Rrëfimi i Visar Zhitit për të vëllanë: Ditën kur u martua, Sherif...

Rrëfimi i Visar Zhitit për të vëllanë: Ditën kur u martua, Sherif Merdani i këndoi nga Qafë-Bari! Si u përlot Toto Cotugno kur mori vesh pse ishte burgosur këngëtari

540
0

Poeti, shkrimtari dhe diplomati Visar Zhiti rrëfen përjetimet e tij në burgun famëkeq të Qafë-Barit, veçanërisht ditën e dasmës së vëllait të tij, Ilirjan Zhitit. Në librin e tij “Ferri i çarë”, Zhiti risjell momentet e njohjes me këngëtarin e njohur Sherif Merdani, edhe ai bashkëvuajtës në të njëjtin burg, për shkak se kishte kënduar këngë dashurie në Festivalin e 11-të të Këngës.

Por ditën që Ilirjani martohej dhe Visari u ndante shokëve bashkëvuajtës të burgut llokumet e gëzimit, siç është tradita, Sherif Merdani për t’i dhuruar një fije gëzimi në këtë ditë të lumtur për çdokënd, e merr dhe shkojnë në sallën e kulturës. Ai këndon disa këngë, si “Këngën e Nënës”, apo “When I am dead, my dear!” me zë të ulët dhe pse policët dhe rojet e burgut ishin kudo.

 

Për Visar Zhitin kjo ishte dhurata më e madhe që mund t’i bëhej në atë ditë kur martonte vëllanë dhe vetë ishte i ngujuar në burgun e Qafës së Barit. Poeti sjell dhe përlotjen e këngëtarit të njohur italian, Toto Cotugno, kur dëgjoi pas viteve ’90 Sherif Merdanin të këndojë, i cili ishte dënuar pse i kishte kënduar dashurisë dhe jo partisë.

 

Visar Zhiti, gjatë kohës së dënimit

Visar Zhiti, gjatë kohës së dënimit

NGA VISAR ZHITI

 

…E ndjeva të dielën në burg… Për siguri, i numërova ditët me gishtat e vrarë: po, po, sot i takon të jetë e diel, por jashtë telave me gjemba. Oh, si po ma përthith shpirtin, po e hedh në ajër në ca si gjeratore ku përzihet gazi me brengën.

 

Sot martohet yt vëlla, Iliriani, sikur pëshpërit letra ime më e fundit. Sot, sot, në kohën që unë do të jem nën dhé, duke shtyrë vagonin e rëndë, në shtëpinë time të largët vjen nusja e bardhë. O Zot, bëj që sot të mos vritem, të mos prishet hareja e dasmës me një telegram të zi. S’e di, edhe nëse nuk shkon lajmi, shkojnë rënkimet e mia, enden nëpër tryezat plot me miq e këngë, futen te gota e rakisë së tim eti, te kulaçi i dasmës që e ka bërë nëna, te loti i motrës, te këpucët e vëllezërve, në pjatat e atyre që më duan. Unë s’do të jem atje, në dasmën e afërt e të largët, ajo s’mund të shtyhet, jo, në asnjë mënyrë, s’dihet sa vonoj, s’ka kthim të shpejtë, më vjen keq, shumë keq që do të mungoj, që ju do të dëshpëroheni për mungesën, s’është faji im, por ngazëllimi im do të jetë, i përzier me urimet rrëzëlluese.

 

..Pra, ëmbëlsira mes dhëmbëve do të ketë një si hidhësirë, lumturia do të spërkatet me pikla të ndritura arseniku. Trishtimi do t’i zmadhojë sytë e nuses, fytyra do të marrë një si përzgjatje ikonash bizantine me zbehtësim hëne, por gjithsesi, bukuria do të shfaqet, sepse fustani i bardhë, velloja prej flladesh, pavarësisht nga çmimi e gurët e çmuar që mund të ketë, edhe pa rubinë fare, njëlloj duhet të emocionojë në të gjithë botën. Ajo një herë vishet. Teksa zvarget nëpër shkallë e në dysheme si një shteg bore, ai shteg i ëndërrt është më i paharrueshmi dhe më magjepsësi në çdo jetë.

