Në dosjen e prokurorisë, dalin të tjera detaje nga ngjarja e ndodhur disa dite me pare pas mesnate në shtëpinë e Marsida Qatjas në lagjen nr.2 të Kavajes.
“Në mbrëmje- thuhet në dosje,- Marsida Qatja, Bledar Toçi dhe dy të tjerët kanë konsumuar alkool dhe kokainë. Pak minuta pas mesnate, tek shtëpia e gruas ka shkuar Dritan Haxholli, i cili ka goditur dritaren e katit të parë me qytën e automatikut që kishte fshehur poshtë xhaketës’. “Nëna e tre fëmijëve e ka ftuar të hyjë në shtëpi”, raporton “News24”.
Në dosje po ashtu thuhet se fillimisht Dritan Haxholli i ka drejtuar armën Xhulio Biturkut, duke i thënë se “me ty kam punë pastaj”. Ndërsa Bledar Toçit i është drejtuar me fjalët “pse ma bën ti këtë” dhe menjëherë ka qëlluar me automatik në drejtim të tij, duke e plagosur lehtë në qafë. Zyrtari i burgut të Durrësit i është kundërpërgjigjur dhe me armën e shërbimit ka derdhur plot 17 plumba mbi Dritan Haxhollin.