Nuk duhet të kemi iluzione. Listat po i hapin ata, që i kanë mbajtur deri tani me kyç dhe i duan ende të mbyllura. Nuk po e bëjnë për popullin, për demokracinë jo e jo, por thjesht për t’i futur thikën njëri-tjetrit në zgjedhje.
Të gjitha sa thonë nuk kanë asnjë lidhje me interesin dhe dëshirën e publikut, por me llogaritë e tyre të pastra elektorale. Dhe nuk është çudi që në garën e tyre hipokrite për të mbajtur flamurin të dalë dikush e të thotë se i do 200 përqind të hapura listat.
Fakti që po zihen prapë, ne sigurisht nuk na prish ndonjë punë, përkundrazi. Ndoshta edhe Shqipërisë i bëhet më mirë nga kacafytja e tyre. Deri këtu, asgjë për t’u shqetësuar.
Por kaq është fare pak për të brohoritur fitore. Duhet ta dimë paraprakisht se hapja e listave nuk ka asnjë vlerë për ata që ndryshimin e kërkojnë nga shtëpia e tyre apo maksimumi në rrjete sociale. As nga ata që presin të shohin emisionin e Fevziut ditën e enjte për të kuptuar çfarë ndodh në Shqipëri, si tifozë që presin ndeshjen e fundjavës të ekipit të vet.
Hapja e listave vlen vetëm për ata që do të zbresin në fushë. Parti, lëvizje, shoqata, personazhe publike, që janë afishuar për ndryshimin, sot janë të thirrur nga koha. Të gjitha format e bashkëpunimit mes të ngjashmëve janë të mundura, për sa kohë që kauza e madhe i bashkon në një pikë.
Por ata duhet patjetër që të garojnë në këto zgjedhje. Në radhë të parë që të sfidojnë drejtpërsëdrejti pengmarrësit e mëdhenj të demokracisë në Shqipëri për dekada me radhë, por edhe për t’i dhënë qytetarëve një alternativë të re. Ndryshe, nuk ka asnjë kuptim.
“Fati ndihmon gjithmonë guximtarët”, thuhet në një këngë hit të Vasko Rosit. Dhe kjo duhet pasur parasysh nga të gjithë ata që e kanë seriozisht përpjekjen e tyre dhe jo thjesht si një mënyrë ankimi për atë që bëjnë keq të tjerët. Kjo edhe për faktin që mund të mos ketë kurrë një shans të dytë, sepse një mazhorancë e tillë e bollshme kushtetuese si kjo e Edi Ramës për meritë të Lulzim Bashës, që ia fali mandatet, Shqipërisë mund të mos i vijë më edhe për 50 vjet.
Ndaj nuk duhet pritur asnjë sekondë më për t’u dhënë avantazh ustallarëve të vjetër, që më shumë na urrejnë ne, sesa i frikësohen njëri-tjetrit. Sepse koha ka treguar, se midis tyre mund të bëjnë, jo vetëm luftë, por edhe pazar. Kurse ne në asnjë mënyrë nuk na duan nëpër këmbë, ndaj edhe do të bëjnë gjithçka mbi tokë për të na dekurajuar dhe dëmtuar në rrugën tonë.
Por mendoj se kjo duhet të na motivojë më shumë. Tek e fundit, ne të gjithë e dimë se politika nuk është ndonjë sport i lehtë dhe hapja e listave nuk e ka ndryshuar aspak këtë ligjësi të përbotshme dhe shekullore. Aq më tepër kur ajo po vjen si një “dhuratë” nga shkaktarët dhe përgjegjësit e krizave dhe gjendjes dramatike të shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Por, nga ana tjetër, nëse nuk do ta shfrytëzojmë këtë mundësi, jam i sigurt që hapja e listave, jo vetëm që nuk do të shërbejë pozitivisht për nisjen e ndryshimit, por mund ta përkeqësojë edhe më tepër ambjentin politik në Shqipëri. Sepse do t’u japë një argument të fortë oligarkëve politikë se ata fitojnë njësoj si më përpara edhe në kushtet e një gare më të hapur, pavarësisht sa e tillë do të bëhet ajo.
Që do të thotë se po dolën pa u lagur edhe këtë radhë, ata nuk do të mburren më vetëm si të fortë, por edhe si demokratë të mëdhenj. Dhe ai do të ishte vërtet fundi i botës.