Sfida e institucioneve publike përballë edukimit mediatik

Sfida e institucioneve publike përballë edukimit mediatik

407
0

Koalicioni për Edukimin Mediatik prej një viti ka nisur punën për të hartuar dhe mbështetur nisma që nxisin edukimin mediatik dhe mendimin kritik. Koalicioni, i drejtuar nga Instituti Shqiptar i Medias, përbëhet nga 10 institucione publike, organizata jo-fitimprurëse, si dhe përfaqësues të universiteteve, të përqendruar te media, arsimi, dhe të rinjtë.

Qëllimi i Koalicionit ka qenë të nisë një proces të krijimit të rekomandimeve specifike për politikat e integrimit të edukimit mediatik në sistemin arsimor formal, joformal dhe informal. Mendimet e mbledhura gjatë procesit të konsultimit do të pasohen nga bashkëpunime dhe nisma të ardhshme, të tilla si ndryshimi dhe pasurimi i kurrikulave shkollore për të reflektura nevojat e edukimit mediatik, apo angazhimi i mediave dhe organizatave të caktuara në nxitjen e krijimit të mendimit kritik.

Një nga drejtimet kryesore ku përqendrohet puna e koalicionit është rishikimi i politikave zyrtare për arsimin, të tilla që të shkojnë përtej politikave për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK), por edhe për nisma që nxisin mendimin kritik te cikli i ulët dhe i mesëm. Me bashkëpunimin e autoriteteve arsimore, tashmë po punohet për pilotimin e kurrikulave që përfshijnë nocionet bazë të edukimit mediatik në shkolla të ndryshme.

Po kështu, duke qenë se qytetarët e të gjitha moshave preken nga dezinformimi, koalicioni është përqendruar edhe te institucione si media publike, rregullatori i medias dhe universitetet, për të identifikuar Iniciativa që këto organizata mund të ndërmarrin në këtë fushë. Për këtë qëllim, si dy drejtime kryesore janë identifikuar përfshirja e transmetuesit publik në krijimin e programeve që nxisin mendimin kritik dhe edukimin mediatik, si dhe mundësia e rishikimit të kurrikulës bazë në disa lëndë shoqërore në universitete, për të përfshirë elemente bazë të edukimit mediatik, diçka që deri më sot mungon. Koalicioni funksionon në kuadrin e projektit “Media për qytetarët – Qytetarët për Median,” të mbështetur nga Bashkimi Europian.