FSHF mbyll stadiumin “Elbasan Arena” për të paktën dy javë. Shirat e shumtë të ditëve të fundit dhe për më tepër zhvillimi aty i ndeshjeve si pritës nga klubet e Partizanit dhe Kukësit, ka bërë që në institucionin e futbollit shqiptar të mbyllin stadiumin për të mos rënduar edhe më tepër gjendjen e tapetit.
Në këtë periudhë fusha e Elbasanit ka qenë ndër më të mirat, duke sfiduar reshjet e shumta dhe ofruar kushte komode skuadrave si partizani dhe Kukësi që kanë bërë një kontratë me FSHF-në për të luajtur aty si pritës në mungesë të stadiumeve të tyre.
Që para ndeshjes Partizani-Vllaznia, fillimisht u njoftua klubi i Kukësit që të zgjidhte një tjetër stadium për javën e 18- të, ku sipas kalendarit duhet të luajë në fushën e vet ndaj Kastriotit. Nga ana tjetër, për Partizanin nuk përbënte problem mbyllja e stadiumit, pasi kalendari i rezervon tri ndeshje radhazi në transfertë.
Në këto kushte fillimisht FSHF i ofroi Kukësit stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, i cili këtë javë është i lirë, pasi Apolonia luan në transfertë. Mirëpo, drejtuesit e klubit verilindor duan një fushë të mirë dhe insistuan për të zgjedhur stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Ngërçi i vetëm ishte për faktin se të premten në këtë impiant luhet Vllaznia-Laçi në orën 18:00.
Pas bisedimeve mes të gjitha palëve, u ra dakord që ndeshja Kukësi-Kastrioti të luhet në Shkodër dy ditë më pas, pra të dielën në orën 13:45 në “Loro Boriçi”. E gjithë kjo situatë vjen prej faktit se stadiumi “Zeqir Ymeri” ende nuk ka përfunduar nga rikonstruksioni