Fati i keq e ka përndjekur Elseid Hysajn dhe Kombëtaren shqiptare. Në momentin kur jemi në prag të ndeshjes më të rëndësishme në Ligën e Kombeve, rezultati i së cilës do të vulosë edhe fatin e grupit, kuqezinjtë humbasin një prej lojtarëve më të rëndësishëm. FSHF ka njoftuar pak minuta më parë se Elseid Hysaj ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
Futbollisti i Napolit është karantinuar menjëherë pasi mësoi përgjigjen e tamponit, ndërsa mësohet se do të qendrojë i izoluar në Shqipëri deri në momentin kur të largojë virusin nga trupi i tij. Ndërkohë bëhet me dije se pjesa tjetër e lojtarëve dhe e stafit teknik të Kombëtares ka rezultuar negativë në testin e bërë mëngjesin e sotëm.
Njoftimi i FSHF-së:
Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, humbet ndeshjen ndaj Bjellorusisë pasi ka rezultuar pozitiv në testin e COVID-19.
Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se futbollisti është njohur me rezultatin e tamponit gjatë mbrëmjes dhe është karantinuar menjëherë.
Njëkohësisht, njoftohet se të gjithë lojtarët e tjerë dhe stafi teknik i Kombëtares, të cilët i janë nënshtruar tamponëve sot (sipas protokollit një ditë përpara ndeshjes), kanë rezultuar negativë. Hysaj do ta kryejë karantinën në Shqipëri derisa të rezultojë negativ.