Zyrtare: Sadiku zgjat huazimin te Malaga, heq dorë nga paga e korrikut!

Zyrtare: Sadiku zgjat huazimin te Malaga, heq dorë nga paga e korrikut!

539
0

Tashmë është zyrtare. Ajo që flitej në mediat spanjolle është konfirmuar edhe nga vetë klubi i Malagas.

Armando Sadiku do të qëndrojë deri në përfundim të këtij sezoni te skuadra andaluziane duke zgjatur periudhën e huazimit me Malagan deri në datën 2 gusht, edhe pse kontrata e firmosur sezonin e kaluar skadonte më 30 qershor, datë në të cilën sulmuesi i kombëtares shqiptare duhet të kthehej zyrtarisht te Levante.

Me një njoftim në faqen zyrtare Malaga komunikoi se Sadiku dhe 4 futbollistë të tjerë zgjatën periudhën e tyre të huazimit dhe do të jenë pjesë e skuadrës bardheblu deri në javën e fundit të këtij sezoni në Segunda Division.

Madje për të qëndruar te Malaga dhe për të dhënë kontributin e tij për këtë ekip, bomberi nga Elbasani ka hequr dorë nga paga e tij për muajin korrik, duke bërë një gjest shumë fisnik pasi Malaga ka vështirësi të mëdha ekonomike dhe rrezikon falimentimin.

Pas 2 gushtit Sadiku do të kthehet te Levante klub me të cilin 29-vjeçari kuqezi është nën kontratë deri në verën e vitit 2021.

Në këtë sezon të La Liga 2, Armando Sadiku është aktivizuar në 26 takime me Malagan teksa ka arritur të realizojë dhe 10 gola.

Pas 31 javësh në kampionat Malaga pozicionohet në vendin e 15-të teksa ka grumbulluar 38 pikë.