 

Ti, ti, vetja ime, po shihje malet përreth, sa shumë ishin afruar, oborret e burgut ngushtuar, fjetoret shformuar, shihi ngrehinat – shkurtepsur, me ato dritaret me llamarina si sy të zënë, ja dhe telat me gjemba, ferra shteti, kurse vendrojat qenë zmadhuar, edhe ushtarët, edhe grykat e armëve. Mu sipër tyre një shtëllungë e bruzdë reje dhe re të tjera iknin krushqërisht, me një ceremonial të parrëfyeshëm qiellor. S’i kishe pasur ndonjëherë zili retë, ishte hera e parë. Të mbështilleshe me to a të ishe re edhe vetë, të ikje, të ikje, sipër rrethimit, të rendje me erën mbi male, të ikje, të ikje si në përrallat që tregonte xhaxhai yt, ik e ik e ik e ik e… – ç’bëri pastaj? – po prit, s’ka mbërritur ende, ik e ik e ik… – po mjaft – ik e ik e ik, vazhdonte ai, pa asnjë ngjarje, veç rrafshinës së zbrazët, hiçnajës dhe asaj ecje pa mbarim… të ishe re, të kundroje nga sipër lumenjtë si fjongo e shtëpitë – kuti dhuratash, të kërkoje një dasmë në qytetin tënd të vogël. “Ku do të jenë mbledhur, në ç’lokal, se apartamenti s’nxë dot një dasmë të tërë. Kanë marrë orkestër? Venë muzikantët atje ku s’kanë biografi të mirë për Partinë? Nëna e ka pëlqyer nusen, se nënat gëzohen shpejt, por s’kënaqen lehtë. Po babai a sheh dot, apo i janë dobësuar sytë edhe më dhe vetëtima e nuses do t’ia djegë paksa qerpikët? E letra, letra nga burgu, kur mbërrin? Ndoshta e ndalin policët, s’e nis fare operativi me censorët, “s’lejohet aq shumë ndjenjë, pale dhe vargje. Nuk zuri mend ai? Ej, i dënuar, je dënuar për poezi! Hiq dorë!”

 

Dole në oborrin tjetër me diell, që shumë po shndrinte, por pak po nxehte. U përshëndete me dikë, se për ku ngutej, në asgjëkundi.

 

Por Valerit ia the gëzimin dhe brengën. Edhe dëshirën. Një këngë, doje një këngë sot, ja, tani, sa pa vajtur në nëndhé. Po martoje vëllanë, “të trashëgohet”, – të tha ai, “në kokë tënde”, – qeshe ti, “dhe në tënden”, – ta ktheu.

 

Po ne kemi këngëtar, më të mirin e muzikës së lehtë, i famshëm, Sherif Merdani, i dënuar pas Festivalit XI, edhe festivalin e dënuan, se u këndua si në Europë.

 

E harrove ç’biografi ke, i pandehur? Të bëmë dhe arsimtar ty, të lejuam dhe të këndosh e ti na tundje gjurin në skenë. Keni qenë të pasur, tregtarë!

 

Nënën ia burgosën në fillim. Kërkonin floririn. Ku e keni fshehur?! Konfiskonin gjithçka, ç’shihnin, mor dhe gramafon, djepa, shpirtra.

 

Sherifi i vogël merrte vëllanë e porsalindur në krahë, të mbështjellë me batanije dhe ia jepte policit te porta e rëndë. E ky ikte, s’dihej se ku… ia çonte në qeli s’ëmës që t’i jepte gji, të pinte qumështin e athët nga ankthet. Kështu çdo ditë. Dëgjonte të qarat e bebes dhe priste t’ia kthenin, ishte vëllai i vockël fare, se mos ti ishe i madh. Së brendshmi ndiente një si ndezulli dhe sytë i rrëmbusheshin me lot.

 

Korça mërdhinte e mbështjellë me borën e saj. Nëna tani ledhatonte foshnjën, e mbështetur pas një muri të ftohtë. Qumësht muresh që klithnin… Edhe ti doje përkëdhelitë e saj, e doje atë në shtëpi, por dhe shtëpitë po i merrnin ata që zbritën nga malet, gjoja si çlirimtarë. Kështu të iku fëmijëria, përndjekje një pas një, kjo ishte loja jote, si me bomba të vërteta. Dhe çdo ngjarje shkrihej jo vetëm në kujtesën tënde, por dhe në zërin tënd. Ngopej me dhembje ai zë si me shi. Deshe të këndoje. Patjetër. Ndryshe do të plasje. Sa mirë këndon, more djalë! Kështu bëje pasditeve, kur të çuan mësues fshatrave të Skraparit, andej ku nuk shkonte askush, kishin nevojë, ti mbaje dhe një harmonikë goje, pastaj në Librazhd…. Ç’zë mahnitës, thoshin për ty, një drithërimë që s’e ka askush, është ca elegjiak.

