Qeveria greke ka njoftuar se do të mbyllë shkollat deri në 7 janar. Kjo masë vjen për të përballuar dhe ulur rastet me koronavirus. Në një komunikim për mediat, zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas thotë se deri në këtë datë do të qëndrojnë të mbyllura edhe restorantet, vendet e argëtimit, gjykatat, pistat e skive apo edhe aktivitete të tjera sportive. “Kthimi duhet të bëhet gradualisht dhe në mënyrë të sigurt. Ne po shpallim zonat që nuk do të jenë të hapura: Shkollat, restorantet, argëtimet, sportet janë të mbyllura deri më 7 janar. Ekziston ende një ndalim i qarkullimit nga qarku në qark dhe lëvizjet gjatë natës. Ata që hyjnë në Greqi duhet të kenë një test negativ”, tha zedhenesi i qeverise greke.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar se vaksinimi pritet të fillojë në Greqi në fillim të Janarit 2021, ndërsa zhvillimet dhe vendimet e fundit do të raportohen më hollësisht në një intervistë të gjerë sot në mbrëmje.