Nuk shfaqi kurrë pendesë, VDES në moshën 99-vjeçare Nexhmije Hoxha, gruaja e...

Nuk shfaqi kurrë pendesë, VDES në moshën 99-vjeçare Nexhmije Hoxha, gruaja e ish-diktatorit

526
0

 

Ndahet sot (26 shkurt 2020) nga jeta në moshën 99-vjeçare Nexhmije Hoxha, gruaja e ish-diktatorit Enver Hoxha. Nexhmija ndërroi jetë në shtëpinë e saj në Laprakë. E veja e diktatorit lindi më 8 shkurt të vitit 1921, në Manastir, por prindërit e saj ishin nga Dibra. Në vitin 1928, familja e saj u shpërngul për t’u vendosur në Tiranë atu ku kreu dhe Shkollën e mesme, në Institutin Femëror Pedagogjik në Tiranë. Pas çlirimit të vendit vazhdoi me korrespodencë studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi. Ne intervistat e shumta apo librat e botuar pas viteve ’90, Nexhmije Hoxha nuk shfaqi kurrë pendesë për krimet e komunizmit. Vlen të theksohet se mbi 6 mijë shqiptarë, u vranë e pushkatuan, shumë prej të cilëve ende nuk kanë varr. 36 mijë shqiptarë u burgosën apo internuan. Në fundin e regjimit Shqiperia konsiderohej ne tre vendet me te varfëra te botës.

 

Në janar të vitit 1992, Nexhmija u arrestua me akuzën e abuzimit të fondeve dhe u dënua me 11 vite burg por bëri vetëm 5 vjet burg, pasi përfitoi nga amnistitë e ndryshme dhe nga ndryshimet e Kodit Penal. Nexhmija vuajti dënimin për atë që njihet si gjyqi i ‘kafesë’.

 

Gardiania e Burgut 325, ku vuajti dënimin Nexhmije Hoxha e Lenka Çuko, Natasha Maxhari, ka rrëfyer se Nexhmije nuk lahej kurrë në dush, ndoshta prej frikës së një atentati të mundshëm, edhe pse gardiania mohon që gjatë kohës së qëndrimit të saj të ketë pasur ndonjëherë ndonjë provokim mes të burgosurave.

 

Ish i denuari politik Fatos Lubonja tregon një rast kur e takoi zonjën Hoxha në një vizitë në burg dhe i kërkoi shpjegim se pse e dënoi atë, një të ri të pafajshëm. Përgjigja e Nexhmije Hoxhës ishte: Nuk e dija qe ishe në burg!!

 

 

Me Enver Hoxhën u martua në 1 janar të vitit 1945. Ka tre fëmijë, 2 djem dhe një vajzë.

 

Nexhmije Hoxha ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, 22-23 nëntor të vitit 1941, ndërsa gjatë luftës mori pjesë si delegate në të gjitha konferencat kombëtare si atë të Pezës, Labinotit dhe Përmetit. Pas çlirimit të vendit, ajo kishte kryer funksione të larta partie dhe shoqërore, ndërsa në Kongresin e Parë të PKSH-së u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror.

 

Ndërkohë, pak ditë më parë kur festoi dhe 99 vjetorin Nexhimje Hoxha në një intervistë për Gazetën Dita tregoi detaje nga jeta pas vdekjes së ish-diktatorit, bashkëshortit të saj Enver Hoxha.

 

‘Ditët dhe muajt pa Enverin kalonin, por në mendje dhe në zemër unë ndjeja praninë e tij në çdo hap. Kishim kaluar bashkë afro gjysmë shekulli, një jetë të tërë. Ndaj nuk mund ta largoja nga mendja për asnjë çast. Sidomos kur gjendesha vetëm në shtëpi, qëndroja pranë portreteve të tij, bisedoja me të, dëgjoja fjalët e tij, ndiqja mendimet e tij dhe kjo sikur ma hiqte vetminë. Kështu, duke jetuar me kujtimet e Enverit e ndjeja veten më të lehtësuar’, shprehej Nexhmije Hoxha më datë 8 shkurt 2020.

 

Ajo ka botuar gjithashtu edhe një libër me 530 faqe, ku tregon për historitë e kaluara, me një përpikmëri habitëse. Në këtë libër autorja mbron maksimalisht figurën e të shoqit, njësoj siç bëjnë edhe fëmijët e saj, për të cilin thotë se nuk ka patur asnjë gabim.

 

Hoxha kujton edhe vizitat e shumta që priste në shtëpi pas vdekjes së Enverit, sa u detyrua të kërkonte që mos të kishte më vizita. Në libër ajo kujton me nostalgji fëmijët që i qëndruan afër, duke ia lehtësuar dhimbjen.