Ushqyerja është një aspekt shumë i rëndësishëm i shëndetit të organizmit. Krahas saj, koha e ushqyerjes është po aq e rëndësishme, thonë ekspertët.
Një studim i publikuar në revistën Nutritional Science, këshillon se ushqyerja në bazë të kohës mund t’ju vijë në ndihmë për të humbur kilogramët e tepërt.
Ushqyerja në bazë të orareve
Kjo metodë ka të bëjë me konsumin e ushqimit në orare të caktuara gjatë ditës. Në studimin e lartpërmendur, pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe.
Grupi i parë konsumonte mëngjesin 60-90 minuta më vonë se zakonisht dhe darkën 60-90 minuta më herët. Grupi i dytë iu përmbajt rutinës së përditshme të ushqyerjes. Në fund të studimit, ekspertët zbuluan se grupi i parë kishte humbur më tepër kilogramë dhe kishte reduktuar sasinë ditore të kalorive.
Për më tepër, ky grup kishte reduktuar edhe faktorët e rrezikut të shëndetit siç është kolesteroli i lartë.
Falë këtyre rezultateve, ekspertët thanë se ushqyerja e kufizuar në bazë të kohës ishte shumë efikase në humbjen e masës dhjamore.
A duhet të jetë fleksibël ushqyerja
Pjesëmarrësit në studim e patën të vështirë t’i përmbaheshin orareve kufizuese të ushqyerjes. Këto orare herë pas here ndërhynin me angazhimet e ndryshme shoqërore dhe familjare. Megjithatë, 43% e tyre thanë se do të vazhdonin me këtë regjim nëse oraret do të ishin më fleksibël.
Nisni të largoni pak e nga pak orarin e mëngjesit dhe të afroni nga pak orarin e darkës deri sa të arrini ta afroni me 60-90 minuta. Një qasje më e lehtë është kombinimi i regjimit me orare të kufizuara me regjimin e kufizimit të ushqimit. Ky i fundit mund të aplikohet në mënyra të ndryshme.
Sipas ekspertëve, kjo teknikë mund të reduktojë masën dhjamore, kolesterolin dhe glukozën në gjak Njerëzit që i përmbahen këtij regjimi ndihen më pak të uritur dhe hanë më pak. Regjime të tilla, luftojnë obezitetin dhe të përmirësojnë cilësinë e jetës.