3 ditë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi të shtunën në mbrëmje në një hotel buzë rruge në autostradën Laç-Mamurras, vazhdon hetimi për të zbuluar autorët, shënjestrën, por më e rëndësishmja, shkakun e atentatit që në dukje i ngjan një skenari të filmave hollivudian. Bujar Lika dhe Paulin Gjergji, dy viktimat e këtij atentati, janë ende emra të pa filtruar totalisht nga policia e Shtetit dhe Prokuroria. Tri janë dëshmitë ku grupi hetimor është përqëndruar. E para, ajo e banakierit të lokalit ku dy viktima po pinin kafe së bashku, dhe ajo e dy djemve të Paulin Gjergjit.
Djemtë e Paulin Gjergjit panë gjithçka nga parkingu i hotelit, ku siç kanë rrëfyer në polici, sqarojnë burime për Dosja.al, kanë dëgjuar “Na vranë, na vranë”, si thirrje të fundit të dy viktimave. Ata kanë qëndruar në makinë, ndërsa i ati iu ka thënë se do të takonte Bujar Likën, për të diskutuar për një çështje pune.
Të dy djemtë, 21 dhe 27 vjeç kanë parë disa minuta më vonë, sesi nga një makinë kanë zbritur 4 persona, të veshur si punonjës të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Të maskuar, 2 prej tyre kanë hyrë brenda barit ku ndodheshin Lika e Gjergji, e dy të tjerë kanë mbajtur “peng” dy djemtë.
Në momentin kur djemtë kanë dëgjuar “na vranë, na vranë”, nga brenda lokalit kanë kuptuar se përballë tyre ishin dy vrasës, e jo dy efektivë të Policisë së Shtetit. Në këtë moment, njëri prej tyre, i ka bërë thirrje që të mos lëvizë asnjë centimetër, ose do t’i qëllojë. Njëri prej djemve të Paulin Gjergjit, 27-vjeçari i është lutur dy atentatorëve që të mos qëllojnë vëllain e tij më të vogël. Pas këtij momenti nga lokali ka dalë i plagosur njëri prej atentatorëve, i dyshuar se është i riu Kreshnik Tusha bashkë me bashkëpunëtorin e tij dhe më pas janë larguar. Ndërsa, banakieri i lokalit, ka dhënë një tjetër dëshmi që mund të zbardhë më tej atentatin. Ai ka thënë se dy policët-atentatorë, kanë hyrë në bar dhe kanë thirrur në emër Bujar Likën. Ai thtoë se ka parë teksa qëlluan Likën me plumb në kokë. Paralelisht me të, Paulin Gjergji ishte duke vrapuar. Në këtë moment, atentatorët kanë qëlluar edhe mbi të dhe janë larguar, ndërsa Lika kishte shtënë drejt njërit prej tyre.
HAKMARRJE PËR ATENTATIN E SHTATORIT NGA NJË SKUADËR 7-ANËTARËSHE?
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ka dyshime të forta se në këtë atentat kanë marrë pjesë 7 persona. Skuadra 7-anëtarëshe ishte e ndarë me role dhe detyra të veçanta. Një nga anëtarët e skuadrës “shoferi”, ka qëndruar në automjet, 4 të tjerë kanë zbritur të veshur si policë, ndërsa 2 të tjerë kanë vëzhguar Bujar Likën dhe kanë njoftuar autorët. Një nga pistat kryesore të hetimit është një atentat i ndodhur në Krujë në muajin shtator ku u plagos rëndë një personazh i njohur i zonës dhe mbeti e vdekur një e afërmja e tij. Pamjet e sigurisë janë “Kutia e Pandorës” për këtë ngjarje dhe pritet edhe bashkëpunimi i të vetmit personazh, Kreshnik Tushës. Ai do të njihet me masën e sigurisë ditën e mërkurë në ambientet e spitalit të Traumës në Tiranë.