Shaqiri /Ish-trajneri i Kukësit mund të rikthehem

Shaqiri /Ish-trajneri i Kukësit mund të rikthehem

406
0

Artim Shaqiri i hap rrugë një kthimi të mundshëm të tij në Kategorinë Superiore në të ardhmen.

Ish-fantazisti e ka provuar një herë të jetë pjesë e saj si futbollist me Besën e si trajner me Kukësin, një eksperiencë të cilën nuk e çoi deri në fund pasi u shkarkua para mbylljes së sezonit nga presidenti Safet Gjici.

Normalisht kam kaluar një periudhë jo të mirë, por tepër të mirë, pavarësisht momentit që ndodhi në fund, që u ndërpre para kohe bashkëpunimi. Te Kukësi ia kam kaluar shumë mirë, duke e ditur se e lashë ekipin në finale e Kupës dhe vendin e katërt. Nuk arritëm të fitonim në ndeshjen me Skënderbeun që e humbëm brenda 0-1 e iku titulli, por futbolli është i tillë. E kam thënë që këto gjëra ndodhin në futboll, nuk ka hidhërim, janë presidentët që vendosin këto gjëra se duan rezultate.

Para se të isha trajner i Kukësit kam qenë edhe futbollist i Besës së Kavajës për një periudhë të shkurtër dhe kam shokë e miqësi edhe nga ajo kohë. Por nga Kukësi edhe më tepër, jeta vazhdon, lidhjet nuk harrohen”, tha ai për “SuperSport” ku nuk mohoi dëshirën për të provuar përsëri pankinën e një klubi shqiptar pas eksperiencave të fundit në Maqedoninë e Veriut e Kosovë.

Nuk kam thënë asnjëherë që nuk dua të kthehem. Kampionati shqiptar është mjaft interesant, bëhen investime, kanë qëllim Europën, kërkojnë të nxjerrin talente, ka edhe talente të rinj shqiptarë. Por për momentin situata ka bllokuar çdo gjë, në të ardhmen nuk i dihet, edhe mund të kthehem në kampionatin shqiptar”, ishin fjalët e tij.