Me rastin e 70 vjetorit të lindjes së Gazetarit dhe Poetit Garip...

Me rastin e 70 vjetorit të lindjes së Gazetarit dhe Poetit Garip Troci, në nderim të Tij- e risjellim në vëmendje nëpërmjet këtij materiali

1059
0

Me një karrierë më shumë se 30 vjeçare në gazetari Troci ka punuar si korrespondent i shumë mediave vizive dhe të shkruara

Garip Troci ishte një burrë i qetë dhe i talentuar, i cili asnjëherë nuk rrahu gjoksin për meritat e tia. Ishte i mbushur plot aftësi dhe mirësi njerëzore. Vitet e fundit i ka kaluar në heshtje duke luftuar me një kurajo të pashembullt me një sëmundje të rëndë, të cilën e ka sfiduar vazhdimisht. Ai jetoi dhe krijoi deri në rrahjet e fundit të zemrës. Që nga Parisi ku kurohej ai dërgonte shkrime të ndryshme dhe opinione për gazetën “Dyrrah”, e cila ka qënë organi i fundit mediatik, ku ka dhënë kontributin e vet të vyer Garip Troci.

Sipas një autobiografie të shkruar prej tij Garip Troci ka lindur në Dibër dhe dashurinë për këtë vënd ai nuk e shkëputi kurrë nga shpirti i tij, por e mbajti thellë në zemër si një thesar të vyer. Këtë gjë ai e ka shprehur edhe nëpërmjet librave të botuar prej tij si: “Nëntë lisat e Dibrës” etj. Në një poezi ai shkruan se “duke parë burimet e kthjellta, në këto pyje e livadhe, bëhem fëmijë 2 vjeç e vrapoj pas erës së lehtë”…

Garip Troci lindi më 10 gusht 1949 në Rec të Dibrës. Shkollën fillore e ka kryer në Rec-Zalldardhë, ndërsa 8 vjeçaren në Fushë Cidhnë dhe të mesmen pedagogjike e ka mbaruar në qytetin e Peshkopisë. Troci, pasi ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Politiko Juridike në degën e Gazetarisë së Universitetit Shtetëror të Tiranës ka punuar fillimisht si redaktor në gazetën “Ushtima e Maleve”, në qytetin e Peshkopisë e më pas drejtor i gazetës “ Dibra”.

Pas vitit 1993 Garip Troci është zhvendosur familjarisht në qytetin e Durrësit dhe ka vazhduar që të punojë në disa organe qëndrore të shtypit. Ai ka punuar për një periudhë të gjatë kohe si korrespondent në gazetën “Shekulli”, më pas në “ Koha Jonë” , “Panorama”, “Sot” Tv Klan dhe në vitet e fundit në gazetën “Republika”.

Pas një periudhe pune rreth 30 vjeçare në shtyp, Instituti i Medias e ka futur emrin e tij në fjalorin enciklopedik të gazetarëve shqiptare krahas emrave më në zë të personaliteteve të kësaj fushe. Garip Troci është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” nga Kuvendi i Shqipërisë. Ai ka shkruar disa libra mes të cilëve spikasin ata publicistikë si “101 Lisat e Dibrës”, “Një kafe në kullën Eifel” dhe librin me poezi “Treni i Puthjeve”.

Vdekja e parakohshme e shkëputi shumë shpejt nga kolegët, miqtë dhe shokët e shumtë të tij. Por, nga njerëzor, ai tashmë është kthyer në qiellor. Dhe që nga lartësitë e “Eifelit” ku synonte të ngjitej prej talenteve të tija vazhdon të na dërgojë tashmë përshëndetjet me një tren puthjesh dhe aromash nga 101 lisat e vendlindjes së tij…

Aleksandër Çipa e ka cilësuar Trocin “një udhëtar të përditshëm …një udhëtar që kërkon jo vetëm perimetrin e të përditëshmes, në një vision të kufizuar, por në një perimetër që nis në hapësirat globale dhe mbetet i qasëshëm me realitetin”.

Shkrimtari Shpend Topollaj në një koment për veprën e tij thotë se Garip Troci: “Është një shembull edhe për gazetarët e tjerë, të cilët duhet t’i shohin qytetarët e vendit të tyre, si njerëz që përpiqen e shpejtojnë të pijnë metaforikisht një kafe në Kullën Eiffel, atje në botën e qytetëruar, qytetërim që duke e pasur më të hershëm se ata, për ironi të fatit, jemi të detyruar të ndjehemi të vonuar”.

Poeti Agim Bajrami duke iu referuar librit poetik “Treni i Puthjeve” e ka cilësuar poetin Troci si gazetar të vjetër dhe personalitet të kulturës dibrane.