 

Si mund të këndojë në skenat e socializmit, ku duhet optimizëm, vrull revolucionar dhe biografi e mirë politike? Kjo e fundit është e para. Po atë duhet ta nxjerrim në publik, që të propagandojmë se edhe te ne mund të këndohet me nivel të lartë artistik, se te ne përkrahen talentet, ka liri proletare, e ç’liri, më e përçudnuara në botë…

 

…këndon Sherif Merdani. Dhe ai dilte nga errësira në skenë, me kostum të zi, i gjatë, flokët e errët me zbardhëllime të pakta. Kur e shihja ashtu, edhe unë i fshehur mes brohërimave të spektatorëve, se si më dukej, dhëndër i përzishëm. Pse ishte veshur aq elegant, për ardhjen apo për lamtumirën? Dhe vërtet, kur këndonte “Këngën e nënës”, njerëzit mbanin frymën, prekeshin, paska dashuri më të madhe, për atë që të ka dhënë jetën, përloteshin. Duartrokitje të fuqishme, biiiiiiizzzz, prapë këngë dashurie, ç’zë, i thellë, nga vjen kështu me kaq dëshpërim si gëzimi, me kaq gëzim si dëshpërimi, ritëm i ri, hare, jetë, kitara, 1, 2… supe të zhveshura grash, 3 kitara… u bënë 9, “ten guitars”, Tom Xhons tamam. S’e ke dëgjuar në këngët italiane ti, sa melodioz e i ëmbël, në ato të ndaluarat. E di si më duket tani? Sikur jam në Romë, ku s’kam qenë kurrë.

 

Festivali XI mbaroi, sa i bukur, por asnjë këngë për Partinë dhe shokun Enver, ku i çon mushka ata? Çfarë the, mushka? Ej, është kohë veturash e avionësh, pyet: ku i çon zemra?

 

Nisën kritikat, ritme të shthurura, saks, xhaz, të ndalohet, Ple(h)numi IV, vetë Enveri ça s’shau, Europë e përdalë… Ç’këndoi ai me biografi të keqe, Sherif Merdani? “Duart e tua”, – lidhiani…

 

E zbritën nga autobusi, teksa shkonte në punë larg, dhe i hodhën prangat nja dy civilë të rinj si personazhet e Kafkës. Ke dëgjuar këngë të huaja në televizionin italian, ke kënduar si ata, ke përhapur idetë e tyre…

 

Në burgun e Spaçit… vrau veten, kështu thanë… Në fakt ra nëpër zgafellet e minierës, u thyen shkallët e lagura dhe të brejtura prej rrëshekëve me ujëra acide dhe, ndërsa binte në humnerën e ngushtë të ferrit, desh Zoti që marteli i tij me gjithë kolonën metalike ngecën shkëmbinjve (ngaqë ajo ka ca këmbka si kthetra) dhe mbetën të varura fare pranë kokës së përgjakur të njeriut. E çuan në spital pa ndjenja dhe më pas në Burgun e Burrelit.

 

Muzikë sipas kërkesave të dëgjuesve: “Kënga e nënës”, – prezantonte folësi i Radio-Tiranës në altoparlantin e varur në dritaren e pistë të qelisë së madhe, por nuk këndonte më Sherif Merdani. Dhe vetëm në këtë rast folësi përmendte emrin e këngëtarit tjetër.

 

Këngëtarë të tjerë shkonin studiove, nxirrnin me leje të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga Arkivi i Zi këngët e atij armikut të bukur, vinin kufjet në vesh dhe dëgjonin 5-6 orë në ditë, donin të mësonin si i kishte shqiptuar a-të dhe rtë, vibrimet, por pse ashtu mësohet dhembja?

 

“Ah, – psherëtinte nëna ime, – qysh i dëgjon e shkreta nënë e Sherifit ato këngë tani! Se mos e hap radion ajo… ooiii” – tundte kryet e zbardhur.

 

Unë e njoha këngëtarin në ditët kur sillnin të burgosur të tjerë për të mbushur kampin e akullt të Qafë-Barit. Kishte mërzi tjetër në fytyrë, me flokë të irnosur në tëmtha e me një shapkë të bardhë në kokë, nga ato që i qepin vetë të burgosurit me copa çarçafësh. Iu afrova, mund ta ndihmoja për thasët a thjesht të pinim një kafe, të mblidhte veten, unë kisha pak në qese, të gjitha këto për hir të këngës.

