“Të iku mosha”, dentisti në Tiranë përndjek për 6 vite studenten, i...

“Të iku mosha”, dentisti në Tiranë përndjek për 6 vite studenten, i kërkon dorën tek babai, s’lë gjë pa bërë gjersa përfundon në Polici

1135
0

Një 27-vjeçare, e cila po mbyll vitin e dytë si specializante e Mjekësisë është kthyer në fiksimin e një dentisti, i cili për gjashtë vite me radhë, ka shpalosur të gjitha format për ta bërë për vete vajzën e re, por pa asnjë rezultat. Përkundrazi Sajmir B. është kthyer në makthin e studentes, e cila pas 6 viteve është dorëzuar dhe së bashku me vëllain e saj i janë drejtuar policisë. I vëllai ka plotësuar shqetësimin e të motrës, duke treguar se në një moment e ka pyetur dentistin: Kush je ti që shqetëson motrën time?

 

Kallëzuesi shton në procesverbalin e policisë që gazeta “Si” disponon: “Këtë gjë e bëj nga dashuria”.

 

Siç rezulton, dentisti dhe studentja e Mjekësisë u njohën në Facebook dhe pas kësaj, djali i marrosur pas vajzës së re ka provuar të shprehet me poezi, ta ftojë për kafe, t’i kërkojë dorën siç e do tradita, ta shoqërojë në rrugë, ta ndjekë me makinë. Ka bërë aq sa ka mundur, por sa më tepër dentisti tentonte, aq më tepër largohej vajza, e cila mendon që të gjitha këto veprime s’janë asgjë tjetër veç përndjekje. Pavarësisht se një moment, dentisti i shkruan të përzgjedhurës: Ti je doktoreshë e shpirtit tim!

 

Po çfarë mendon A. D?

 

“Kam ardhur në polici të denoncoj shqetësimet që po më sjell Sajmir B.  të cilin e kam njohur përmes Facebook në vitin 2013. Sajmir B. është stomatolog dhe ka një klinikë dentare. Pasi u njohëm, piva disa kafe me të, mbase nga periudha nga marsi deri në korrik. Në verë u shkëputa prej tij dhe u largova në qytetin e lindjes, prej atij viti ai filloi të më shkruante dhe të më ndiqte këmba-këmbës deri më sot”. Ky është rrëfimi i studentes me inicialet A .D para policisë së Komisariatit nr. 1, një rrëfim, i cili disponohet nga gazeta “Si” dhe që tregon të gjitha peripecitë e saj.

 

Kallëzuesja që është shqetësuar për disa vite rresht nga admiruesi, është studente në vitin e dytë si specializante në Mjekësinë Dentare. Në fashikullin që gazeta “Si” disponon shtohet se ajo ka vendosur të kërkojë ndihmë pas përndjekjes disavjeçare dhe vetëm pasi ajo ka përdorur edhe familjarët si negociatorë, të dhëna këto që përmenden në dosjen e policisë, por edhe në procesverbalin e nënshkruar nga oficerja e policisë, Briselda Zhuzhi.

 

27-vjeçarja shton se pas vitit 2013 kur u njoh me dentistin dhe pasi kishin pirë kafe, ai e ka ndjekur disa herë. Më pas dhe ka kërkuar që të uleshin për kafe. Më tej, dentisti Sajmir B. ka shfaqur interes edhe në forma të tjera, duke i shkruar në Instagram, Facebook dhe në e-mail.

 

Studentja thotë se “ai më shprehte ndjenjat e tij dhe kjo gjë filloi të më bezdisë, ndaj edhe e bëra bllok në të gjitha adresat ku më shkruante. Vendosa edhe prindërit në dijeni. Situata nuk po ndryshonte, ndaj në vitin 2016 babai im e takoi Sajmirin në klinikën e tij dhe i kërkoi të më lërë të qetë. Ai i ka kërkuar babait tim që të pinë, por babai im nuk ka pranuar. Një vit pas këtij takimi me babain tim, ai më shkroi përsëri, dhe më kërkoi të takohem me të dhe duke shprehur ndjenjat që ka ndaj meje. Në mesazhe ai më thoshte: Të iku mosha… nuk je e pjekur… Gjithashtu Sajmiri më dërgoi njerëz te babai, familjarë të tij, ndoshta ishte xhaxhai apo daja i tij për të kërkuar aprovimin e familjes që ne të dilnim. Babai i ka thënë që vajza ime nuk e do djalin tuaj. Në këtë çast, familjari i   Sajmirit i premtoi babit që nuk do shkonte më. Në vitin 2018 pranova të pi një kafe me Sajmirin. Gjatë kafes sonë, që zgjati 30 minuta ai më foli për jetën e tij dhe unë e kam dëgjuar pa i bërë komente”.

