Gazetat italiane, si ajo La Gazzetta dello Sport, raportojnë se klubet e Serisë A mund t’i rinisin sencat stërvitore më 4 maj, përderisa janë tri opsione të ndryshme për ta mbyllur sezonin në korrik.
Serie A po planifikon ta ndjekë hapin e Bundesligës gjermane dhe t’i rinisë së shpejti seancat stërvitore, fillimisht duke e mbajtur distancën e nevojshme prej 2 metrave mes lojtarëve e pastaj gradualisht duke iu kthyer normalitetit, transmeton Gazeta Express.
Tri opsionet e mundshme për rinisjen e kampionatit janë më 24 maj, 31 maj ose 7 qershor. Për ta përfunduar ligën, me 13 xhirot e mbetura të këtij sezoni, do të duhen gjashtë javë e gjysmë.
Kjo bën që sezoni aktual 2019/20 i Serisë A të mundë të përmbyllet në fillim ose në mes të korrikut.
FIFA e ka lënë si opsion mundësinë e zgjatjes së kontratave të lojtarëve përtej 30 qershorit dhe kjo sugjeron që edhe FIFA e edhe UEFA duan me çmos që kampionatet të përmbyllen duke i zhvilluar të gjitha ndeshjet e mbetura, e jo si në Belgjikë ku u përfundua sezoni para kohe dhe u shpall kampioni në bazë të renditjes aktuale në tabelë.
Megjithatë, problemi më i madh në këtë skenar mbeten lojtarët. Shumë prej tyre udhëtuan në shtëpi gjatë fazës së vetizolimit dhe ata do të duhet të kthehen në Itali, ku do të detyroheshin të futen në karantinë për 14 ditë.
Ndërkohë, tre futbollistë të Juventusit – Paulo Dybala, Blaise Matuidi dhe Daniele Rugani – janë ende të vendosur në karantinë pasi që dolën pozitivë në testin për koronavirus.
Ndërsa, edhe Fiorentina, Sampdoria dhe Hellas Verona, ku luan edhe Amir Rrahmani, kanë pasur lojtarë të infektuar me virusin Covid-19 në skuadrat e tyre