 

Kur u miqësuam e shkëmbenim libra italisht dhe anglisht, mbaj mend se si ai erdhi njëherë me ngut në vendin ku flija, radha e dytë e shtretërve, vaisi kryet aty në anën kundruall dhe i pashë lot të mëdhenj në sy, të kulluar siç nuk janë shpesh në burg. “Faleminderit për poezinë që më kishe kushtuar, e mrekullueshme! S’e kam ditur se më kanë dashur aq. Ma shkruaj, e dua nga dora jote, se do të di ta ruaj”. “Faleminderit!”. Më pa edhe një grimë e iku shpejt duke mbledhur kindat e kapotës së arnuar. S’pata kohë të lëvizja nga shtrati, ndieja lektisje brenda vetes, gëzim e mallëngjim njëherësh, ngaqë kisha dalldisur prekshëm një tjetër, këngëtarin. Një si ngjyrë mëllage, pllanga-pllanga, i veshi muret. Po binte muzgu hallavitës i burgut.

 

Rende për në depon e ushqimeve, nxore pakon e madhe të llokumeve nga thesi yt, e ruaje për këtë ditë, e diel dasme, e shqeve me duart e harbuara, i dhe një rojës së burgosur të depos, pa i thënë asgjë, dhe e mbajte frymën te Valeri. “Dua një këngë, – i the i ngashëryer, – merre dhe një llokum tjetër”. “Shkojmë te Sherifi?”. I dhe llokumin e urimit. Po këto të tjerat? T’i hamë të gjitha. Ashtu kokë më kokë të tre, pas murit para shkallëve të korridorit të zyrave të riedukimit.

 

– Ejani, – tha këngëtari, – futemi në atë që gjoja është dhoma e kulturës. M’i kanë lënë mua çelësat, ngaqë di t’i bie fizarmonikës, – dhe, me të mbyllur derën, i hodhi rripat e atij instrumenti krahëve. Sikur dyfishoi kraharorin e vet. Zbrazi frymë. Se si t’u duk, si në një torturë. Fluturoi lehtë gishtat nëpër tastierë, tinguj, një melodi, kaq e ëmbël… muaj mjalti… kështu kishe lexuar nëpër libra, të porsamartuarit shkojnë e mbyllen në një dhomë hoteli, shohin shiun nga xhamat, pyllin, veturat, çifte kuajsh e s’dalin fare, bëjnë dashuri natë e ditë. Në diktatura s’lejohet. Zëri i këngëtarit të rrëqethi. Ajrin e shndërroi në cicërima gjithë flatrime zogjsh, që s’dihet se si ikën. Po i këndonte dashurisë, zëri forcohej, malli bashkë me të, por jo me tone të larta, jo, jo, nuk duhej të dëgjohej jashtë, një ngjirje mahnitëse sikur zëri të qe fërkuar në kurrize dritash në botën e tejme, me qytete të gjallësh. Kënga ecte e lumtur nëpër këmbësore, anash vitrinave llamburitëse, po, po, kishte prapë të tilla, ku rrotulloheshin veshje grash me shkëndijime të befta, fustane të ujvarta, çizme me majë të hollë sa takat – me t’i veshur duhej të vallëzoje vetvetiu – magnetofona që përsëritnin këtë këngë, krehra, lëviznin vetë mbi floknaja muzgjesh, të kuq buzësh, mund të shkruaje xhamave me të:

 

“Të dua”, por papritur fjala e kuqe shndërrohej në vazhdë gjaku. Këngëtari kishte anuar kokën e rëndë mbi fizarmonikë, e ngriti dhe buzëqeshi. Nisi të këndonte anglisht këngën e vet, atë që kishte kompozuar me mend në qelitë e Buu-uhrrr-bbrrr-e-e-l-i-i-t-t, “When I am dead, my dear!”. “Është poezi e Kristina Rosetit”, – tha shpejt dhe zëri i tij nisi të ndizte qirinj, flakët e të cilëve, nga shkaku i lotëve, ngjanin si brerore të rubinta. Pastaj solli bregun e detit, dallgët që kërkonin të shuanin një emër të shkruar mbi rërën e lagur, emër vajze, i së fejuarës së këngëtarit – detin, detin të kesh rival në dashuri. – Dhe “Këngën e nënës, – iu lutët ju, – do ta këndosh?” “Patjetër!” Të ecësh krah për krah me nënën, nën borërimën e dhembshme të moshës, njeriu plaket, e ka dramën e vet, të bukur e madhështore. Pse shpiken dënime të tjera? Ah, zëri shtrihej, donte të mbulonte gjithësinë, pastaj hovte, hidhej nga njëri yll në tjetrin dhe vishej me argjend, po, po, e gjete, këngëtari ynë ka zë të argjendtë me gdhendje pikëllimi dhe t’u nëpërmendën servise fisnikësh, korniza, shandanë, pasqyra, bastunë dhe pena pranë një telefoni të zi, të mbledhur kutullaç si një kotele. Ti je supersticioz, macet e zeza s’ke qejf të të dalin përpara. Po është mace shtëpie! U ngrit dhe iku te pragu i dasmës, ku dëgjohej kënga. Si ta ruajmë këtë zë? Është yni!

