirë. Donte të rrinte gjithmonë afër Nonës dhe si i thonë “s’kishte sy për qabe”. Trishtimi i asaj nate të 20 shkurtit kishte bò efektin e vet. Për fat iu afru shumë ish-mësuesi im Polizoi, që e tregoi veten edhe këtë radhë se ç’njeri i sjellshëm e bujar ishte. Ai e boni Mirin që jo vetëm të shkojë, por edhe të mësojë ma mirë se të tjerët. Edhe nji ndodhi tjetër ato ditë. Kur erdhi Xhaj Liu, veç gjanave ushqimore që na sillte zakonisht si makarona, vaj, sheqer,etj.,pru dhe një paketë të mbyllun, që menjëherë e nxiti kureshtjen tonë.
–Gëzimi ishte në Moskë- na shpjegoi ai, ndërsa po hapte atë.—Atje kishte taku mikun e Nuzit, Tuk Jakovën– vazhdoi, duke u mundu me përmbajt’ emocionet e veta pa ia dalë të ndalonte ngashërimet e Nonës e të Kannës, që qanin me zò të ulët. Ndërkaq paketa u hap dhe ne u gëzuem shumë per sendet që e përbonin. Aty ishin nji palë tuta, nji palë çizme gome të zeza me push përmbrenda, nji top i bukur llastiku, karamele, e ndonjë gjo tjetër që s’me bì ndërmend.–Tuku-filloi të fliste përsëri xhaja –i kishte shpreh Gëzimit keqardhjen e tij të thellë, për fatkeqsinë e madhe, duke i shpreh konsideratat e tij me të nalta për babën tuej. Ai kishte ndigju edhe për trishtimin e Mirit ne çastin e arrestimit të tij, e bashkë me të, i kishte ble këto gjona në nji dyqan të Moskës. “Nji gjo e vogël për djalin”, kishte thanë ai ndërsa, Gëzimi e kishte falenderu.
Unë me Mirin ndërkohë kishim dalë në nji shesh të vogël aty pranë dhe filluem të luejmë me topin e bukur duke ngjall kërshërinë e disa fëmijëve vendës që na shifnin nga larg. Miri bile veshi menjiherë çizmet, e kështu kjo ngjarje u bo nji motiv plus për me shku në shkollë ma me dëshirë. Xhaj Liu pru gjithashtu për Verën e Berinën 2-3 palë opinga gome nga ato që u shisnin te reciproku, nja dy xhakovente doku për punë etj..
Kujtoj nji nga ditët që kishim pushim në shkollë. Vendosa të shkoj me i pa e me i ndihmu motrat. Të shkretat po nxirrnin nga lumi Vlushë, gurë të mëdhenj, që duhet t’i grumbullonin ne stiva me gjansi e naltësi 1 metër, në mënyrë që gjatsia të përcaktonte direkt volumin në metra kub. Norma ishte shumë e madhe. Fillova t’i ndihmoj. Unë me Verën nxirrshim gurët nga lumi në breg. Berina i thyente me varé dhe i stivonte. Gurët ishin të limuem prej fërkimit me njeni-tjetrin. Mezi i kapsha me durët mjaft të vogla dhe shpesh më rrëshqitshin. Vlusha ishte nji perrù i rrëmbyeshem që vërshonte nga mali i Tomorricës. Uji i ftoftë brisk, mbas nja 2 orësh kishte bo efektin në kambët e mija. Ishin mbush me flluska të të njëjtit lloj si ato që formohen nga djegia. Unë i pashë, po nuk desha ta boj veten. Meqë me shqetësonin, natyrisht do të kem dhanë ndonjë shenjë, se të dyja ato filluen të më bojnë thirrje që të lejsha punën se isha lodh. Por kur panë flluskat u preokupuen shumë dhe menjëherë më tërhoqën ne breg dhe me shamijat e tyne të kokës me mblodhën kombët për të m’i thà e ngrof sadopak. Afronte pushimi i drekës, e kryepuntori, u dha leje që të më shoqnonin në shtëpi. Ia shpjeguen Nonës, e cila më mori në dorë e si me thonë më boni derman. E kam harru sa kohë u desh për me e kalu kte shqetësim, por nuk do t’harroj kurrë se sa lodheshin ato të shkreta motra në atë punë të mundimshme. Për fat kur filloi të ndërtohet nji hotel i ri me tetë dhoma në dy kate, duhesh një lloj guri tjetër, që e bijshin nga gurorja. Ato filluen të punojnë në ndërtim ku puna ishte e rondë, por të paktën nuk kishte efektin e lagshtinës si rezultat i së cilës iu saju Nonës spondelio-artroza, e Berinës, i shkaktonte dhimbje të vazhdueshme shpine nga reumatizma, e lodhja e madhe.
Ditët e muejët kalonin. E ja, në nandor na ndrruen banesën. Me që erdhi nji makinë me xhama, na detyruen ta lirojmë atë e t’i ngrejmë ato pak plaçka, për t’u strehu në nji kthinë që ishte ngjitun me burgun. Ajo kishte shërby për stallë derrash që polictë e kishin si ekonomi ndihmëse. Merret me mend se çfarë pune iu desh Nonës me e pastru dhe me e ly me gëlqere të ashtquejtunënbanesë të re. Gëlqeren e gjeta unë në nji gropë që shërbente për shuemjen e saj e që ishte në afërsi të lumit. Natyrisht u desh ndihma e gocave që të përfundonte pastrimi e sistemimi i plaçkave. Natën e parë thuejse nuk flejtëm fare. Ca lagshtina e ca era e derrave luejtën rolin në këtë drejtim. Sidoqoftë u mësuem shpejt me gjendjen e re.
Ndërkaq me 6 nandor unë mbusha 10 vjeç, e Nona na pregatiti diçka për me e “festu”. Erdhi dhe Z. Pjetri, i cili bile më dha racionin e tij të makaronave peshqesh. Mbas tre ditësh ishte ditëlindja e Mirit. Për fat atë ditë erdhi teze Bakushi me Shyqyriun, e kështu u shtru në sofër diçka ma tepër se zakonisht. Tezja nuk i besonte syve për çfarë shifte. Ma se nji herë qau e shkreta teze kur e pa se ku ishim të detyru me ngrys ditët ne fëmjtë e Jonuz Kacelit, ish-kunatit të saj. Tezja ndejti vetëm tre ditë, por për ne qe nji gzim i madh.
Kujto.al