Gjobë e re nëse nuk deklaron llogaritë bankare te Tatimet, çfarë parashikojnë...

Gjobë e re nëse nuk deklaron llogaritë bankare te Tatimet, çfarë parashikojnë ndryshimet e reja ligjore

300
0

Një ndryshim ligjor që ka hyrë në fuqi së fundmi u kërkon bizneseve të deklarojnë në zyrat rajonale tatimore të gjitha llogaritë bankare që përdorin, pavarësisht nëse këto llogari përdoren sakaq për të paguar detyrimet fiskale ndaj tatimeve. Gjobë deri në 50 mijë lekë nëse nuk e deklaron.

Administratat tatimore pritet të bombardohen gjatë këtij muaji me një pafundësi shkresash nga ana e bizneseve, të cilat mbartin numrat e llogarive bankare të përdorura nga subjektet tatimpaguese, detyrim ky i lindur nga një ndryshim i ri ligjor i kohëve të fundit. Përmes ligjit, qeveria ka kërkuar që çdo biznes të ketë llogari bankare dhe si masë kontrolli për këtë, ka kërkuar që çdo llogari bankare të deklarohet pranë tatimeve fizikisht përmes shkresave të dorëzuara në drejtoritë tatimore rajonale.

Ligji 31/2019 i miratuar në parlament në qershor ka hyrë në fuqi më 25 korrik dhe sanksionon që bizneset duhet të deklarojnë llogaritë bankare “brenda 90 ditëve”, gjë që përkon me datën 26 tetor 2019.

Dështimi për të deklaruar llogaritë bankare i krijon të drejtën administratës tatimore të vendosë gjoba në masën 25 mijë lekë për biznesin e vogël dhe 50 mijë lekë për biznesin e madh. Nëse nuk deklarohet për herë të dytë, gjobat dyfishohen.

Kjo është hera e nëntë që ligji për procedurat tatimore ndryshohet brenda pesë viteve të fundit, si dhe hera e dytë që ndryshohet brenda 12 muajve të fundit.

Bankat e nivelit të dytë pritet të fitojnë para nga ky ndryshim ligjor, i cili vendos për herë të parë në mënyrë kategorike detyrimin e bizneseve për të pasur llogari bankare pavarësisht nëse janë kioskë apo biznes i madh.

Vlerësohet se rreth 25 mijë llogari bankare do të hapen me detyrim si pasojë e këtij ligji. Banka të ndryshme kanë filluar sakaq të reklamojnë për të thithur këtë kategori të re klientësh, të cilët bashkërisht pritet të paguajnë së paku 150 lekë komision secili për një total prej disa qindramijëra eurosh në vit.

Përfitimet e qeverisë nga ky ligj janë të paqarta, por synimi i ligjvënësit, i shprehur në relacionin e ligjit  është lufta kundër pastrimit të parave./Reporter.al