A janë Lefter Koka dhe Alqi Bllako përfitues të inceneratorëve? Rama e...

A janë Lefter Koka dhe Alqi Bllako përfitues të inceneratorëve? Rama e nis me replika me Tabakun: Nuk kam ardhur këtu për asnjë aferë, jeni duke shkelur ligjin

391
0

Ka nisur me replika seanca në Komisionin Hetimor Parlamentar të Inceneratorëve, ku është thirrur për të dhënë dëshminë e tij kryeministri Edi Rama.

Rama këmbënguli që prej fillimit që Tabaku të mos e përdorte fjalën aferë, ndërkohë që refuzoi që të jepte përgjigje direkte nëse ish-ministri Lefter Koka dhe deputeti Alqi Bllako ishin apo jo përfitues të inceneratorëve.

 

Debatet:

 

Rama: Betohem se do t’ju them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

 

Tabaku: Zoti dëshmitarë, zoti kryeministër, zoti Rama, a është Lefter Koka pronar përfitues, duke iu referuar vendimit të qeverisë që ju keni miratuar?

 

Rama: Zonjë kam ardhur në këtë Komision, jam njohur me detyrimet e mija si dëshmitar, dhe jam njohur me dettyrimet tuaja si komision, në ligjin për komisionet hetimore kam lexuar se komisioni nuk mund të ngrejë akuza dhe as të ushtrojë atributet e Gjykatës.

 

Nuk lejohet që të fyhen dëshmitarët, këtë e keni bërë në mënyrë të përsëritur, dhe keni përsëritur akuzën e grupit të strukturuar kriminal. Do tju sugjeroja që në këtë Komision, të mos eksportoni debatin parlamentar dhe atë televiziv.

 

Mendoj se ky komision është shumë i rëndësishëm, unë i kam dhënë mbështetje të plotë, jam këtu për të ndihmuar në zbardhjen e të vërtetës dhe vetëm të vërtetës. Respektoni ligjin edhe ju. Besoj se nuk do të ishte një punë e shëndetshme e komisionit që ju të mos zbatoni ligjit.

 

Tabaku: Zoti dëshmitar ndajmë të njëjtat shqetësime, unë jam e sigurt që ju nuk do ti rezervoni sjelljet e dëshmitarëve të tjerë këtij Komisioni. Këtu do të flasim për provat që kemi pasur në funksione të ndryshme.

 

Rama: Sa i takon komentit të parë, ju e shkelët ligjin, nuk kam ardhur këtu për të zbardhur ndonjë aferë, afera është në komentin tuaj, këtu nuk mund ta shprehni, se këtu jeni anëtare e këtij komisioni. Ju bëni të gjitha pyetjet tuaja, që të jeni të qartë unë nuk kam ardhur këtu për asnjë aferë.

 

Tabaku: Zoti Rama, zoti dëshmitar, a është një nga pronarët përfitues të inceneratorëve?

 

Rama: Unë jam kryeministri i Shqipërisë, dhe unë Lefter Kokën e njoh si ministrin e mjedisit të qeverisë, nuk e njoh si pronar përfitues të ndonjë… se nuk ta ndoqa dot deri në fund trajektoren.

 

Tabaku: Zoti Rama, zoti dëshmitar, unë kam 51 pyetje. A është Alqi Bllako një person përfitues?

 

Rama: Më duhet tju them që ju keni shkelur ligjin, ju nuk keni nxjerrë asnjë fakt, faktet janë ato që kemi ardhur të ballafaqojmë bazuar në dokumente, jo në spekulime. Nuk shoh asnjë lidhje mes pyetjeve dhe rolit për të cilin kam ardhur këtu.

 

Gjatë ditës së djeshme kryeministri Edi Rama tha se e priste me padurinë marrjen në pyetje nga Komisioni Hetimor.

 

Ai këmbëngul se inceneratorët, apo impiantet e trajtimit të mbetjeve, siç preferon ti quajë, e shpëtuan Shqipërinë nga emergjenca mjedisore, dhe ishin një investim për të cilin qeveria e tij është krenare.

 

Rama është dëshmitari i fundit që do të merret në pyetje, nga lista me 41 persona.