Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për efektivin e Shqiponjave Nevaldo H., i cili akuzohet s eka qëlluar me armë zjarri 25 vjeçarin Klodian Rasha duke i marrë jetën. Vetë efektivi 25 vjeçar i Shqiponjave ka thënë në sallën e gjyqit se donte që familjarët e Klodianit të ishin prezent që t’iu kërkonte falje. Më herët, ai i ka thënë gjyqtares që të merrte çfarë vednimi të donte, sepse i penduar ka thënë se tashmë ai kishte vrarë një njeri.
“Kjo që më ka ndodhur mua mos i ndodht askujt. Merrni çfarë mase të doni, kam vrarë një njeri. Njoftova sallën, kërkova përforcime. Gjithçka ndodhi për 4-5 minuta”, mësohet të ketë thënë efektivi Nevaldo H. në sallën e gjyqit.
Kujtojmë se, në orët e para të datës 8 dhjetor, efektivi i Shqiponjave Nevaldo H. bashkë me një koleg ishin duke patrulluar në rrugën “Dritan Hoxha”, dhe aty konstatuan 25 vjeçarin që qëndronte pranë një peme. Ata i kanë kërkuar të afrohet por në atë moment Klodian Rasha është larguar me vrap.
Efektivi Nevaldo H. i është vënë pas dhe në ndjekje e sipër dyshohet se e ka qëlluar me armë zjarri duke i shkaktuar për pasojë vdekjen. Ai e ka dërguar vetë me autoambulancë trupin e 25 vjeçarit në spitalin e Traumës por fatkeqësisht ai kishte ndërruar jetë.