“Një ish-ambasador shqiptar më doli kundër për Nobelin”/ Ismail Kadare: Letër anonime...

“Një ish-ambasador shqiptar më doli kundër për Nobelin”/ Ismail Kadare: Letër anonime kundër meje! Çfarë më tha anëtari i Akademisë Suedeze

514
0

Akademia e Shkencave të Shqipërisë edhe këtë vit i ka propozuar Akademisë Suedeze emrin e shkrimtarit Ismail Kadare për çmimin “Nobel” në letërsi.

Por sa herë flitet për çmimin “Nobel”, risillet në kujtesë lobimi kundër Kadaresë nga vetë shqiptarët, vite të shkuara. Vetë shkrimtari e ka konsideruar “skandaloze”, ndërsa tanimë e pret me shumë qetësi tetorin, muajin e ndarjes së çmimeve. Nëse dikur priste me ankth zilen e telefonit, tanimë është thuajse indiferent.

 

“Po, do të ishte imazh shumë i mirë për vendin tonë përballë prapësive. Do t’i kishte dhënë imazh, si vend i vogël me gjuhë të lashtë…”, është shprehur kohë më parë Kadare, teksa shtonte se “jemi bërë tashmë si të shtëpisë me anëtarët e jurisë së Akademisë së Nobelit dhe Sekretarin e përhershëm të tyre…”. Në një prej rrëfimeve të tij ai është shprehur se vetë anëtarë të Akademisë Suedeze i kanë rrëfyer për letrat anonime dërguar kundër tij.

 

“Një ditë, madje, mua dhe Helenën na ftoi një prej tyre për drekë. Iu luta të hyja në Arkiv, doja të shikoja letrat anonime për mua, por refuzoi. Iu luta të më thoshte çfarë shkruanin, por ai më tha vetëm një rast që iu është dukur të gjithëve grotesk. Se ishte grotesk nuk do të thotë se nuk ishte marrë në konsideratë, sado banal të ishte. Aq të çuditur me këto “anonime” shqiptare”, ka treguar Kadare. Shkrimtari është shprehur se i kanë treguar për një letër anonime ku mes të tjerash ishte shkruar se me veprën e tij “sulmohet gjuha shqipe”, se Kadare nuk shkruan në gjuhën shqipe.

 

“Kjo ishte vërtet groteske dhe e pakuptueshme”, thotë shkrimtari. Nxitur nga kjo ngjarje, Kadare ka treguar se botuesi i tij ekskluziv në Francë botoi gjithë kolanën në gjuhën shqipe si dhe frëngjishte, duke ua bërë dhuratë Akademisë suedeze.

 

Një nga të akuzuarit e drejtpërdrejtë për lobim kundër Kadaresë ka qenë ishambasadori në Suedi, Bardhyl Kokalari, i cili u përfol se përmes një grupi shqiptarësh që jetonin në Suedi ka dërguar letra panë Akademisë.

 

“Një ish-ambasador i Shqipërisë në Suedi, ka kundërshtuar nominimin tim me këtë çmim. Ky ishte një veprim skandaloz, saqë edhe vetë shtypi u mor gjatë me këtë çështje. E ç’është më e keqja, ai ambasador ishte nga Gjirokastra”, është shprehur Kadare në vitin 2008.

 

Ish-ambasadori Bardhyl Kokalari nuk i pranoi kurrë akuzat, duke u shprehur se nuk i kishte shkuar kurrë në mendje një gjë e tillë dhe se Suedia është vendi më demokratik në botë dhe nëse do të ekzistonte një letër e dërguar nga ai, me siguri do mund të bëhej publike, por një e tillë nuk ekziston.