Kur historia përsëritet brenda familjes. Anna Dhima është një prej specializanteve që shërbeu në maternitetin Mbretëresha Geraldinë duke pritur dhjetëra bebe që erdhën në jetë ndërkohë që e gjithë bota luftonte me koronavirusin.
Por kjo sfidë e madhe u thjeshtëzua duke paralelizuar betejën që kaluan prindërit e saj në vitin e vështirë 1997, kur ndoqën të njëjtën rrugë mes plumbave dhe pasigurisë.
Në një intervistë për Abcnews.al, Anna tregon se babai i saj ishte specializant në të njëtin pavion ku ajo shërben sot, pasi bashkë me të shoqen vendosi të ktheheshin nga emigracioni për të shërbyer si mjekë në vendin e tyre. Ana thotë se të qenit krah babait të saj në këtë rrugëtim të vështirë ia bën sa të lehtë, aq edhe të vështirë, për shkak është një profesion i vështirë që kërkon shumë përkushtim.
Ajo veçon periudhën e pandemisë për tingujt e të qarave të pafajshme të bebeve që vinin në jetë, pa e ditur se ç’po ndodhte në botë. Prindërit e saj janë shembulli më i mirë për të, dhe tregimet për vitet e specializimit në kohë “lufte” tashmë i ngjasojmë me një skenë filmi, gjë që i jep akoma më shumë kurajo për të vazhduar profesionin në hapat e dy shembujve më të mirë.
1-Kur lindi pasioni juaj për mjekësinë?
Si çdo adoleshente tjetër asnjëherë s’mund të mendosh seriozisht për një profesion gjatë gjimnazit por mundohesh te shkosh pas pasionit. Pasioni ka qenë instituti i arteve por me këmbënguljen e prindërve të mi për te ndjekur rrugën e tyre u binda shpejt dhe i hyra rrugës së vështirë të mjekësisë
2- A ka qenë babai juaj një shtysë që t’i futeni kësaj rruge?
Fillimisht siç e thashë mosha jonë asokohe mendon për suksese çasti dhe jo shumë për të ardhmen. Vërtetë është shumë e bukur që në jetë të ndjekësh një ëndërr por njeriu duhet të dëgjojë dhe më të rriturit për eksperiencat e tyre në jete. Që të ketë një të ardhme sa më të sigurt në vazhdim.
3-Çfarë ju ka treguar për vitin e vështirë 1997? A ka pasur ndonjë moment kur ka dashur ta lërë profesionin?
Prindërit e mi kur kanë mbaruar mjekësinë ndoqën rrugën e emigracionit. Ishin rritur në një sistem tjetër por brenda një 5-vjeçari kuptuan që vendi i tyre me i sigurt ishte Shqipëria dhe u kthyen në momentin e gabuar që ishte viti 1997. Viti 97 u bë një eksperiencë e paharruar për ata ku vendosën të ndiqnin specializimin mes plumbash, po në specializim patën një eksperiencë në ndihmë të Kosovarëve që u mikpritën në Tiranë deri në shpalljen e pavarësisë së tyre. Këto kanë qenë kujtime të paharrueshme për ta që m’i kanë treguar vazhdimisht dhe sot që kanë kaluar kaq shumë vite ndoshta duken si histori të skenarëve të filmave. Duke qenë se prindërit e mi e kishin provuar emigracionin pavarësisht se u kaloi në mend të riktheheshin përsëri në shtetin ku ishin , vendosën të sakrifikojnë dhe menduan më mirë të jesh mjek në vendin tënd sesa të jesh jo i arrirë plotësisht në emigrim.
5-A është sot shembulli i tyre një udhëzues në karrierën tënde?
Është shumë herët për të menduar për karrierë përderisa unë jam akoma në vitet e mia të specializimit , por nuk dyshoj aspak që prindërit e mi më kanë mësuar që sa mirë ndihesh kur ndihmon të tjerët dhe ky gjest me frymëzon dhe më jep kënaqësi. Pra sa herë jam ndihmë për të tjerët ndihem shumë mirë.
6-A është babai yt kritik ndaj teje në aspektin profesional?
Babai im është shumë kritik sepse është e vërtetë që këtë profesion duhet ta fitosh duke qëndruar pranë sa me shumë eksperiencave te mundshme. Është privilegj të kesh dikë që të udhëheq në mësimin dhe praktikimin e profesionit tënd .
7-Si ka qenë të vishje bluzën e bardhë, ndërkohë që i gjithë vendi u izolua për shkak të pandemisë?
Duke qenë se ne mbulojmë sferën gjinekologjike organizimi i punës u bë i tille që kontakti me pacientet për sëmundje të rutinës ishte i minimizuar dhe i përkushtuar ndaj lindjeve për të treguar një kujdes maksimal kundrejt gjendjes pandemike për te ruajtur veten dhe të afërmit tanë.
8-Cili është momenti më i bukur dhe ai më i vështirë që do veçoje në dy muajt që lamë pas?
Për sa i përket punës momenti me i bukur ishte ardhja ne jete e çdo bebeje te cilat ishin te pafajshme kundrejt kësaj qe po ndodhte.
Momente te vështira por jo te pakapërcyeshme mund te veçoj pjesët jashtë pune ( duke qenë se rutina na ndryshoi ), përpjekjet për të realizuar dhe organizuar ditën sikur te mos jetonim ne karantine.
Marrë nga abc news