Kampionati nuk po nis dhe Kukësi është përballur me një revolucion në skuadër brenda një kohe shumë të shkurtër, ku senatorë të sezonit të shkuar janë larguar dhe lojtarë të rinj kanë ardhur nën urdhrat e Skënder Gegës. Ky i fundit së fundmi ka folur për këto çështje dhe jo vetëm në emisionin “Zona Gol” në “Super Sport”.
NISJA E SEZONIT- “Nuk kam informacion. Jemi me mendjen dhe sytë nga lajmet, është ndoshta situata më e vështirë që po kalojmë ne dhe i gjithë globi. Përveç koronës, na u bashkua dhe bojkoti. Unë jam pro zgjidhjeve të kërkesave, por dua të fillojë sa më shpejt. Të jem i sinqertë, ne, te Kukësi, na ka ndihmuar, por gjithsesi gara duhet të nisë”.
RECIPROCITETI- “Bojkoti ka një arsye që është bërë. Koha dhe mënyra lë për të diskutuar. E vërteta është që sporti ka probleme që nuk duhen anashkaluar. Nuk është problemi nëse vijojmë pas dy javësh, zgjidhjet duhet të jetë për komunitetin e futbollit. Duhet të kemi një bazë ligjore dhe një marrëveshje dashamirëse. Duhet që shteti të mbështesë sportin, por dhe sporti duhet të jetë më i sinqertë”.
INVESTIMET- “Kam qenë i pranishëm në disa marrëveshje me disa futbollistë me disa mijëra euro. Është humbje e madhe. Nuk mund të themi ne kush do ta bëjë hapin para. Bojkoti mbase nuk është në momentin e duhur. Imagjinoni Demi, Gjici, presidenti i Teutës, që investon prej shumë vitesh. Për çfarë duhet të hedhin kaq shumë para kur nuk marrin asnjë. Të kesh edhe një oqean me para vjen një moment dhe përfundojnë. Prandaj duhet një marrëveshje mes palëve”.
REVOLUCIONI- “Një pjesë janë larguar me dëshirën e klubit dhe një pjesë tjetër insistuan vetë. Janë afruar shumë futbollistë, do të shohim se si do të shkojë. Të gjithë ata që kanë ardhur, kanë patur një standard dhe një kosto. Gjërat ndodhën shumë shpejt”.
TELUSHI- “Telushin e kam kërkuar unë, pasi mora vesh që u largua nga Partizani. Nuk kam qenë i pranishëm kur janë nënshkruar kontratat. Jam befasuar kur mora vesh që do të largohej, sepse e kishte bërë të tillë kontratën dhe klubi e kishte respektuar. I kërkova ta rishikonte vendimin, do t’i plotësonim kërkesat financiare, por e kishte vendosur për një sfidë të re”, përfundoi trajneri i verilindorëve.