Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi reagon pas lajmeve që qarkullojnë në media lidhur me vizitën e kreut të shtetit në Strasburg.
Në disa media është raporta se vizita e Presidentit është e veshur me mister dhe e mbajtur e fshehtë.
Po ashtu është shkruar se Meta nuk është shoqëruar nga asnjë punonjës Ministrisë se Jashtme apo Ambasades shqiptare në Strasburg.
Ndërkaq, Blushi me anë të një postimi në rrjetet sociale, me ironi shkruan se Presidenti është në vizitë punë dhe i shoqëruar në çdo takim nga përfaqësuesit diplomatikë të shtetit shqiptar pranë Këshillit të Europës.
Reagimi:
I njoftojmë përsheshngrënësit e portaleve në të zezë të dezinformojnë më me dinjitet. Presidenti Meta është për vizite pune në Strasburg dhe i shoqëruar në çdo takim nga përfaqësuesit diplomatikë të shtetit shqiptar pranë Këshillit të Europës.
I sqarojmë përsheshngrënësit se Presidenti Meta do ta vizitojë më shpesh Strasburgun, kryeqytetin e të drejtave të njeriut, pasi vetëm respektimi i tyre çliron të ardhmen europiane të vendit nga pengmarrja e oligarkisë nga e cila këta mashtrues ordinerë paguhen.
I sqarojmë gjithashtu se Presidenti Meta nuk ka nevojë të lobojë, as në të bardhë, e as në të zezë.
Presidenti Meta do t’i mbrojë të drejtat kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë, në Strasburg, në Bruksel, në Nju Jork dhe kudo në botë, hapur e në mënyrë parimore.
Shqipëria si vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe si vend që ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Europian, ka detyrim ligjor të mbrojë të drejtat e qytetarëve të saj, siç sanksionojnë të gjitha dokumentat e konventat që janë në fuqi.