Mbërritën të parët në Thumanë, ekipet e shpëtimit nga Greqia të shokuar:...

Mbërritën të parët në Thumanë, ekipet e shpëtimit nga Greqia të shokuar: Kolona ishin me tulla, s’kishim parë kurrë ndërtime të tilla

454
0

Disa prej anëtarëve të ekipit të kërkim-shpëtimit nga Greqia që erdhën të parët në vendin tonë, pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit, kanë folur për mediat në vendin e tyre për situatën në momentet e para kur tërmeti sapo kishte rënë.

Mediat greke shkruajnë se, menjëherë pas tërmetit qendra koordinuese e Brukselit ka dërguar sinjal urgjent ku paralajmëronte Greqinë për mision ndihmues të menjëherëshëm në Shqipëri. Spyros Karoubis , Konstantinos Tsakiris dhe zjarrfikësit Vassilis Gerokostas de Evangelos Alexandris janë ndër 26 anëtarët që u përgatitën më urgjencë për tu nisur në vendin tonë.

 

Ata janë shprehur se sfida që i priste në Shqipëri ishte shumë e madhe pasi nër të tjera kishin pak kohë në dispozicion për të marrë të gjitha pajimet e nevojshme.

 

“Sfida për të shpëtuar jetë nga shembja e ndërtesave në Shqipëri ka qenë e madhe. Kishim vetëm disa minuta për tu përgatitur, për të marrë pajisjet dhe rrobat e nevojshme sepse temperaturat ishin shumë më të ulëta se në Greqi. Duhej të përgatisnim qentë”, thanë katër anëtarët e misionit EMAK që mbërritën të parët në Thumanë.

 

Misioni grek është i pari dhe i vetmi mision ndërkombëtar që ka zbritur i pari në Thumanë, menjëherë pas tërmetit. Ata kanë thënë se janë shokuar kur kanë shkuar në rrënojat e një pallati 5 katësh pasi kanë parë që nuk kishte kolona të mirëfillta, por ato ishin bërë me tulla.

 

“Shoku i parë që kaluam ishte kur morëm vesh që ndërtesa nuk kishte kolona çimentoje. Kolonat ishin prej tulle. E gjithë ndërtesa ishte në” ajër “dhe natyrisht u shemb. Unë kurrë nuk kisha parë një ndërtim të tillë më parë”, ka thënë Spyros Karoubis.

 

Anëtarët e misionit grek të shpëtimit janë shprehur për mediat greke, se populli shqiptar i ka mirëpritur dhe u kanë ofruar ushqimin e tyre.

 

“Ata janë njerëz të varfër, të frikësuar dhe të tronditur. Shumica e tyre ose flisnin ose kuptonin Greqisht, kështu që komunikimi ynë ishte shumë i mirë. Njerëzit e zakonshëm na sollën ushqimin e tyre. Ata na treguan mirënjohjen e tyre me sa të mundnin. Ata na ofruan ushqimin e tyre, na dhanë ëmbëlsirat, ishin shumë të sjellshëm dhe e kuptuan që i vetmi mision që ata u përpoqën në qytetin e tyre ishte ai Grek”, ka shtuar Kostandin Tsakiri. /newsbomb.al/