“Për “problemin e Kosovës” nevojitet nje zgjidhje e përhershme, e cila të arrihet në atë mënyrë që asnjëra palë të mos fitojë gjithçka, por mjaftueshëm”, kështu deklaroi presidenti serb Aleksandër Vuçiç në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
“Kemi filluar të luftojmë për një zgjidhje të përhershme dhe presim që bota t’i kuptojë qëndrimet dhe argumentet tona e të mos e mbështesë palën e kundërt, siç ka bërë nga viti 1999 deri në 2008. Arritja e marrëveshjes me Kosovën, për normalizimin e marrëdhënieve, është e rëndësishme për stabilitetin e të gjithë rajonit të Ballkanit”- tha Vuçiç.
Presidenti shtoi më tej se Serbia ka biseduar me Kosovën, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, pavarësisht “tensioneve dhe incidenteve të shpeshta atje dhe atyre që i cilësoi si “veprimeve të njëanshme të Prishtinës”.
Kreu i shtetit serb preku dhe çështjen e taksës së vendosur prodhimeve serbe nga ana e qeverisë kosovare nëntorin e vitit të kaluar, e cila i ka kushtuar deri tani vendit të tij 350 milionë euro. “Tarifa që vazhdon të jetë në fuqi, ka vënë në rrezik edhe jetën normale dhe dinjitetin e serbëve në Kosovë”, u shpreh ai.
Vuçic theksoi se po nuk u rrëzuan tarifat polemizuese, nuk do të ketë rikthim në tryezën e negociatave.