 

Shfryu fizarmonika ose ai, a të dy bashkë një brengë, aq të madhe tani, teksa Sherifi e la mbi tryezën e pluhurosur. Buzëqeshi dhembshëm. “S’mund të bëja dot më shumë, kaq mundesha”, – dukej sikur thoshte. “Po ti bëre shumë, faleminderit, më dhe këngën, atë që s’duhej të mungonte tek unë sot. Të jam mirënjohës përgjithmonë”.

 

A kanë mbërritur retë e mia në dasmë? I nisa vetë si një karvan kuajsh. Qielli i natës qe ulur fare mbi kokët tona; i dëshpëruar sa më s’bëhet, po kërkonte ngushëllim nga ne. “Ju e dëgjuat një këngë, mendoni dhe për mua, – sikur lutej, – hidhmëni vështrime të gëzuara. Në djall telat me gjemba, perandoria komuniste në djall! Ndizeni dasmën brenda vetes, lartësojeni në qiell. Ejani, ta bëjmë këtu”. Ti u bëre re njëherë dhe tani po prin karvanin e kuajve të reve. Janë krushqit. Tani ti po sjell një re të bardhë, qumështore, kalin e nuses, kurse reja tjetër e përflakur është kali i dhëndrit. Fluturoni.

 

Jeni të ftuar ta vazhdojmë dasmën në qiell, sepse toka s’ju mblodhi dot, s’e mbajti premtimin, ja, ja, pas xhamave ajrorë, po enden ngadalë pëllumba, fare ngadalë ose shami vallesh. Horoskopi u trand prarueshëm. Rruga e Qumështit, pikon gjiri i nuses, edhe mund të jetë shtatzënë, erashka hënash, ylbere të dehura dhe dy re në krye, të bruzta, prindërit. Po ç’kanë? Patjetër që janë të gëzuar midis reve të tjera të lumturisë, por një letër…

 

Kush e solli atë letër nga toka dhe iku? Nga nëntoka, nga ferri i saj. O Zot, ç’letër e mrekullueshme, pikërisht tani, me vulën e burgut. Po pse tani? Ta kishte lënë për pas dasme, meqë nuk e solli dot para saj. Ta ketë bërë me qëllim postieri?! “Ç’do të thotë burg, të lutem, thuama”, – pyeti një re e vogël puplore. “Herë tjetër, – iu përgjigjën, – po shko dhe mbaji fustanin nuses nga pas”.

 

Ngashërime, po qanin, jo me zë, jo, mosni, është dasmë. Letra… nuk e lexonin dot, sa prekëse. Leko, Frisko, u thoni të pushojnë, se juve ju dëgjojnë ata… Zonjë, je mamaja e tre djemve dhe e një çupe, secilit i takon gëzimi i vet që është i të gjithëve. Jemi dëshpëruar bashkë, kur ishte për t’u dëshpëruar, të gëzohemi bashkë tani që duhet të gëzohemi. Është dhe porosia e tij, e ka shkruar në letër. Këndoni, ju lutem, një valle, dasma vazhdon.

 

Te xhamat pati një si dyndje resh, kuaj të bardhë dhe mes tyre llapsi një dritë e madhe, e dielltë dhe reja në krye s’po shikonte dot më, e verbuar.

 

* * *

 

Sherifi na erdhi për darkë në atë apartamentin e vogël, tek ai pallati i keq në Lushnjë. Sa u gëzua nëna ime dhe e përqafonte.

 

“Ai është vërtet? – më ndalnin rrugës shokë nga fabrika e tullave. – Këndon, këndon më?”.

 

Po, Sherifi u ngjit prapë në skenë, kur diktatura kishte dalë nga skena.

 

Në një koncert kishte ardhur një këngëtar i njohur italian, Toto Cotugno. Prezantuesja i shpjegoi në italisht se kolegun e tij shqiptar e akuzuan dhe për një këngë të tij, pse e këndoi, pse, pse pikërisht atë…

 

– Dhe e dënuan? – u trondit italiani.

 

– Po. – Ju kërkoj falje, – tha ai dhe sytë iu rrëmbushën me lot. Dhe e kënduan të dy atë këngë, krah për krah, mes duartrokitjeve. Ishte e para falje dhe e vetmja që na u kërkua neve.