 

Kallëzuesja shton më tej se këtë veprim e kishte kryer për të shfaqur indiferencën e saj dhe për t’i treguar mungesën e interesit ndaj admiruesit. Por, dentisti ka vazhduar të shkruajë edhe gjatë vitit 2019 çka ka sjellë kësaj radhe reagimin e të vëllait të studentes së Mjekësisë.

 

  1. D: Në muajin korrik vëllai im i shkroi në Facebook dhe i tha që mos të më bezdiste më. Por më 17 dhjetor 2019 në orën e darkës, Sajmiri më doli përpara në stacionin e autobusit, në afërsi të shkollës 1 Maji. Unë u mundova t’i shmangesha për të mos i folur, por ai ecte paralel me mua dhe më pyeste si isha? I jam përgjigjur që isha mirë dhe kur më kërkoi për kafe nuk pranova. Ai u shpreh se kishte ardhur në Tiranë për të më takuar mua. Ai eci rreth shtatë apo tetë minuta me mua derisa unë mora urbanin e linjës për në Qytet Studenti. Ndërkohë që ecnim i thashë “Nuk kam arsye pse të ulem për kafe me ty”.

 

Siç rezulton në fashikullin e përcjellë nga policia, më pas vajza tregon se admiruesi ka vijuar edhe në ditët në vazhdim t’i ndërpresë rrugën në një rast edhe me makinë.

 

A.D: Një makinë eci përbri meje dhe djali që zbriti nga makina ishte Sajmiri. Por nuk më kujtohet dhe as e vura re llojin e makinës apo targat. Sajmiri filloi të ecte paralel dhe kërkonte që të ndaloja. Ndërkohë unë isha duke folur në telefon me mamin, derisa mbërrita në konvikt, por ai nuk më linte të hyja në konvikt. Në këtë moment ndërhyri sportelisti që i   kërkoi të largohej. Që prej asaj dite ai vijon të më shkruajë mesazhe dashurie në Instagram.

 

 

Oficerja e policisë e pyet vajzën, e cila thotë se kjo këmbëngulje disavjeçare e dentistit për të krijuar lidhje i ka shkaktuar ankth.

 

Oficerja e policisë: Cila është marrëdhënia që ju keni pasur me Sajmirin?

 

A.D: Kam pasur marrëdhënie shoqërore. Sikurse ju thashë kam pasur vetëm marrëdhënie shoqërore, e njoha në Facebook dhe nuk i kam premtuar asnjëherë marrëdhënie dashurie.

 

Oficerja e policisë: Me çfarë mjetesh komunikimi keni folur me Sajmirin?

 

A.D: Sikurse ju thashë me lart, ai më shkruan në rrjetet sociale, konkretisht Facebook. Unë nuk i kam as numër telefoni, as ai nuk e ka numrin tim. Që nga viti 2013 unë nuk kam kontakte në telefon me të. Ai më ka shkruar dhe vazhdon të më shkruajë vetëm përmes rrjeteve sociale.

 

Oficerja e policisë: A ndiheni e kërcënuar nga veprimet e Sajmirit?

 

A.D: Ndihem e bezdisur dhe mesazhet e tij më krijojnë stres dhe shqetësim, mua dhe familjes time.

 

Oficerja e policisë: Përse nuk e keni denoncuar edhe në datë 18 dhjetor 2019?

 

A.D: Pyetjen e kuptova drejt, por unë mendova të qetësohem dhe pastaj të vij ta denoncoj.

 

Marrë nga Gazeta Si