Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Matthew Palmer shprehet entuziast për rifillimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për portalin Balkan Insider, përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor thotë se Shtetet e Bashkuara duan të shohin një zgjidhje gjithëpërfshirëse që do t’i shërbejë jo vetëm vendeve në dialog, por të gjithë rajonit.
Palmer thekson se Shtetet e Bashkuara duan njohjen dypalëshe, duke iu kundërvënë zërave se ka pasur diskutime për shkëmbime territoresh:
“Ne jemi të përqendruar te mbështetja e një procesi të udhëhequr nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që çon në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës që, më idealja, do të kishte në thelb të saj njohjen e ndërsjellë. Ngritja e idesë së shkëmbimit të territoreve, mendoj unë, e heq vëmendjen nga synimi qendror, i cili është që palët të ulen, të diskutojnë këto probleme dhe të identifikojnë rrugën përpara drejt normalizimit.”
Zyrtari i lartë amerikan përmendi mbështetjen dhe besimin që kanë treguar vazhdimisht Shtetet e Bashkuara ndaj institucioneve ndërkombëtare të angazhuara për të vënë në vend drejtësinë për Ballkanin Perëndimor. Palmer shtoi më tej se është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë bashkëpunimin me gjykatën speciale më bazë në Hagë.
“Shpresojmë qe këto institucione të drejtësisë të arrijnë të përmbushin misionin dhe mandatin e tyre dhe përfundimisht të shpërbejnë që në të ardhmen, drejtësia dhe shteti ligjor të jenë në duar e institucioneve të shteteve përkatëse”, përfundoi Palmer